Vuçiq mallkon Berlinin!

Vuçiq mallkon Berlinin!

Nga Enver Robelli - 18/02/2020

Sundimtari i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke vajtuar dhe akuzuar Gjermaninë (pa e përmendur direkt) se pengoi planin që Beogradi të merrte veriun e Kosovës dhe Anamoravën. "Ky ka qenë një shans i madh për ne. E kemi humbur këtë rast", tha Vuçiq për televizionin Happy.

Përkrahësit e ideve të Vuçiqit në Prishtinë prej verës së vitit 2018 kanë thënë se Kosova do ta marrë Luginën e Preshevës dhe nuk do të japë "asnjë milimetër, asnjë centimetër territor". Me mbështetjen e Federica Mogherinit, lobistëve të paguar mirë dhe diplomatëve të pensionuar, por të etur për honorare, viteve të fundit në tavolinë është vendosur harta e Kosovës dhe janë bërë plane për copëtimin e saj.


Duke folur për dështimin e planeve të tij, Vuçiq përmend presionin që ka pasur nga Europa dhe sidomos nga një shtet i fuqishëm për të realizuar marrëveshjen për energji. Për çka flet këtu Vuçiq? Flet për linjën e interkonjeksionit mes Kosovës dhe Shqipërisë, një projekt i financuar nga një bankë gjermane dhe qeveria e Berlinit dhe i bllokuar nga Beogradi.

Kjo linjë do ta bënte Kosovën më të pavarur nga importi i energjisë nga Serbia, edhe çmimi i rrymës, sipas ekspertëve, do të ulej.
Tregu i energjisë në Ballkan në pjesë të madhe kontrollohet nga oligarkët serbë.

Ata kanë lidhje me politikanë e oligarkë në të gjitha vendet e rajonit. Andaj viteve të fundit ka pasur akuza se edhe qeveria e Sali Berishës e ka penguar linjën e interkonjeksionit mes Kosovës dhe Shqipërisë. Por projektin nuk ka arritur ta shyjë përpara as qeveria aktuale e Tiranës për shkak të bllokadave serbe.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco