LDK mes harresës së rrënjëve dhe krizës së identitetit politik

LDK mes harresës së rrënjëve dhe krizës së identitetit politik

Nga Ramiz Tafilaj - 28/01/2026

Orvatja e vazhdueshme e Lidhjes Demokratike të Kosovës për t’u distancuar nga themeluesit e saj nuk është më çështje perceptimi, por fakt politik i dukshëm. Kjo shkëputje manifestohet qartë në mënyrën se si partia e trajton historinë e vet, figurat themeluese dhe trashëgiminë politike mbi të cilën u ndërtua. Përvjetorët e themelimit të LDK-së, ku mungojnë ose nuk ftohen figura kyçe të fillimit të kësaj lëvizjeje, janë simptomë e një sëmundjeje më të thellë: frikës nga rrënjët dhe nga krahasimi me standardet morale të së kaluarës.

LDK sot ndodhet në krizën më serioze që nga themelimi i saj. Kuvendi i thirrur për 31 janar 2026, në vend se të shfaqet si moment force, reforme apo vizioni, vjen si pasojë e një rënieje të gjatë dhe të pandalur. Për herë të parë në historinë e saj, LDK nuk po lufton vetëm për pushtet politik, por për vetë arsyen e ekzistencës së saj. Kjo është betejë për identitet.

LDK nuk ishte thjesht një parti politike. Ajo ishte një lëvizje gjithëpopullore, një platformë unifikuese dhe një projekt shtetformues që i dha Kosovës orientim politik, moral dhe ndërkombëtar. Sot, për fat të keq, ajo perceptohet si një strukturë e mbyllur, e fragmentuar dhe e dominuar nga interesa të ngushta personale e klanore.

Humbjet elektorale të njëpasnjëshme nuk janë rastësi dhe as rezultat i rrethanave të jashtme. Ato janë pasojë direkte e largimit nga misioni fillestar dhe nga modeli politik që e bëri LDK-në forcë udhëheqëse të shoqërisë kosovare.

Dr. Ibrahim Rugova nuk ishte vetëm kryetar partie; ai ishte ideolog, simbol dhe busull morale e politike e Kosovës. Ai besonte se politika duhej të ishte në shërbim të qytetarit dhe të shtetit, jo në shërbim të individit. Interesi i Kosovës ishte mbi interesin e partisë, dhe interesi i partisë mbi interesin personal. Ky parim themelor u braktis shumë shpejt pas vdekjes së tij.

Shprehja e Presidentit amerikan Joe Biden e përmbledh me saktësi këtë realitet:
“Rugova i ka ikur LDK-së, por edhe LDK-ja i ka ikur Rugovës dhe Kosovës.”

Kjo nuk është thjesht metaforë; është diagnozë politike. Që nga përplasjet e para të lidershipit pas Rugovës, veçanërisht në periudhën e Nexhat Dacit dhe më pas, LDK ndërtoi një kulturë përjashtuese, ku mendimi ndryshe shihej si rrezik, e jo si vlerë.

Nën udhëheqjen e Dr. Lumir Abdixhikut, kjo prirje jo vetëm që nuk u ndal, por u thellua. Diskursi për “Drejtim të Ri” dhe “Rrugë të Re” u shndërrua në slogane pa përmbajtje reale politike. Zgjedhjet parlamentare treguan qartë se kjo qasje nuk e riktheu besimin qytetar.

Më shqetësuese se humbja ishte mungesa e reflektimit pas humbjes. Në vend të dorëheqjes morale, analizës së thellë dhe reformës së sinqertë, LDK zgjodhi vazhdimësinë e status quo-së. Kjo është një nga gabimet më të rënda që mund të bëjë një parti që pretendon të udhëheqë shtetin.

Një parti nuk dobësohet vetëm kur humb zgjedhje, por kur humb njerëzit më të mirë. LDK vitet e fundit ka dëshmuar paaftësi për të ruajtur dhe zhvilluar kapitalin e saj njerëzor.

Rasti i ish-kryetarit të Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, është shembull tipik i kësaj qasjeje përjashtuese. Vendimmarrja ndëshkuese e qendrës ndaj një dege që veproi në interes të qytetarëve tregon mentalitet hakmarrës dhe jo lidership politik. Bashkëpunimi i Degës së LDK-së në Vushtrri me Lëvizjen Vetëvendosje ishte vendim racional dhe në shërbim të interesit publik, jo akt tradhtie.

Ngjashëm, edhe trajtimi i Faton Bislimit flet për frikë nga konkurrenca e brendshme dhe mungesë vetëbesimi politik. Në vend që të shihej si vlerë dhe alternativë, ai u margjinalizua. Kjo logjikë përjashtuese ka prodhuar konflikte të panevojshme edhe në degë të tjera, si në Gjilan, ku përplasjet publike kanë dëmtuar rëndë imazhin e partisë.

LDK dikur identifikohej me maturinë, dialogun dhe gjuhën shtetformuese. Sot, për fat të keq, një pjesë e lidershipit përdor gjuhë arrogante, përjashtuese dhe shpesh përçmuese ndaj kritikëve. Kjo bie ndesh jo vetëm me traditën rugoviane, por edhe me nevojën reale të Kosovës për dialog politik dhe bashkëpunim.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco