Kush e kurdisi ‘bombën”?

Kush e kurdisi ‘bombën”?

Nga Syri.net Kosova - 13/12/2019

Ende pa e marrë detyrën e kryeministrit, ish-opozitari Albin Kurti po përballet me presionin sindikal. Pas reagimit të Avokatit të Popullit, Gjykata Kushtetuese e ka pezulluar Ligjin e Pagave për sektorin publik, duke lënë me gishta në gojë dhjetëra mijëra zyrtarë.

Shumë punonjës në zyrat shtetërore kishin llogaritur ta festonin Vitin e Ri, me rroga të ngritura. Jo pak, i programuan këstet më të larta të kredive për nevoja të ndryshme. Por, ja që, po u bazove në vendimet e institucioneve të Kosovës, i bën hesapet pa hanxhinë.

Në fakt, nuk është vetëm një hanxhi. Janë disa. Kryesori struket në zyrën e të parit të shtetit. Të tjerët i shohim përnatë në ekranet televizive, që çirren ndaj çdo kundërshtari politik apo kritiku.

Sa herë këtyre destrutivëve u nevojitet aktivizimi i “bombës sociale”, lehtësisht veprojnë. Marionetat në secilin dikaster, zbatojnë direktivat e rastit.

I njëjtë është edhe rasti me Ligjin e Pagave. Pavarësisht pakënaqësive jo të pakta, nga kategori të caktuara që preken nga ky ligj, kishte mundësi të zgjidhjes së problemit, pa ardhur deri te pezullimi nga Kushtetuesja.

Rikthimi i grevave, në një kohë kur ende nuk e kemi qeverinë e re, është absurd. Edhe më befasues është reagimi i SBASHK-ut. Së paku deri sa të zbehet jehona e rezultateve të turpshme të PISA-s, është dashur të heshtin.

A janë pikërisht këta mësues, të cilëve u rriten pagat, që po i arsimojnë kaq keq fëmijët e Kosovës? Ata duhet të mbajnë përgjegjësi.

Reagimi i Avokatit të Popullit, ndezi zemërimin social sërish, ndërsa vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i fryu edhe më shumë zjarrit.

E kujt po i konvenon kjo situatë e trazuar, në këtë moment të rrotacionit të pushtetit?

Ligji i pagave ishte i domosdoshëm dhe qeveria në shkuarje bëri mirë që i dha përparësi, por bëri keq që nuk arriti të akomodojë në mënyrë të balancuar interesat e kategorive që reaguan më pas.

Megjithatë, më mirë një ligj i keq, sesa pa ligj fare. Anarkia e pagave në sektorin publik do të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm, deri në një ligj të ri.

Bërja e këtij ligji, ishte dhe mbetet zgjidhja optimale, pa pasur nevojë për të shkuar drejt radikalizmit. Qeverisë së re, duhet t’i japim së paku 100 ditë për të parë se çka do të bëjë.

Edhe në rastin e ligjit të pagave, po të kishte pasur një komunikim normal mes faktorëve kryesorë sindikata-pushtetarë-Avokat i Popullit-Gjykatë Kushtetuese, do të kishim tejkalim të mllefit.

Ligji mund të zbatohej deri në përmirësimin e shpejtë të tij pas ankesave dhe pakënaqësive të shumta.

Kështu si shkuan punët, vendi hyri në një përplasje sociale të rrezikshme. Dhjetëra mijëra e duan ligjin, dhjetëra mijëra janë kundër.

Këto tensione, tashmë duhet t’i adresojë qeveria e re, ndërsa pezullimi i Ligjit të Pagave është punë e kryer.

Askush nuk mund ta zhbëjë vendimin e Gjykatës. Sikur i madh e i vogël të dalin në rrugë, të bllokojmë shkolla e spitale, polici e zjarrëfikësa, nuk do të zhbëhet.

Prandaj, mend për tjetër herë!

Ligjvënësit, le t’i konsultojnë pak aspektet kushtetuese, para se ta ngrejnë dorën për të votuar.

Vendimi i tyre, ashtu siç mund të sjellë të mira për njerëzit, mund edhe ta marrë në qafë një popull të tërë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco