Mjegulla e mosbesimit

Mjegulla e mosbesimit

Nga Tomorr Avdia - 11/12/2019

Gjatë këtyre ditëve kryeqytetin e Republikës se Kosovës, Prishtinën, përveç tymit, mikut te përhershëm, e ka përfshirë edhe një valë e dendur mjegulle. 

Ani pse kjo gjendje duket tejet shqetësuese, jo vetëm per ngasësit por për të gjithë qytetarët që jetojnë këtu, një re po aq e dendur sa mjegulla i ka përfshirë edhe rrjedhat politike ne vend. 

Kësaj situate më se shumti po i kontribuojnë dy subjektet politike; Lëvizja Vetëvendosje (VV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) të cilat kanë dalur si partitë e para në zgjedhjet e 6 tetorit të këtij viti. 

Megjithëse kundërthëniet ne mes tyre ishin vënë re qysh para dhe përgjatë fushatës, dukej se një koalicion në mes tyre ishte vetëm peng i rezultateve finale të KQZ-së. 

Deklaratat e përfaqësuesve të tyre, se kanë harmonizuar gati 100 për qind programin qeverisës, jepnin shpresë se gjithçka po shkonte në rregull dhe formimi i Qeverisë ishte çështje orësh. 

Por, ka kaluar një përiudhë e konsiderueshme prej se KQZ ka shpallur e madje ka certifikuar rezultatet e zgjedhjeve, dhe këto dy subjekte politike shpeshherë duket se kane thelluar hendekun në mes tyre. 

Derisa në opinion pozita e Presidentit dhe dikasteri i ministrit të Brendshëm, thuhet se janë pika e mosmarrëveshjes, edhe shume re të tjera mjegulle dyshohet se përbëjnë ekuacionin deri më tani të pazgjidhur në mes dy partnerëve në tentativë. 

Duke mos elaboruar dëmet institucionale që shkakton ky vakum institucional, pyetja e logjikshme në këtë rast është se sa mund të jetë i suksesshëm një bashkëqeverisje nën një presion kaq të dendur mjegulle e mosbesimi.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco