Edi Rama, si një Manduro, do vetëdorëzohet presidentit Trump

Edi Rama, si një Manduro, do vetëdorëzohet presidentit Trump

Nga Dede Preqi - 20/02/2026

Nuk është e vështirë të kuptohet sot roli i Edi Ramës, ashtu si edhe format e sjelljes së tij nga logjika e veprës dhe marrëdhëniet e ndërsjella me popullatën e vendit të vet, të pakënaqur pas katër mandatesh radhazi në pushtet.

Mund të paraqitesh sa të duash i arsyeshëm, i moderuar dhe i përgatitur para mediave dhe liderëve të huaj, por nëse nga brenda nuk posedon një qëndrim dhe besim të tillë me popullin tënd, duke e gënjyer masën dhe vetveten, kjo bie në kundërshtim me realitetin.

Dhe më tepër, kur pretendon të jesh i veçantë në strukturën dhe stilin tënd, dhe këtë e bën me mendjen e mbushur se kjo është e drejtë dhe e arsyeshme edhe për të tjerët, të cilëve do t’u përshtatej vetëm atij.

Prandaj, Kosova ka përvoja të hidhura dhe tragjike nga planet dhe strategjitë e Serbisë, të cilat po i vuan edhe këto ditë. Një rrezik i tillë bëhet edhe më kërcënues kur, edhe pas gjithë atyre krimeve serbe dhe gjenocideve, ky popull nuk ka marrë asnjë kërkimfalje nga pasardhësi i Millosheviqit, Aleksandër Vuçiq, të cilin Edi Rama e quan “mik” dhe me të cilin ka një lidhje të fshehtë.

Prandaj, miqësia e Edi Ramës me Vuçiqin po kultivon një politikë tradhtare ndaj shqiptarëve dhe shtetit të Kosovës, por edhe ndaj qenies mbarëkombëtare. Njëherësh, kjo nënkupton nënshtrim ndaj pretendimeve që trumbetojnë serbosllavët se “Kosova është djepi i tyre”, gjë që në realitet nuk qëndron as në arkivat historike.

Kosova është sot e pavarur dhe u përket të gjitha nacionaliteteve që jetojnë brenda saj. Këtë e di e gjithë bota, por duket se nuk e ka të qartë Edi Rama, i cili ndonjëherë sillet si shenjtor i imagjinuar e ndonjëherë si djallëzor, duke u zhveshur nga origjinaliteti që i takon.

Politika që paraqet Edi Rama për çështjet dhe në emër të Kosovës, pa ndonjë marrëveshje paraprake, është një përpjekje utopike dhe një lojë e ndyrë e fantazisë së tij, pa i parashikuar pasojat që mund ta trazojnë popullin shqiptar të Kosovës.

Edi Rama sikur nuk e kupton domethënien dhe planin e Serbisë, sepse Serbia e ka projektuar më herët një strukturë të tillë, ku do të shpaloset më vonë domethënia e këtij plani famkeq, në të cilin fshihet një strategji e rrezikshme kundër Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi.

Kryeministri shqiptar Edi Rama duket se u bindet urdhrave të Vuçiqit, pasardhësit të Millosheviqit. Për njeriun për të cilin flasim, duket se nuk është në gjendje të kuptojë rrezikun për popullin shqiptar të Kosovës, ose të paktën nuk është i vetëdijshëm për këtë aventurë skandaloze që po bën, duke qenë i dehur nga ndjenjat e pushtetit dhe populizmit, dhe duke i marrë të gjitha si “normale” ndaj shtetit të Kosovës.

Për këto dhe shumë arsye të tjera, vizioni i Edi Ramës karshi Kosovës dhe popullit të saj duket i mbrapshtë dhe i pafrytshëm. Të vihesh në shërbim të një doktrine të tillë të Vuçiqit nënkupton përgjegjësi jo vetëm për Edi Ramën, por për këdo që ndjek të njëjtën prapavijë të kësaj shkolle të vjetër politike serbe, e cila ka marrë fund që nga viti 1999 për Kosovën.

Sot, Edi Rama, në mbledhjen e Bordit të Paqes në Uashington, që po mbahet këto ditë, i është drejtuar presidentit të SHBA-së, z. Trump, duke e lutur për çështjen e të akuzuarve në Hagë, që të marrë parasysh, në veçanti, rastin e Hashim Thaçit dhe të tjerëve që po gjykohen atje.

Çfarë nënkupton kjo, kur Thaçi dhe të tjerët akuzohen për krime gjatë Luftës së UÇK-së, dhe pikërisht në fazën përfundimtare të procesit gjyqësor Edi Ramës i kujtohet të dalë në mbrojtje të tyre?

Nga ana tjetër, sa herë që vjen në Kosovë – sikurse edhe herën e fundit, një ditë para protestave të organizuara në mbrojtje të krerëve të UÇK-së që gjenden në Gjykatën e Hagës – kryeministri shqiptar takohet me liderët e Kosovës, në veçanti me presidenten e vendit, për t’u bashkëngjitur këtyre protestave, ndërsa vetë largohet menjëherë.

Kosova dhe populli i saj janë të vetëdijshëm se iniciativat e tanishme nuk janë në favor të tyre. Kur Kosova kishte nevojë për një rezolutë nga shteti i Shqipërisë për të dënuar gjenocidin e Serbisë, kjo nuk u bë.

Në Shqipëri sot lidhen martesa “pazari” me dominimin e burrave serbë të moshuar, të cilët martohen me vajza të reja shqiptare – një fenomen i dhimbshëm që dëshmon gjendjen e mjeruar sociale dhe mungesën e perspektivës, si dhe funksionimin e ligjeve të dobëta shtetërore.

Ky njeri i ashtuquajtur “supermental”, që jep leksione globale kur del jashtë vendit, paraqitet si politikan i moderuar i mbarë shqiptarëve, ndërsa në praktikë i jep vetes të drejtën të bëjë me shtetin shqiptar çfarë të dëshirojë.

Sa i përket lajthitjeve dhe humbjeve të energjisë së tij, kjo mund të ishte çështje personale, por jo politike dhe intelektuale, kur bëhet fjalë për mirëqenien dhe pozitën e shqiptarëve kudo që jetojnë.

Në këtë mënyrë nuk mund të promovohen vlerat e një populli në përputhje me të drejtat reale të tij – një popull me origjinë, gjak, gjuhë dhe histori të përbashkët, siç është populli shqiptar në Dardani, Shqipëri dhe kudo që jeton.

Edi Rama nuk mund ta mashtrojë presidentin e SHBA-së, z. Donald Trump, me paraqitje emocionale apo mllef shpërthyes. Zhvendosja e fakteve në fushën e miratimit moral dhe njerëzor kërkon përgjegjësi më të madhe.

Nuk është e lehtë të flitet për situatën që po zhvillohet në Hagë lidhur me udhëheqësit e UÇK-së. Rasti kërkon analizë të thellë dhe qëndrim të matur, përtej hedhjes poshtë emocionale të akuzave.

Edi Rama nuk mund ta mashtrojë opinionin shqiptar në Kosovë, as atë vendor, dhe as presidentin e SHBA-së. Në fund, historia dhe faktet mbeten më të forta se çdo paraqitje publike.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco