Klani i atit të “shenjtë”- Media shqiptare e regjistruar në Serbi

Klani i atit të “shenjtë”- Media shqiptare e regjistruar në Serbi

Nga Dren Dushi - 07/07/2025

Ati i “shenjtë” i disa partive politike të Kosovës ka shumë para. I ka bërë ato me monopole të rregulluara nga po partitë që i financonte e financon. Ka qenë imun ndaj ligjit, dhe është akoma, meqë ligjin e kanë në dorë ende strukturat e tij.

Partitë e biznesit shkojnë te ati i shenjtë për të marrë para për fushatë, për të dalë në studiot e tij televizive, por edhe për punë të tjera financiare. Ka edhe grupe të vogla interesi, që dikur ishin pjesë e ndonjë partie tjetër politike, të cilën ati i shenjtë mendoi se do ta marrë nga brenda, duke selektuar lakmuesit më të mëdhenj të saj. Ati dështoi në këtë projekt, dhe tani, agjentët janë tërhequr në studio televizive që financohen nga po ai.

Kështu fillon një skenë sa komike, aq tragjike në një studio televizive të Kosovës, jo domosdo e regjistruar në Kosovë – mbase në Serbi. Një gazetar/moderator që mendon se është më i bukuri gazetar nga të gjithë, me një fytyrë që kombinon sarkazmën dhe ironinë, jo si teori, por si pamje, i pasur gjithsesi. Ati i shenjtë vjen nga po i njëjti rajon, dhe në mendësinë tribale të Kosovës, rajonalizmi është shumë i theksuar: “dreqi im, më i mirë se…”.

Kështu, i punësuar nga ati, e transferuar nga një tjetër televizion, ai hap “debatin” dhe “analizën” politike të korit gazmor – kryesisht viktima të liderit që ata e urrejnë. Natyrisht, meqë janë viktima të tij.

Ati i “shenjtë” është po ashtu viktimë, sepse nuk mund të kurdisë më tregjet, nuk mund të kurdisë tenderët, apo të bëjë që gjithë shqiptarët të kontrollojnë veturën te ai. Talenti i atit në biznes është venitur. Ati nuk e pranon këtë gjë. Ai mendon se është talent në biznes. Nuk do ta pranojë faktin se ka qenë thjesht një profiter i shtet-kapjes, të cilës i shërben kori gazmor i studios së tij.

Meqë kjo e lëndon në sedër, ai ka vendosur të hedhë shumë para për të marrë hak – edhe në televizione, portale, parti, faqe të kota të rrjeteve sociale, radio e shumë çka tjetër.

Kori gazmor ka në përbërje edhe gra, që dikur shanin e fëlliqnin nëpër mesazhe telefonike, duke e quajtur jashtëqitje liderin të cilin nuk kishin mundur ta rrëzonin nga brenda, me grupin e selektuar nga ati i shenjtë. Por ati nuk i harron punëtorët e vet, që po pakësohen – sidomos ata politik – dhe tash i ka në studion e tij politike për të dhënë analiza urrejtëse, mediokre për shumëkënd. Por ati s’e di këtë, meqë ka punuar gjatë me mediokritet.

Gjendja në studio është qesharake për ata që nuk i përkasin llojit të tyre. Dikush i quan pronto-lloji, dikush elitë e tranzicionit, dikush hajdutë, e dikush hajvanë. Ajo që dihet është se këta kanë dy dekada që e sundojnë Kosovën – në nivel lokal dy dekada e gjysmë. Vetëm në qeverisje qendrore (pa administratë, meqë aty kanë fuqi të madhe të strukturave të tyre shtet-kapëse) ata nuk kanë dorë tash për tash, dhe po e shohin mundësinë të bëjnë kthimin e tyre.

Lideri i urryer në këtë studio të korit gazmor shpallet fajtor për çdo gjë – edhe për veriun – por më së shumti shpallet fajtor për 48 deputetët e fituar dhe një tjetër të marrë nga Lista Serbe. Pastaj shpallet fajtor edhe populli i Kosovës që nuk po bën siç thonë instruksionet e atit të shenjtë dhe të tyre, që nuk po i dëgjojnë këta gjenialë të studios së tij, teksa i japin formë mendimit politik kosovar, gjeopolitik, filozofik, e besa edhe psikanalizë.

Lideri i urryer qëllon të jetë i tillë që nuk bën kompromise me ca ide të tij. Një nga to është ajo që e shprehu në intervistën e fundit, ku kundërshtoi që Kosova të bëhet – siç tha ai – “Devollistan”. Epo, kjo e bën liderin që edhe të denoncojë mediat e atyre që e duan shumë Kosovën “Devollistan”, dhe këto media nuk mund ta intervistojnë atë, e as njerëzit e afërt të tij.

Kështu, lideri i lë këto media (për aq sa mund të quhen të tilla) që të shprehin përmes korit gazmor, plot katër vjet, ato që kanë për të shprehur. Dhe pas katër vitesh, ndonëse me pandemi, luftë në Ukrainë që çregulloi edhe ekonomi të forta, lideri nuk është dobësuar mjaft që kori gazmor të qetësohet.

Kështu, kori gazmor e sheh të udhës që të propozojë edhe diçka tjetër. Tash që opozita nuk po pranon rezultatin zgjedhor dhe po bllokon institucionet duke refuzuar edhe bashkëpunimin edhe mandatet (meqë nuk po e ushtron me votë), të dilet në protestë dhe të rrëzohet lideri i urryer me mjete të tjera, meqë me votë e procedurë nuk po rrëzohet.

Ishte pikërisht një viktimë e liderit, pjesëtar i ekipës lakmuese që donte t’ia merrte partinë një gruaje tashmë të ndjerë, që nget veturë të re (natyrisht jo në emër të tij), që dha këtë ide. Donte të thoshte: kam llogari të pakryera me këtë lider. Aty do duhej të ishte dikush tjetër – një ish-lider që ishte çdo gjë, vetëm jo lider – i cili po ashtu punon për atin e shenjtë. V. i ngratë, që nuk kuptoi kurrë limitet e tij.

Por kori gazmor ka pak ndikim. Natyrisht, strukturat nepotike të partive që financon ati janë të vjetra e konsoliduara, dhe kori mund të mendojë se po bën punë të mirë. Por çfarë po bën ky kor?

Kisha kohë që nuk kam përcjellë të ashtuquajturat “analiza” e “debate” politike të studiove televizive, që tash mund të përcillen vetëm nga gjeneratat e vjetra e pensionerë që nuk kanë çfarë bëjnë tjetër. Por qëlloi të interesohem deri ku kanë shkuar. Ishte qesharake për mua, por edhe e mërzitshme, meqë mungonte logjika dhe dominonin apetitet mediokre.

Andaj, nuk mund ta quaja ndryshe këtë përbërje – ish viktima politike që kanë humbur debatin publik, arsyen, moralin dhe dinjitetin – meqë kanë lakmuar shumë kamjen dhe jahtet e atit të tyre të shenjtë. Sidomos kur ati u ka lënë mundësinë ta shijojnë pak luksin: dashnoret, kokainën, veturat e reja (në emër të tjerëve), apartamentet në bregdet e mal, dhe shkollimin e fëmijëve të tyre në AUK-un e showbizit intelektual.

Ata kishin problem tashmë të gjenin edhe fjalë për të dëmtuar, mallkuar, fajësuar liderin e urryer të studios së atit të tyre të shenjtë. Andaj, belbëzonin, skuqeshin, nuk qëndronin qetë në ulëse – si duket nuk ju bënin punë as stimulantët – teksa mundohej t’ju ndihmonte moderatori që mendon se është gazetari më i bukur në Kosovë, me ndonjë ide e fjalë plotësuese dhe duke ndjerë kënaqësinë në heshtje (por që e tradhton përherë dukja) e një triumfi që thotë: “shih sa i mençur që jam.”

Nuk kam aftësinë letrare të përshkruaj këtë kor gazmor, sado që mundohem. Të gjithë mezi prisnin të merrnin fjalën, e kur e merrnin, shfaqnin lodhje – meqë kishin përsëritur për katër vite të njëjtat gjëra pa ndonjë sukses. Lideri i urryer është sërish i pari dhe pa të nuk mund të bëhet gjë në Kosovë.

Kjo i tmerron. Ata mendojnë e mendojnë, si t’ia bëjnë, por mbi të gjitha janë nervozë e të dëshpëruar: si ka mundësi që gjithë ajo dije* e tyre nuk ka arritur ta rrëzojë liderin e urryer?

Duhet protestuar.

Lideri ju bën thirrje të hyjnë në garë zgjedhore. Ata nuk i përgjigjen kësaj thirrjeje. Në garë kanë qenë – andaj janë reduktuar tash në studio të atit të tyre të shenjtë. Në studio tërhiqen zakonisht piunët që dështojnë të bëhen deputetë. Lideri (lexo: i urryer i studios) nuk i përmend, nuk ju përgjigjet, nuk ju shkon në studio – pra thjesht nuk i llogaritë se ekzistojnë. E kjo dhemb.

Kori ka pak audiencë. Përkundër gjithë parave të investuara nga ati, dhe audienca, kur të bie akoma më shumë, ati mund të ndalë financimin – për t’i kthyer në shefa portalesh anonimë, apo të ikë krejtësisht në Mal të Zi, te jahti dhjetëra metërsh, fituar nga populli më i varfër i Evropës.

Sa tmerr. Jo për popullin, sa për korin!

Është pikërisht ky tmerr – i të qenit i pa ndikim e pa rëndësi, teksa mendon se meriton të kesh shumë rëndësi e shumë ndikim – që e bënte studion e atit të dukej donkishoteske.

Nuk mund ta quaja ndryshe përveç: një kor gazmor


*Sqarim: Ky shkrim paraqet pikëpamjet personale të autorit dhe nuk reflekton domosdoshmërisht qëndrimet e redaksisë së Syri.net Kosova.
 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco