Të fundit në PISA, të parët si pisa

Të fundit në PISA, të parët si pisa

Nga Syri.net Kosova - 03/12/2019

Sërish në fund të listës. Më keq se ne janë vetëm Republika Domenikane dhe Filipinet. Dështim i pritshëm. Ky është rezultati i një keqqeverisjeje njëzetvjeçare të arsimit në Republikën e Kosovës.

Nga të gjitha partitë që bashkëudhëhoqën vendin. Tash, në mend të bien së pari një listë emrash që drejtuan Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Rexhep Osmani, Agim Veliu, Ramë Buja, Arsim Bajrami, Enver Hoxhaj, Shyqiri Bytyçi. Fatura e këtij dështimi së pari, ndërlidhet me ta, pastaj me qeveritë dhe partitë që i përfaqësuan në krye të sektorit më të lënë pas dore.

Jo që nuk u dhanë miliona, por destinacioni nuk qe asnjëherë zhvillimi i arsimit. Zhvatja dhe korrupsioni, abuzimi e shpërdorimi, e degraduan sistemin tonë arsimor.

Fondet përfunduan në xhepat e klientelës partiake, ndërsa cilësia mbeti përtokë. Asnjë qeveri, nuk i dha përparësi arsimit, por vetëm e shpërdoroi me aq sa mundi.

Niveli i mësimdhënies e mësimnxënies, lë shumë për të dëshiruar. Testi PISA, e shpreh realitetin e zymtë arsimor kosovar.

Ky është mjerimi ynë i përbashkët.

Politika e rrënoi shtyllën kryesore të shoqërisë e shtetit. Me njerëz të shkolluar keq, natyrisht që qindra e mijëra do të emigrojnë, për të gjetur qoftë edhe një punë krahu në Evropë.

Kurrë më shumë nuk ka pasur nevojë për profesionistë, e kurrë më pak shkolla nuk ka nxjerrë të tillë.

MASHT-i bëri dy dekada propagandë për reforma e kurrikula të reja, për trajnime e aftësime profesionale, për tekste bashkëkohore e licencim arsimtarësh, por në të vërtetë, e dëmtoi zhvillimin e arsimit.

Kjo ministri u shndërrua si të gjitha të tjerat, në një levë tenderomanie, për të ushqyer kompanitë e lidhura me pushtetin dhe rrethin e tyre korruptiv.

PISA,duhet të shërbejë si një alarm që nuk duhet injoruar më tutje. Qeveria e re, arsimin do të duhej ta kishte në ballë të prioriteteve.

Një mandat është pak, për të sanuar dëmet e jashtëzakonshme, megjithatë, na duhet një kthesë rrënjësore në këtë sektor të tronditur.

Kësaj përpjekjeje, duhet t’i bashkohet edhe SBASHK-u, që mendjen e ka vetëm te rritja e rrogave. Mirë është të shtohen të ardhurat, por nëse nuk ngritet cilësia në shkollat tona, përse duhet të ndodhë një rritje e tillë?!

Politika duhet të mbështesë sigurimin e fondeve serioze për zhvillimin e arsimit, ndërsa t’i mbajë duart lart nga profesonistët, që janë çelësi i ecjes përpara.

Rezultatet e PISA-s, do të duhej ta turpëronin mininistrin në detyrë, që shihet se nuk ia ka pasur haberin në drejtimin e MASHT-it.

Edhe pararendësit e tij, së paku një ndjesë publike, mund ta bënin.

Po, kush është ai  ministër apo politikan kosovar që skuqet në këtë vend…

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco