Nga Albionë Zhitia - 20:46, 14/07/2025
Një ushtar i FSK-së dezertoi gjatë trajnimit JRTC në Louisiana në SHBA dhe nuk u kthye më në Kosovë. Por ajo që nuk po thuhet me zë të lartë është fakti se ai nuk ishte i vetmi që “u largua”, pjesa tjetër e historisë është shumë më e thellë dhe më e dhimbshme për vendin.
Në fakt, qëllimi i këtij trajnimi NUK ishte që 152 ushtarët e FSK-së të ktheheshin në Kosovë menjëherë pas përfundimit të tij. Ata ishin të përgatitur të niseshin drejt Sirisë, në një mision të parë të përbashkët ndërkombëtar, siç parashihte marrëveshja e bashkëpunimit mes Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës, Ushtrisë Amerikane (Pentagonit) dhe shtetit të Iowas.
Por ky mision NUK u realizua asnjëherë. Jo për faj të ushtarëve. Jo për faj të partnerëve amerikanë. Por për shkak të deshtimit në konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe për të ratifikuar marrëveshjen. Dhe sot, në vend që të shohim flamurin tonë krahas atij amerikan në një mision paqeje ndërkombëtare, ushtarët tanë janë kthyer në shtëpi në heshtje.
Madje, as kur u nisën për në trajnim një prej më të rëndësishmëve në historinë e FSK-së nuk u përcollën institucionalisht. Asnjë përfaqësues i lartë, as ministër, as komandanti, e asnjë oficer i Ministrisë së Mbrojtjes, nuk u panë atë ditë në Airoportin “Adem Jashari”.
ASKUSH nuk u bë i gjallë.
I vetmi moment që mori pak vëmendje publike ishte kur Presidentja Vjosa Osmani, ndodhej “rastësisht” në Aeroport, duke u kthyer nga vizita e saj në SHBA dhe dikush nga Ambasada Amerikane ia tërhoqi vëmendjen për misionin e ushtarëve. Atëherë u ndal, u fotografua dhe i takoi. Sa për sy e faqe.
Dhe ja ku jemi sot, një marrëveshje që nuk u ratifikua.
Një mision që nuk ndodhi kurrë. Një moment që mund të shkruante histori i shuar përmes inercisë politike.
Prej disa javësh kam kërkuar një përgjigje nga Ambasada Amerikane në Prishtinë për të kuptuar çfarë ndodh tani me këta ushtarë dhe çfarë ndikimi ka kjo në marrëdhëniet mes dy vendeve. Heshtje! E njëjta heshtje edhe nga Ministria e Mbrojtjes, ku pyetjet e dërguara prej më shumë se një muaji mbesin pa përgjigje.
Dhe tani, bëni ju llogaritë: Kush është humbësi në këtë mesele?
Kosova humbi një rast të artë për të treguar veten në arenën ndërkombëtare. Ushtarët tanë humbën mundësinë për të shërbyer në një mision prestigjioz.
Pra, nga njëra anë partneri ynë strategjik, SHBA, që i trajtonte ushtarët tanë me standardet më të larta ushtarake dhe profesionale.
Nga ana tjetër shteti i tyre, Kosova, që s’gjeti kohë as t’i përshëndeste kur u nisën, e as t’i priste kur u kthyen.
© SYRI.net