Tetori mund të jetë shumë i rrezikshëm për Kosovën!

Tetori mund të jetë shumë i rrezikshëm për Kosovën!

Nga Dren Dushi - 09/09/2025

Ka ndodhur edhe më parë në historinë e shqiptarëve, që ambiciet mediokre për pushtet, inatet primitive prej të cilave akoma nuk jemi çliruar madje edhe si elita, të mos flasim si shoqëri e gjerë, të bëhen probleme nacionale. I tillë është rasti i fundit, ku Srbska Lista, një parti politike komplet e dirigjuar nga Beogradi, me qëllim pengimin, shkatërrimin, minimin e brendshëm të shtetit të Kosovës (siç bënë me sulmin në Bansjka), ta dërgojnë një ankesë në Gjykatë Kushtetuese, e cila menjëherë u përgjigj me masë të përkohshme, duke e bllokuar kështu procesin e formimit të institucioneve edhe për një muaj. Por këtu nuk qëndron tërë problemi, problemi është shumë më i madh, shumë më i rrezikshëm, dhe ky rrezik, i atribuohet edhe partive politike që nuk e votuan një serb pro Kosovës, deputetin Nenad Rashiq. 

PDK, LDK, dhe AAK, nga një errësim i mendjes për pushtet, u bënë palë në faktorizimin e Srbska Listës, dhe si faktor tashmë, kjo e fundit është në qendër të vëmendjes. Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e cila pak javë më parë rishkroi nenin 67.2 të Kushtetutës, duke ia shtuar “. KANDIDATI MUND TË PROPOZOHET VETËM TRE HERË”, njëherësh duke i dhënë të drejtë vetes, pra Gjykatës Kushtetuese, që të ndryshoj nene të Kushtetutës, pra të plotësoj, sipas porosive të atyre që po i dërgojnë këto lëndë. Ky veprim i kësaj Gjykate, duhet të na alarmoj të gjithë, sepse Gjykata më nuk është vetëm interpretuese, por edhe shkruese e Kushtetutës, dhe tash është një rrezik më i madh akoma, sepse kjo gjykatë, mund të shkruaj edhe një nen tjetër në Kushtetutë që nuk ekziston, që ka të bëj me veton e Srsbka Listës, që të bllokoj komplet jetën institucionale, nëse i thotë Beogradi, duke ia humbur kuptimin edhe pavarësisë së Kosovës. 

Askund në Kushtetutë nuk shkruan “kandidati mund të propozohet vetëm tre herë”, për sa i përket procesit të zgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit, por këtë e tha Kushtetuta. Askund në Kushtetutë nuk shkruan se nëse nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Srbska Listës, nuk zgjedhet nënkryetar, Kuvendi nuk mund të konstituohet, dhe rrjedhimisht, nuk mund as të kemi institucione, qeveri e presidencë. Por, me këtë panel kushtetues, me këta gjykatës, Kosova jo vetëm mund të hyj në kriza të brendshme politike nga interpretime skandaloze, por mund të hyj edhe në një rrezik të madh për sa i përket politikës së jashtme, sigurisë dhe të ardhmes tonë si shtet sovran. 

Reagimi i fundit i saj, ku shprehu frikën e saj si gjykatë, e frikë shpreh vetëm një institucion që nuk është duke e kryer punën si duhet e me kompetencë, siç është Gjykata jonë Kushtetuese, forcon akoma më shumë idenë, se kjo Gjykatë, jo vetëm që po do monopolin interpretues, po do edhe të jetë Kuvend që të shkruaj Kushtetutë sa herë porositet, po do edhe të formësoj opinionin publik, duke shkelur të drejtën bazike të shprehjes së lirë të secilit qytetar të Kosovës, por përse jo, edhe të secilit deputet të zgjedhur nga populli. Kjo Gjykatë, e fshehur në parimin e ndarjes së pushteteve, ka minuar pikërisht ndarjen e puteteve, sepse gjatë katër viteve të fundit, ka ecur komplet në linjë me disa parti politike që janë ndëshkuar nga populli i Kosovës.

Ky reagim i kësaj Gjykate që ka dëmtuar tashmë rëndë reputacionin e vet, është ogurzi, sepse tregon se kjo Gjykatë ka në plan të vazhdoj serinë e interpretimeve skandaloze, dhe këtë herë, meqë janë duke rënë këmbanat edhe për sa i përket sigurisë së Kosovës, meqë po krijohet rruga që Srbska Lista (Beogradi dhe Radoiciqi), të armatosen me një veto e cila do ta përcjell Kosovën sa të ekzistoj si shtet. Ky reagim, është i frikshëm, përse dashka të frikësohet Gjykata nga mendimi i lirë i Kosovës, përgjigja është sepse po e shtrembëron Kushtetutën, dhe këtë po e thonë tashmë edhe ekspertë e ish punonjës të saj. Reagoi edhe Presidentja Osmani sot, duke ia bërë të ditur kësaj Gjykate, se ajo ekzison vetëm për interpretim të Kushtetutës, dhe jo më shumë. 

I vetmi që nuk e thotë këtë, është Enver Hasani (dhe kuadrot e tij në Gjykatë), një version tipik i ndërtimit të kuadrove që karakterizuan pronto-Kosovën, të personave me interesa egosh, që e shohin vetën më të rëndësishëm se shoqërinë, që e kanë interesin mediokër të tyre, sedrën dhe komplekset, si derivat të veprimeve, dhe jo profesionalizmin e atdhedashurinë, që janë edhe të pa dijshëm, ani pse shesin mend nga uzurpimi i pozitave që kanë bërë për shumë vite. Nuk ka padituri më të madhe, se të sjellësh punën deri këtu ku e solli ky soj kuadrosh, duke e reduktuar Gjykatën Kushtetuese, në një departament të UNMIK-ut të viteve 2000. 

Denoncimi i kësaj katrahure juridike është tashmë obligim jo vetëm qytetar, por edhe patriotik. Janë falur të gjitha interpretimet e porositura nga kryesitë e partive të përmbysura politike, për hirë të respektimit të institucioneve, të rendit kushtetues, të parimit të ndarjes së pushtetit, por një gjë që nuk mund t’i falet, dhe nuk do t’i falet kurrë, do të jetë nëse kjo Gjykatë, në tetor të këtij viti, i jep të drejtën e vetos një organizate politike të lidhur me krimin në veri, me organizata tjera terroriste, siç është Srbska Lista. 

Srbska Lista nuk mund të ketë veto në Kosovë, këtë veto e kanë pasur serbët në kohën e Millosheviqit, kanë qenë pakicë që sundon shumicën, dhe dihet epilogu. Nuk mund të ketë veto kaq të fortë serbe në Kosovë, kjo na shndërron në autonomi, dhe kjo është rrugë shumë e rrezikshme. Këtë veto nuk ua jep Kushtetuta me çështjen e zgjedhjes së nënkryetarit, është shumë i qartë neni 67.4, “Dy (2) nënkryetarë përfaqësojnë komunitetet që nuk janë shumicë në Kuvend dhe ata zgjidhen me shumicën e votave të të gjithë deputetëve. Njëri nënkryetar do të jetë nga radhët e deputetëve të Kuvendit që mbajnë vendet të rezervuara ose të garantuara të komunitetit Serb, dhe tjetri nënkryetar nga radhët e deputetëve të Kuvendit që mbajnë vende të rezervuara ose të garantuara nga komunitetet tjera që nuk janë shumicë.” Ky nen nuk guxon të ndryshoj nga Gjykata Kushtetuese siç bëri me nenin 67.2, sepse ndryshimi i këtij neni, prek interesat vitale të Kosovës. Nuk guxon asesi që këtij neni, t’i shtohet ndonjë “nuk konsiderohet i konstituar Kuvendi, nëse një nënkryetar për Kuvend nuk zgjidhet nga radhët e Srbska Listës.” Kjo do të ishte fatale për çdo proces formimi të institucioneve të Kosovës. 

E nëse Gjykata na paska adresë vetëm ne që i shprehim këto çështje, do ishte mirë t’i adresonte edhe ata, të cilëve po ju kryen shërbime juridike, qoftë përmes kuadrove të Enver Hasanit që doli në televizionet e opozitës për të krijuar sa më shumë amulli e keqkuptim, qoftë përmes Lumirit të inatosur nga rezultati i zgjedhjeve, e marrë peng politikisht nga ca biznesmenë të njohur të tranzicionit që krijonte monopole e që regjistrojnë bizneset në Serbi. 

Nëse Kosova hyn në tetor me Srsbka Listën të pajisur me veto, ne duhet menjëherë t’i drejtohemi popullit, të denoncojmë tërë këtë proces të turpshëm të luftës për pushtet, që po kalon në një dëm të madh për shtetin e Kosovës, zgjedhjet dhe sovrani janë gjykimi më i lartë.

Nuk mund të pezullohet republika, nga një Gjykatë e pa-përgjegjshme Kushtetuese. Nuk mund të fshihet një makuteri juridike, nga parimi i ndarjes së pushteteve, dhe nuk mund të shkelet e drejta politike e sovranit, kushtetutës dhe stabilitetit të shtetit të Kosovës duke i dhënë të drejtë vetoje një partie politike që i përgjigjet vetëm një shteti tjetër.  

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco