- 08:26, 22/04/2026
Inter siguroi një përmbysje spektakolare ndaj Como-s, duke fituar 3-2 në “San Siro” dhe duke prerë biletën për finalen e Coppa Italia 2025/26. Një ndeshje me ritëm të lartë dhe emocione të shumta pa zikaltrit të rikthehen nga disavantazhi 0-2 për të triumfuar në fund.
Takimi nisi më mirë për miqtë, që rrezikuan që në minutën e 9-të me traversën e Kempf. Goli i avantazhit erdhi në minutën e 32-të, kur Martin Baturina realizoi pas një asisti të Ignace Van der Brempt. Interi reagoi menjëherë dhe iu afrua barazimit me një goditje me kokë të Marcus Thuram, por topi u largua mbi vijë nga Perrone.
Në fillimin e pjesës së dytë, Como dyfishoi shifrat me Lucas Da Cunha në minutën e 48-të, i cili shënoi me një goditje të saktë nga një kënd i vështirë. Kur gjithçka dukej e komplikuar për vendasit, nisi reagimi i madh zikaltër.
Protagonisti absolut ishte Hakan Çalhanoğlu, i cili fillimisht ngushtoi diferencën në minutën e 69-të me një goditje nga distanca dhe më pas barazoi në minutën e 86-të me një goditje me kokë të pazakontë për të.
Vetëm tri minuta më vonë, heroi i mbrëmjes u bë Petar Sučić, që pas dy asistimeve për Çalhanoglu, gjeti edhe golin vendimtar për 3-2, duke kompletuar një përmbysje të jashtëzakonshme.
Kjo është finalja e 16-të në historinë e Interit, që tani do të synojë të fitojë trofeun e dhjetë në Kupën e Italisë.

© SYRI.net