Nga Albionë Zhitia - 14:09, 08/07/2025
Nga institucioni më i besueshëm dhe më i dashur për qytetarët, Policia e Kosovës po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një strukturë ku qytetarët jo vetëm që nuk ndihen të sigurt, por edhe po maltretohen, denigrohen e në rastet më të rënda, po vriten.
Rasti i fundit, ai i 27-vjeçarit nga Lipjani që humbi jetën pas ndërhyrjes së policisë, është një kambanë e fortë alarmi për gjithë sistemin e sigurisë në vend. Ky rast nuk është i izoluar. Ai është pasojë direkte e një degradimi të vazhdueshëm në profesionalizmin, përgatitjen dhe llogaridhënien brenda këtij institucioni.
Dikur, për t’u bërë pjesë e Policisë së Kosovës kërkoheshin muaj të tërë trajnimi dhe përzgjedhje e kujdesshme. Procesi përfshinte një vit të plotë shkollimi në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri, me kurrikula të ndërtuara sipas standardeve ndërkombëtare dhe me përfshirjen e ekspertëve vendorë e ndërkombëtarë.
Sot? Mjaftojnë 3 muaj trajnim për t’u veshur me uniformën e shtetit. Kjo praktikë e re është bërë normë në emër të “shpejtësisë së rekrutimit” – në vend të cilësisë dhe përgatitjes profesionale. Dhe rezultati është i dhimbshëm: qytetarë të pambrojtur përballë kapadaillëkut të individëve që mendojnë se uniforma u jep të drejtën për të qenë mbi ligjin.
Në gjithë këtë situatë alarmante, Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) mbetet i vetmi mekanizëm që, deri diku, po përpiqet të ndalë abuzimin me pushtetin policor. Imagjinoni sikur të mos ekzistonte IPK – sa raste do të fshiheshin, sa shkelje do të kalonin pa u hetuar, sa viktima do të harronin emrin dhe drejtësinë?
Drejtoria e Hetimeve të Brendshme dhe Disiplinës brenda vetë Policisë është kthyer në një trupë thuajse formale. Jo pse mungon profesionalizmi i individëve, por sepse sistemi dominohet nga nepotizmi, interesat e brendshme dhe “mos prek të mitë”. Kultura e mosndëshkimit ka lëshuar rrënjë.
Nuk ka reformë më urgjente sot se sa ajo në Policinë e Kosovës. Duhet rishikim i plotë i sistemit të rekrutimit dhe trajnimit. Duhet kthim te standardet e dikurshme të përgatitjes, jo për shkak nostalgjie, por për shkak të nevojës për një polici profesionale, humane dhe të përgjegjshme.
Ministria e Punëve të Brendshme, Kuvendi, Qeveria – të gjithë duhet ta kuptojnë se kriza në polici është krizë kombëtare e sigurisë dhe e besimit qytetar. Çdo vonesë në adresimin e kësaj situate, është ftesë për tragjedi të reja.
© SYRI.net