Nga Dren Dushi - 11:03, 23/10/2025
Një komunë e vogël në Kosovë, është një mundësi shumë e mirë biznesi, mirëmbajtje partie politike, klientelizmi dhe dominimi shoqërorë, në një nivel të tillë që, familja, përkatësia politike dhe klanore, përcakton benifitet, interesat, pak a shumë në një version neo të sistemit të feudeve.
Të kesh sot një komunë të vogël në Kosovë, që ka të regjistruar 100 mijë banorë, 20% e të ciëve jetojnë në Prishtinë e 20% tjerë në diasporë, do të thotë të marrësh buxhet për 100 mijë banorë e t’u shërbesh vetëm 60 mijëve.
Të kesh një komunë të tillë në kontrollë, do të thotë të kesh në kontrollë edhe ndërtuesit e lagjeve të larta, të cilat ndonëse pa asnjë kriter urbanistik, e që gjasojnë me kampe refugjatësh para se të gjasojnë me lagje të shekullit XX!, janë një burim i madh milionash. Shto kësaj, miliona euro tenderë për punime kryesisht asfalti që skadon nga dimri në dimër, e të investimeve tjera jo cilësore, dhe shto kësaj një strukture punësimi komplet klientelist, nepotik e patronazhist, e bënë komunën një pronë private të grupit që e kontrollon.
Duke qenë se fuqia popullore, apo sovrane, për të bërë ndryshimin po shkon drejtë tkurrjes, meqë disa po duan të jetojnë në diasporë e disa tjerë në Prishtinë, mundësia për rrotacione politike (sidomos në komunat e vogla) nga zgjedhjet lokale në zgjedhje, bie çdo herë, dhe kjo është arsyeja përse, ndonëse me performanca skandaloze, e që Kimete Berisha i quajti mafioze, vazhdojnë të qëndrojnë të njësojtët.
Strategjia është e thjeshtë si shembull; me buxhet për 100 mijë t’i shërbesh vetëm 60 mijëve, nga të cilët në zgjedhje dalin rreth 20 mijë, prej të cilëve të duhen vetëm 10 mijë.
Blerja e 10 mijë votave, nuk është problem për një ndërmarrje mafioze që kontrollon komunën, ndërtimin, lejet, punësimin, tenderët, shpronësimin, kuotat, grantet. Këta 10 mijë banorë, profiterë dinakë që e kanë kuptuar se “ndryshe nuk bën”, shpesh edhe fotografojnë votat, nëse i përkasin një biznesi të madh të lidhur me komunën, dhe ia dëshmojnë kreut të biznesit (financierit të fushatës së Kryetarit), se ata kanë kryer obligimin e tyre “qytetarë”.
Këta 10 mijë banorë, gëzojnë punësimet në Komunë, grantet, apo punësimet në bizneset e favorizuara nga komuna. Po këta 10 mijë banorë, shprehin edhe besimin dhe arrogancën ndaj banorëve tjerë, duke mos ua bërë të ditur konkrretisht se “si shkon puna” dhe duke kumtuar se “edhe këta do bënin njësoj po të ishin në pozitën tonë”.
Banorët tjerë, mallkojnë, shajnë, shprehin depresionin e tyre, papunësinë, vjedhjen e taksave, bllokohen në trafik, jetojnë në mbeturina, nuk kanë tretoarë, ndriçim, kanalizim, dhe në ditën e zgjedhjeve injorojnë dhe bëhen indiferentë ndaj tërë kësaj gjendje, sespe, janë të parafundit në testin e PISA, dhe nuk mund të kuptojnë këtë skemë mashtrimi e hipokrizie që ka krijuar koha dhe një elitë harbute politike.
10 mijë banorët dinakë e profiterë, zgërdhihen me hipokrizi, nuk ju pengojnë problemet e sipër përmendura, sepse marrin një pagë të mirë, kanë bërë një ndërtim ku kanë përfituar ca apartamente dhe tash i lëshojnë për qera, marrin ndonjë tender apo grant dhe janë të kënaqur.
E kur të vijnë zgjedhjet, llozha aktivizohet, biznesmenët selektojnë asambleistë dhe asambleiste (që për nga estetika çdo herë e më shumë po evoluojnë), dhe u ndajnë nga 10-15 mijë euro për të blerë vota, organizuar ndejna, dreka e darka. U thuhet kompanive (që janë të tyret) të shpejtojnë punimet, shtrohet aty këtu ndonjë asfalt, rregullohet ndonjë ndriçim, zbukurohet ndonjë shesh, punësohen disa partiakë që kanë mbetur “të lënë anash”, siç do thoshte për dajën e tij Adem Grabovci dikur, dhe në fund, mobilizimi i këtyre 10 mijë fatlumëve përcakton pushtetin komunal.
Ironizoja me gjobat e KQZ-së ndaj shkeljeve të rregullave dhe ligjeve të fushatës, gjoba rreth 3-5 mijë euro. Kujtoja udhëtimet me Range-roverë që “oborri” i Komunave të Kosovës i bën për në Selanik apo Ohër e Tiranë, disa edhe në Budva e gjetkë, dhe që bëjnë fatura darkash 3-5 mijë euro.
Sigurisht që me këto gjoba qeshin edhe ata, sigurisht që qeshin bashkë me prokurorë, të cilët shohin cilësinë e ndërtimeve, milionat, ndërtimet që kanë ngulfatur edhe atë pak infrastrukturë të trashëguar të qyteteteve të Kosovës, por edhe ata gëzojnë benifitet, disa u gjetën me vila luksi në male, por që shokët tjerë po i shpëtojnë.
Por më të tallurt nga të gjithë, janë ata që dalin të fundit në testin PISA, të cilin fakt një njohës i sigurisë e quajti “rrezik për sigurinë kombëtare”, pra kemi rrezik nacional, e lere më të vjedhjes nëpër komunat e Kosovës, komunat “coza nostra”- që i quajti zonja Berisha.
Pra mundësia që të ketë zgjedhje të mirëfillta nëpër komunat (sidomos të vogla) të Kosovës, do vie duke u afruar me zgjedhjet që bëhen në komunat e Shqipërisë. Ata që kontrollojnë arkat e komunave, fitojnë (blejnë) zgjedhjet, atyre që nuk iu pëlqen kjo, ikin nga Shqipëria, dhe kjo e fundit ua vështirëson/pamundëson votimin, ne po ecim kësaj rruge, “jemi një”- do thoshte një televizion i rexhistruar në Serbi, por që operon në Kosovë dhe krijon opinion publik me ca të financuar mirë nga po kjo skemë.
Këtë lloj “demokracie” që po lind edhe në Kosovë, nuk po e marrim vetëm nga Shqipëria, por edhe nga një pjesë e diplomacisë perëndimore, që secilën herë e më shumë, po kërkon shtete-private, të kontrolluara mirë nga një establishment i pasur e që e sheh shtetin si biznes. Një Kosovë pa popull, por vetëm me klientelë, e kontolluar, stabile, e dëgjueshme, e shantazueshme, bashkëpunuese me Serbinë, shtet tjetër i kontrolluar nga biznesi e mafia, pra një qasje që nuk krijon të ardhme të mirë për rajonin, por a mundet rajoni ndryshe? Nuk po duket se po, të paktën jo tash për tash.
© SYRI.net