Po helmohemi...a ka plan 'B'

Po helmohemi...a ka plan 'B'

Nga Astrit Veliqi - 17/01/2020

Tash e sa kohë, përveç krizës institucionale si popull, po jetojmë edhe në një kaos ambiental.

Madje jo vetëm në krizë por jemi duke përjetuar pothuaj çdo ditë gjendje alarmante nga ajri i ndotur i cili po na 'mbyt' pothuaj ngadalë dhe pa zhurmë.

Kjo është e dhimbshme se ku kemi rënë si vend, pa pasur një plan konkret se si duhet të dilet nga kjo gjendje tragjike ambientale.

Ky helm kimik i cili po na zë frymën, nuk mund të largohet pa një strategji konkrete kombëtare, e cila duhet të bëhet prioritet institucional.

E ku përveç arsimit dhe shëndetësisë, kaosi ambiental i momentit duhet ta alarmoj jo vetëm shtetin dhe institucionet por edhe çdo qytetar që merr frymë në këtë vend.

Por sa mund të bëhet realitet një gjë e tillë, kjo vetëm mund të jetë dëshirë e momentit, ngase institucionet e vendit, pothuaj në të gjitha sferat e saj kanë mbetur në vendnumëro.

Por e tillë ka mbetur edhe kriza e marrëveshjes për  koalicionin qeverisës mes VV-së dhe LDK-së.

Por përveç nevojës institucionale për themelimin e qeverisë së re, nevojë jetike dhe emergjente mbetet edhe ndryshimi i ambientit në të cilin jetojmë.

Por si ta ndalim helmin kimik i cili po na zë frymën në çdo mbrëmje, a kemi ndonjë plan ‘B’ se si të shpëtojmë nga kjo mizerje ambientale?

Përgjigjja në këtë rast sa është tragjike ka edhe narrativë komike, ngase kjo pyetje si duket kërkon përgjigjen e famshme 1 milion dollarëshe.

Ngase deri tani e kemi parë, se përveç tjerave, si në liberalizim, arsim, shëndetësi, ekonomi, por edhe në mjedis kemi dështuar si shtet.

Kjo duket paradoksale por edhe e dhimbshme dhe tragjike ngase ajri i tmerrshëm është kostoja shëndetësore që po e paguajmë edhe si qytetarë por edhe si shoqëri.

E përveç dështimit për parandalimin e kësaj amullie nga institucionet shtetërore, kemi dështuar edhe si shoqëri dhe si vetëdije qytetare, ngase dora e njeriut po del të jetë fajtori kryesor i nënës natyrë.

Jemi në stinën e dimrit dhe nevoja për ngrohje është evidente, prandaj, përveç mjegullës dhe smogut, edhe ngrohja me thëngjill por edhe elementet tjera helmuese po e bën edhe ma të rrezikshmen jetën tonë në këtë vend.

Hej...po aspirojmë për integrim në BE, por më këtë gjendje nuk mund të dalim as në Rajon e lëre më në Evropë.

Alarmin për shëndetin tonë po e jep edhe Instituti i Shëndetit Publik, i cili po bën thirrje që mos të dilet jashtë pa nevoja të mëdha, e të rrezikuar në këtë stad janë të rrezikuar ata që kanë probleme nga sëmundjet e mushkërive dhe të zemrës.

Prandaj në këtë katrahurë klimatike edhe lëvizja me maska është bërë e domosdoshme.

E kjo pamje po na kujton Kinën, Pakistanin, Bangladeshin, por jo edhe Kosovën e vogël ku nuk jetojnë me shumë se 1.8 milionë banorë.

Përveç që duket e pështirë, por e dhimbshme,  më shumë se kaq bëhet edhe tragjike.

Prandaj çka po presim më! Gjendjen alarmante me ajrin e ndotur duhet ta shpallim ‘emergjencë kombëtare’...në të kundërtën do të përballemi me pasoja, e më keqja do të jetë vetë jeta jonë e cila ka mbetur në pikëpyetje.

O njerëz po helmohemi...a ka plan 'B'.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco