Festa e shenjtë e flamurit dhe biznesi 'patriotik'

Festa e shenjtë e flamurit dhe biznesi 'patriotik'

Nga Esad Gjonbalaj - 18/11/2019

Festa e Flamurit siç e quajmë në zhargonin popullor apo zyrtarisht Festa e Pavarësisë së shtetit Shqipëtar është dita më e madhe e kombit në historinë e krijimit të shtetit shqipëtar, e cila simbolizon lirimin nga zgjedha shekullore e Perandorisë Osmane. 

Kjo festë dikur e ndaluar të festohet lirshëm për gjysmën e kombit shqiptar që gjendej në ish Jugosllavinë e shekullit të kaluar, sot festohet pothuajse pjesërisht lirshëm në trojet shqiptare dhe në gjithë rruzullin tokësor.

Si pjesëtar dhe njohës i këtij komuniteti për më se 30 vite vlerësoj dhe konsideroj se Festa e  flamurit gjithnjë e më shumë po degradohet nga profiteret të cilët edhe këtë festë të madhe kombëtare dita ditës po e komercializojnë për të pasuruar vetveten e familjarët e vet dhe asgjë më shumë. 

Këto manifestime po degradojnë aq shume saqë në esencë përveç emërtimeve që bëjnë aty asgjë s’ka te bëj me atdhetari veçse është kultivim i nivelit me te ultë i “atdhedashurisë  të biznesit patriotik.”

Vite me parë në komunitetin shqiptaro-amerikan kjo dukuri nuk ka qenë e theksuar thuajse fare meqë me këtë datë organizohëshin  mbrëmje të mirëfillta atdhetare dhe me çmime simbolike sa për të mbuluar shpenzimet e domosdoshme e besa shpeshherë edhe me humbje vetem sa për te qenë ne shërbim te kauzës kombëtarë dhe të komunitetit.

Edhe këtë vit disa  shoqata dhe personalitete te çmuara te komunitetit po përpiqen që me çmime simbolike të jenë në shërbim të komunitetit, por është për keqardhje që mësa duket  disa shoqata  të mirënjohura kanë rënë pre e komercializmit duke i vendosur biletave për këtë manifestim çmime astronomike për qytetarin e rëndomtë dhe duke u rreshtuar pas mentalitetit të profiterëve oportunist. Shoqatat duhet të jenë mirënjohëse dhe falenderuese për përkrahjen e sinqertë  që  e gëzojnë nga komuniteti dhe ne këtë festë te madhe kombëtare duhet t’i dhurojnë diç komunitetit nga vetvetja për përkrahjen e tyre ndaj aktiviteteve te shoqatave gjegjëse.

Këtij matrapazllëku i prinë edhe një pjesë e këngëtarëve te estradës (jo të gjithë për fat të mirë, meqë ka këngëtarë të ndershëm të cilët e vlerësojnë Festen e Flamurit kombëtar ) dhe është ironi e llojit të vet kur këta këngëtarë me plot zjarr e patriotizëm i këndojnë atdheut e nuk e bëjnë asnjë sakrificë për një natë të vetme per te qenë në shërbim të kombit, atdheut dhe komunitetit dhe për ta ruajtur dinjitetin historik kombëtar të kësaj feste të shenjtë  mbarëshqiptare.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco