Mini Schengeni ballkanik, Sheremet Krasniqi dhe unë

Mini Schengeni ballkanik, Sheremet Krasniqi dhe unë

Nga Bajram Mjeku - 12/11/2019

Në qershor të vitit 1985, Sheremet Krasniqi nga Gllanasella e Drenasit, që ishte dajë i djemëve të axhës tim, ishte mysafir në familjen time. Isha student dhe nuk do ta harroj kurrë atë mbrëmje të këndshme qershori në vendlindje dhe qëndrimin dinjitoz të Sheremetit të ndjerë ulur në ballë të odës.

Tema, të cilën e nisi fillin e bisedës mysafiri i nderuar, ishte fort tabu dhe aspak e zakonshme për kohën. Ndër të tjera tha se Enver Hoxha është antishqiptari më i madh i shekullit, me Enver Hoxhën Shqipëria staliniste është më shumë sllave se shqiptare dhe krejt në fund po e citoj saktë: “Neve nuk na do as Shqipnia e sotme as Serbia. Dhashtë Zoti që na shqiptarët e Kosovës ta duam njeni-tjetrin!”.

Mbaj mend që pati reagime, por biseda u qetësua falë ndërhyrjes së prerë të babës tim të ndjerë. Ndeja vazhdoi deri vonë dhe momenti më i vështirë për mua ishte kur baba im më tha që të kujdesesha për mysafirin për shkak të moshës që kishte. U shtrimë të flinim, por gjumi nuk më zinte. Kisha krijua shprehi të lexoja deri vonë dhe të flija vetëm!

Diku rreth orës 3 të mëngjesit, mysafiri pati një makth, pastaj brofi nga shtrati dhe në errësirën e odës ndezi një cigare. I shqetësuar ndeza dritën, derisa Sheremeti i ndjerë ishte zverdhur në fytyrë. Kur e pyeta se si mund ta ndihmoja, ai u përgjigj: Hiç mos u bo merak djali jem. Ka shumë vjet që çdo natë më del gjumi në këtë kohë, masnej e dhezi një cigare dhe prapë më kapë gjumi!

Më vonë kam kuptuar se Sheremet Krasniqi ishte dëshmitar kur në shkurt të vitit 1945, Brigada e Pestë Shqiptare bashkë me partizano-çetnikët ia kishin masakruar në prani të tij, djalin e axhës dhe shtatë kushërinj të tjerë, ndërsa klithmat e tyre i janë shfaqur në ankth gjithë jetën.

Një vit më vonë, Sheremet Krasniqi ndërroi jetë, ndërsa tre vjet më vonë u themelua Lidhja Demokratike e Kosovës. Shefi i saj dr. Ibrahim Rugova, në secilën konferencë për shtyp sa herë përsëriste refrenin “për një Kosovë të hapur ndaj Shqipërisë dhe Serbisë”, më kujtonte sloganin e Sheremet Krasniqit në qershor të vitit 1985, si sot sprova për mini Schengenin ballkanik të Edi Ramës dhe Aleksandar Vuqiçit!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco