Nga Hysni Gurra - 18:45, 18/11/2025
Nga Hysni Gurra
Si rrallë herë kam përcjellë me interes gjithë dëshminë e ish-gjeneralit amerikan që udhëhoqi operacionin e NATO-s në Kosovë në procesin kundër Hashim Thaçit me shokë.
Clark-un e mbaj mend në kronikat e mediave, që edhe pse i vogël, s’kemi lënë gjë pa parë gjatë genocidit serb në Kosovë. Në imagjinatën time ai ka mbetur si super heroi së bashku me Javier Solana.
Gjatë dy ditëve të dëshmisë së tij në Hagë kuptova se ai mbetet një burrë të cilit kombi shqiptar nuk ia ka bërë ende të gjitha nderimet për atë çfarë ka bërë për ne.
Për shembull nuk e di nëse ka apo jo në Kosovë një emër rruge apo ndonjë shesh që mban emrin e tij. Në Tiranë ka lloj - Lloj emra halabakësh për rrugë e sheshe por nuk ka një për Wesley Clark.
Një amerikan i pazakontë, të zakonshmit janë njerëz pragmatistë, të pandjeshëm dhe fodullë.
Clark është ndryshe. Ai është njëri nga personalitetet më meritore për vendimin që NATO të ndërhyjë për të shpëtuar shqiptarët e Kosovës nga spastrimi etnik që po kryente Serbia.
Në një dëshmi dyditore në Hagë, Clark i ka bërë UÇK-së një mbrojtje brilante, e ngjashme me udhëheqjen e sulmit ndaj regjimit të Millosheviçit. Ka qenë aq kompetent, aq i qartë, aq i drejtë e i drejtpërdrejtë sa asnjë nga ata funëdrrinat e Gjykatës Speciale nuk morën guximin t’i ndërhyjnë, ta ndërpresin apo ta çojnë ndërmend ta deligjitimojnë.
Ai është një amerikan i pazakontë. Një burrë që kombi shqiptar do duhet ta nderojë shumë më shumë se ç’mund të ketë bërë.
© SYRI.net