Nga Dren Dushi - 12:53, 19/01/2026
Vetëm me një rinumrim të pjesshëm, një kandidati të PDK-së, Fetah Paçarizi, që duket se ka hyrë në garë “demokratike” me “ushtri” private në QNR, sigurisht të caktuar nga struktura partiake e zonës, u kuptua si mund të bëhesh deputet në këtë parti. Paçarizit, i dalin minus 6000 vota nga rinumrimi i deri-tanishëm, dhe kjo pa dyshim është për studim edhe shkencorë, ndonjë student mund ta marrë për temë diplome me titull;“Fenomeni Paçarizi dhe demokracia”.
Në demokraci populli zgjedhë përfaqësuesit e vet në Kuvend, për të kryer detyra e punë shtetrore, por demokracinë e ka keqkuptuar PDK, dhe kjo shihet qartë në devijimet e votave që janë bërë aty nga të dërguarit e partisë te numrimi i votës.
Se sa imun janë ndaj prokurorisë këta trima që pa pikë hezitimi, vendosin të eliminojnë dikë politikisht, pra ja marrin votat dikujt që ja ka dhënë populli, dhe ja dërgojnë dikujt të cilin e ka përzgjedhur partia, që si duket nuk është e pajtuar me listat e hapura. Të dëmtohet dikush për tri vota, është e papranueshme, të shtohet/dëmtohet dikush për 6000 vota, është suprimim i demokracisë së brendshme partiake.
Nëse PDK ka vendosur ta suprimoj demokracinë e saj të brendshme, çfarë do të thotë kjo për kandidatët e saj për deputetë? Do të thotë se klika që kontrollon “ushtrinë” në QNR(partia), e që i bën presion Prokurorisë për heshtje e mos-aktivizëm, është sovrani elektoral i kësaj partie, dhe jo votuesi i lirë. Por gjithashtu, do të thotë se votuesi i PDK-së, nuk ka përse të lodhet për të zgjedhur kandidatët, mjafton të votoj vetëm partinë, dhe partia pastaj e di kë ta zgjedhë e kë jo deputet.
Bëhet fjalë për shtatë kandidatë për deputetë të PDK-së, të cilëve ju dalin mbi 1000 vota të pa-merituara, dhe me rekordin e Fetahut që kalon 6 mijë. Për “çudi”, me mbi 1000 vota më shumë se që ja ka dhënë sovrani është edhe profesori Enver Hoxhaj, një shembull i keq edhe për botën akademike, por edhe studentët.
Ky skandal i vjedhjes industriale të votave nga mekanizmat partiak, edhe nëpër parti tjera ndonëse në nivele më të ulta, tregon për perspektivën e zymtë të mundësisë për reformim të; sidmos PDK-së dhe LDK-së. Nëse në këto parti hyn një i ri apo e re, i cili ka ambicie politike e motive të mira, ai apo ajo do tëeliminohen nga klikat që kontrollojnë “ushtritë” private në QNR, dhe kjo është problematikë jo vetëm për demokracitë e brendshme në këto parti politike, por edhe për demokracinë e Kosovës, meqë ato do delegojnë deputetë e deputete të cilët kanë dalë nga vjedhja industriale e votave.
Nuk duhet bërë çudi pastaj, përse në Kuvend kemi deputetë të cilët janë të dobët, nuk dinë as lexuar shqip rrjedhshëm, e lere më të njohin çështje më komplekse sociale e politike. Këto kuadro, dëmtojnë jetën parlamentare të Kosovës, pra ulin nivelin e politikë-bërjes, dhe kjo u pa shumë qartë gjatë vitit 2025, ku inatet, interesat perfide, u bënë shkak për bllokimin e jetës institucionale. Çfarë të pritet nga deputetët që kanë vjedhur mandatet?
Me deputetë fallc*, Kosova nuk mund të jetë as demokratike, e as të vazhdoj rrugën e saj për në BE, ky fenomen i tjetërsimit të vullnetit elektoral, duhet marrë fund dhe për këtë duhet të ngrisin zërin të gjithë që nuk janë të përfshirë.
Kosova ka traumat e vjedhjes industriale të votave pas shpalljes së pavarësisë, të cilën kryesisht e diktonin mekanizmat e dhunshëm politik të PDK-së. Raste kur në zgjedhje dilnin më shumë se banorë, nuk ishin të çuditshme, ajo që ishte e çuditshme ishte ngutia e BE-së për t’i legjitimuar këto zgjedhje, duke i klasifikuar si “me disa parregullsi” (2009), meqë ishin në mision për afrimin e Serbisë me perëndimin, dhe duhej të plotësoheshin disa kërkesa të Serbisë në Kosovë, kërkesa të cilat nuk hezitonin t’i plotësonin politikanët e atëhershëm në Kosovë.
Pandëshkueshmëria, garanton vazhdimsinë e këtij fenomeni. Për më tepër që, nëse fenomeni i vjedhjes industirale të votave bëhet edhe duke shpërblyer vjedhacakët me poste deputetësh, e poste tjera, kjo vetëm sa e normalizon me nonshalancë suprimimin e demokracisë.
Rinumrimi është i pa-shmangshëm, nuk mund të jetë i besueshëm, një proces ku nga një rinumrim i pjesshëm dalin kandidatë me mijëra vota të vjedhura. Rinumrimi kthen sado pak besimin në demokraci, dhe sa për fenomenin Paçarizi, kjo duhet të na rikujtoj se kamerat, mund të jenë vetëm bazë për hetim nga prokuroria, teksa parandalimi duke qartë se nuk është në nivelin e duhur, dhe për këtë duhet një tjetër reformë.
© SYRI.net