Nga Dren Dushi - 11:38, 25/03/2025
Filloi ta mendoi vetën të fortë e plakun Rama në proces dobësimi, “jam pasardhësi”-mendoi. Në qarkun mafioz e të spiunazhit në Tiranë, të llukseve barbare që zakonisht bëjnë politikanët neo-komunist që dalin në një sistem kapitalist të modelit plaçkitës, Lali mendoi se po bëhet pasardhësi i kësaj perandorie që edhe Enver Hoxha do ta kishte problem ta arrinte në këto rrethana, pra në rrethanat e shekullit XXI.
Por kjo është e arritshme në Shqipëri, duket se mendësia enveriste, në verzionin neo, instalohet lehtë në Shqipëri. Lali mund të jetë Shehu, apo mbase Balluku, s’ka rëndësi fort krahasimi, por Lali dha sinjale se është i “fortë”, e në këto shoqëri e sisteme, i fortë është vetëm xhaxhai, lideri lëvizës i parë i pa lëvizshëm, ai që, nëse dikush lazdrohet si Lali, i zhotë SPAK ut “hiqe nga priza”, dikur i thoshte sigurimit. SPAK ka mbështetjen e fuqive të mëdha, këtë herë kapitaliste. Sigurimi kishte po mbështetje të fuqive të mëdha, Kinës e Rusisë, komuniste. Ajo që është njësoj, është autokracia brenda Shqipërisë.
Kështu jep shembullin lideri, se ç’farë ndodhë me të gjithë ata që mendojnë se janë bërë të fortë, siç mendoi Lali. Por edhe jep sinjalun se, fuqia është e koncentruar te lideri, dhe vetëm te lideri, sepse të tjerët janë vetëm mjete pune të liderit, dhe mjetet nuk bëhen kurrë vendimmarrja, por vetëm zbatimi. Lali mund të ketë menduar se edhe si mjet, dikur bëhet lider, sa gabim. Ramizi nuk u bë kurrë lider, sepse ishte mjet.
Lideri ka lidhjet, informacionet e servilëve të mendësisë neo, ka mbështetjen edhe ndërkombëtare, sepse lideri e di që fuqia e tij mbaron jashtë kufirit administrativ të Shqipërisë, siç mbaron fuqia e peshkut pirana jasht ujit. Lideri pyet fqinjët për çështje të tregtisë, sigurisë, diplomacisë. Lideri e quan “tokë të askujt” tokën e Isa Boletinit, por tërë këto kalojnë si të pa rëndësishme, për sistemin neo që sheh vetëm brenda.
Lideri e di këtë, e njeh, ai e di mendësinë, sepse babai i ka punuar në sistem, ai i ka treguar edhe si teori e praktikë, mbase edhe gjenetikisht mendon lideri, se “populli shqiptar qeveriset vetëm duke e nënshtruar, frikësuar, varfëruar e blerë”. Kështu qeverisen popujt e robëruar, ata që s’pranojnë robërinë kanë ikur, ata që mbeten përshtaten, dhe në luftën lider-lal, ata rreshtohen me liderin.
Sepse kështu rreshtohej paria me liderin edhe dekada më parë, “se nuk e dinim neve kush ishte Balluku, një m…”. Edhe për lalin kjo vlen, mendoni se kanë mdryshuar shumë gjërat vetëm se sot ka internet? Po a nuk ua ndaloi një aplikacion që tani? Epo!
Lali tashmë nuk është në prizë, kush ka rradhën? Dikush nga opozita? Por opozita i duhet pak liderit në këto kohë, sepse është BE, raportet e progresit që do të shkruhen nga dikush, apo dikush që merr 250 mijë?
Lideri nuk merret shumë gjatë me Lalin, sepse atij ja tregoi vendin, tani gjen kohë për ta relaksuar publikun me Lulin.
Luli është i preferuari i liderit për “lider” të opozitës. Me Lulin, lideri luan me humor, do t’i thotë popullit se ska alternativë, meqë Luli është vetëm diçka qesharake për të. Edhe Luli e di këtë, por mjaftohet me amnistinë e fituar.
Shtetet autoritare po marrin hov duke përdorur defektet e demokracisë, injorancën publike që po shtohet, dhe një kapitalizëm të korrupsionit kombinuar me një oligarki.
Hungaria, Dodiku, Serbia janë një verzion, teksa Italia një tjetër, Shqipëria dallon pak, është socialiste dhe ka çfarë të shes, meqë rrethohet me treva shqiptare bën lëshime në emër të “stabilitetit” që e blen amnistinë evropiane për shtet-kapje deri në arritjen e sistemit autoritarist, apo mbase e ka arritur por evropianët nuk ma e thonë, kanë edhe ata ca llogari.
E Lali, se ku gaboi? Mbase do duhej të mos vazhdonte kaq gjatë me Tiranën, meqë Tirana është peshë e rëndë, aty edhe 18 vjeçarët ngasin vetura v12.
© SYRI.net