Nga Dren Dushi - 12:51, 11/03/2025
Më datën 9 dhjetor të vitit 2006, pas vdekjes së Presidentit Historik Ibrahim Rugova, ndodhi një ngjarje e cila përcaktoi skenën politike kosovare për një periudhë të gjatë, bëhet fjalë për “kuvendin e karrigeve” të LDK-së, një ngjarje që tregoi se LDK nuk kishte kulturë politike të nivelit të ish liderit të saj. Aty u hodhën karrige në ajër e në kokat e anëtarëve, aty u sha e fye, u rrahën, dhe në fund u ndanë në dy pjesë, ndarje kjo e cila shënon momentin e hapjes së rrugës për ardhjen në krye të Kosovës, të organizatës para-politike të quajtur SHIK, me emrin partiak politik PDK.
Ardhja në krye të Kosovës të kësaj organizate, për ata që e kanë përcjellë politikën pa qenë pjesë e interesave të saj, pra për ata që kanë një dozë pavarësie të mendimit e objektivitet të qëndrimit, paraqet hyrjen në një epokë politike për Kosovën e karakterizuar nga disa fenomene, që në teoritë për shtet-ndërtim, apo teori të caktuara politike quhet shtet-kapje, teksa në zhargonin tonë popullor quhet “pronto”.
Afera pronto vizatoi për gjithë popullin e Kosovës, atë që i kishte ndodhur, meqë shumë njerëz natyrisht që e dinin gjendjen edhe pa publikimin e kësaj afere. Mund të them me përgjegjësi, meqë e kam jetuar e përcjellë këtë “epokë”, se afera pronto dekonspiron vetëm një të njëmijtën e asaj çfarë i ndodhte Kosovës gjatë kësaj periudhe. Në një makro shpjegim, kjo periudhë mund të quhet si një periudhë mesjete, meqë në teori racionale, koncepti mesjetë tregon për një periudhë të errët të vlerave sociale, ku njerëzit fillojnë të mendojnë se vjedhja, është diçka normale. Vjedhja apo plaçka, bëhej në emër të luftës, për t’i dhënë akoma më shumë goditje vlerave të kësaj shoqërie. Vjedhja ishte piramidale, të mëdhenjtë vidhnin edhe dhomën e dëshmive, teksa të vegjlit vidhnin ndonjë vend pune duke shitur votën te ata që kishin vjedhur edhe dhomën e dëshmive.
Një gjendje e tillë nuk mund të kalonte pa skandale meqë jetojmë në kohën e informacionit. Kreu i privatizimit të Kosovës, Dino Asanaj, do vetmasakrohej me thikë, teka prokuroria e Kosovës do sigurohej që kjo çështje të mbyllej sa më shpejtë e pa bujë. Kosova do shndërrohej në një vend edhe të frikës, meqë në arkivat e emrave të zhdukur e të vrarë, edhe të politikës e publikës, numri kishte arritur në tre shifra. RTK qe bërë një kompani propagande bashkë me shumë media private që do merrnin financimin nga shtet-kapja e bizneset e kurdisura të politikanëve. Arsimi kishte kolapsuar nga banditë që donin të bëheshin akademikë e që jepnin mësim për pronto-kuadrot të futura në fakultete si turma partiake. Shëndetësia shihej si kompani farmaceutike për pasurim, ushtria si e pa nevojshme, policia si klientelë votuesish dhe mjet për rrahjen e protestuesve të të rinjve të LVV-së, dhe në fund diplomacia, që më shumë se art i të negociuarit për interesa shtetërore, shihej si mjet për blerjen e amnistisë për kriminalitetin e instaluar, disa shkuan deri aty sa që e futën në tregti edhe territorin.
Kjo ishte gjendja; të cilës i hapi rrugë LDK në vitin 2006, por nuk ishte problemi vetëm që i hapi rrugë, problemi i vërtetë qe se LDK u bë pjesë integrale e kësaj rruge, por me një hipokrizi dhe me një taktikë mashtruese për popullin e Kosovës, e cila do t’i zgjaste deri në vitin 2021.
Në vitin 2021, mashtrimit të LDK-së se është oponencë e kësaj gjendje i erdhi fundi, ky fund qe i mundur nga disa faktorë, ku pa dyshim, nuk do mungonte faktori Grenell.
Richard Grenell ishte njëfarë protagonisti politik, dhe ndikues në Kosovë, gjatë kohës së Qeverisë Kurti 1, duke bërë deklarata e duke takuar shumë politikanë të gjendjes së shpjeguar sipër, meqë sipas tij, kështu duhej të arrihej një marrëveshje me Serbinë. Qeveria Kurti 1 do rrëzohej nga LDK në kohë pandemie edhe e motivuar nga deklarata të Grenell, me idenë e “pro-amerikanizmit”, unë besoj që ato zgjedhje në kohë pandemie, mund të kenë vrarë qytetarë të Kosovës, për të cilët ne nuk kemi evidencë shkencore, meqë vdekjet nga pandemia i atribuoheshin pandemisë. Për LDK-në nuk kishte rëndësi kjo, nuk kishte rëndësi sepse ata, ishin adoptuar tashmë për një kohë shumë të gjatë me PDK-në e SHIK-ut, dhe e kishin shumë të vështirë të ndaheshin nga ta, ngase kishin shumë të përbashkëta, përfshi biznese e borde që i ndanin 50/50.
Në këtë gjendje, nuk kishte më asnjë arsye që disa politikanë racional brenda LDK-së, që do të formonin Listën GUXO, të vazhdonin të qëndronin pjesë e kësaj tallavaje politike të LDK-së.
Unë isha e jam pjesë e kësaj ideje, ideja për krijimin e një force të re politike në vend, që nuk mbante më shpresë te LDK, sepse isha i bindur dhe akoma jam sot, se LDK është tashmë organizatë e korruptuar në ide, parime, veprime dhe vlera, dhe se ky korruptim është i pa shërueshëm për të, meqë numri i atyre që janë korruptuar, është shumë më i madh se i atyre që deshën të qëndronin në parime, e që besa edhe ikën nga aty për të mbrojtur dinjitetin e tyre.
Lista GUXO është deklasimi i kësaj LDK-je në vitin 2021. Rrjedhimisht, dhe duke ndjekur parimin e shkak/pasojës logjike, është deklasimi i partnerit të PDK/SHIK-ut, dhe madje; është edhe cënim i interesave të AAK-së e cila gjendej në mes të PDK-së e LDK-së sipas interesit e mundësive oportuniste, e mbetur tashmë me 5 deputetë, fakton këtë shpjegim.
GUXO, është faktori i fundit përcaktues për përmbysjen e një epoke politike që nisi në vitin 2006, e një mashtrimi serik të gjatë të LDK-së, se është për ndryshimin e Kosovës, ajo ishte vetëm për adoptimin e PDK/SHIK-ut, dhe oportunizmit për të marrë pjesë në gjendjen e krijuar.
Këto rrjedha e ngjarje, sqarojnë dhe shpjegojnë fushatën e egër kundër Partisë GUXO. Nëpër mediat e së vjetrës, Partia GUXO shpallet “inekzistente” (ani pse dy liderët e saj kanë bashkë mbi 230 mijë vota), dhe shpallet shpesh, duke harruar se kështu bëjnë promovimin e saj.
Kryetarja e Partisë GUXO, Donika Gërvalla, e them me përgjegjësi publike, gjatë katër viteve të fundit, ka qenë cak i një fushate të egër e halabake, për ta sulmuar, denigruar, deri në atë nivel që është ndikuar e emocionuar edhe familja e saj, një familje që më së paku do ta meritonte një gjë të tillë. Familja Gërvalla, është një nga familjet që kanë lënë gjurmë të pa shlyera në historinë politike të Kosovës së shekullit XX, është e atij niveli të rëndësisë, saqë vrasja e pjesëtarëve të tyre, do angazhonte metodat më të sofistikuara kriminale të shërbimeve sekrete Jugosllave. Është familje që ka jetuar përherë në ankthin e rrezikut të përndjekjes së këtyre shërbimeve, dhe është një familje që ka pësuar nga këto shërbime. Për hipokrizi e gërdi të Kosovës së viteve 2021-25, është familje që akoma nuk lihet e qetë, meqë një antare e saj ka vendosur të jetë pjesë e disbalancimit të “epokës së vjetër” politike në Kosovë.
Ani pse ishte Ministre e Punëve të Jashtme të Kosovës në periudhën më të ndjeshme, Donika Gërvalla nuk u la e qetë pothuajse as një javë në punën e saj. Dikush kishte interesa ta dobësonte edhe pozicionin diplomatik të Kosovës, e kush më shumë se ata që dikur çonin ekipe vrasësish profesionistë për të vrarë Jusuf e Bardhosh Gërvallën dhe Kadri Zekën. Por ajo sot, në cilësinë edhe të Kryetarës së GUXO, ka marrë mbi 100 mijë vota, dhe nëse dikush do ta kuptoj tërë fushatën katër vjeçare kundër saj, me këto 100 mijë vota, duhet ta kuptoj qartë motivin.
Për më tepër, bashkëkryetari i GUXO, Faton Peci, Ministri që për herë të parë e ktheu Bujqësinë e Kosovës në sektor serioz e që do hedhë bazën për një punësim, zhvillim ekonomik e pavarësi në sigurim të ushqimit akoma më shumë në të ardhmen, ka mbi 130 mijë vota përkundër skuqjeve e mallkimeve nëpër studiot televizive të eksponentëve pijanecë të së vjetrës që desh e kryqëzuan suksesin e tij, të pa pranueshëm për ta.
Me dy liderë që kanë mbështetje qytetare në këtë nivel, dhe me gjashtë deputetë tashmë të konfirmuar, Partia GUXO do jetë pikërisht mundësia për mirëmbajtjen e ndryshimit në Kosovë që ka filluar në vitin 2021. Por jo vetëm, Partia GUXO këtë katër vjeçar, ka mundësinë për zhvillim, strukturim e profilizim akoma më të mirë, për të aspiruar zëvendësimin e LDK-së si parti e djathtë në vend. Kjo është edhe arsyeja, përse kjo Parti Politike është e pa dëshiruar e në cak sulmi për tërë spektrin e vjetër politik në Kosovë. Partia GUXO prishë bilancin e të vjetrës, mirëmbanë të renë, dhe ka të ardhme të volitshme, për “epokën” e vjetër kjo është e pa pranueshme, andaj fushata do të vazhdoj sikurse edhe zhvillimi i këtij projekti politik.
Sa për LDK-në, paaftësia e saj për të reflektuar e ndryshuar, arroganca e lakmia çoroditëse për pushtet, lufta e saj me demorkacinë, që u pa edhe nga procesi zgjedhorë i votave me postë, mund të jetë vetëm një eksportuese e elektoratit për Partinë GUXO në të ardhmen, meqë ka shumë arsye në Kosovë përse duhet bërë bilancin final me parti politike si LDK.
© SYRI.net