Kulmi që bie në Novi Sad dhe kulmi që bie në Prishtinë

Kulmi që bie në Novi Sad dhe kulmi që bie në Prishtinë

Nga Dren Dushi - 28/01/2025

Politikat e BE-së për Ballkanin Perëndimor nuk kanë qenë të orientuara te parimi i stabilitetit vetëm pas invasionit rus në Ukrainë, por datojnë shumë vite më parë. Këto politika krijuan hapësirë që grupe të vogla në Beograd, Prishtinë, Tiranë, Shkup, Sarajevë e Podgoricë, të kuptojnë se ata mund të përdorin mjete jo demokratike për të qëndruar në pushtet, jo-demokratike deri në atë nivel që këto shtete, do karakterizoheshin nga një korrupsion e kriminalitet i nivelit të tillë që do garantonte de-popullimin gradual të tyre.

Stabiliteti i bazuar në shantazh permanent ndaj lidershipit të Ballkanit Perëndimor, mund t’i ketë dhënë BE-së një pushtet për të ndikuar në disa çështje makro, dhe të sigurisë ushtarake, por pa dyshim që ka krijuar këto përfitime vetëm në terma afat-shkurtër, dhe sot rajoni i Ballkanit Perëndimor nuk mund të quhet një rajon i suksesshëm, marrë parasysh investimet që janë bërë në të, dhe marrë parasysh që luftërat kanë përfunduar një çerek shekulli më parë. 

Sulmi në Banjska qe një nga pasojat e këtyre politikave, i cili përfundoj pa sukses për Serbinë, vetëm për shkak se në Kosovë nuk pati një qeveri të krijuar nga partitë të cilat kanë përqafuar stabilitetokracinë e korrupsionit, gjatë të cilës kohë Kosova de-facto kishte hequr dorë nga sovraniteti në një pjesë të territorit të saj. Ky sulm paramilitar që edhe fëmijët e shkollave të mesme e dinë ku ka adresën, financimin, trajnimin e armatosjen, ka përfunduar si një ngjarje e harruar dhe pa rëndësishme, meqë BE ka forcuar akoma më shumë idenë për stabilitetokracinë e korrupsionit që dominon në Ballkanin Perëndimor.

Ky korrupsion, u bë arsyeja përse në Novi Sad, do binte një çati stacioni treni, dhe do të vriste pesëmbëdhjetë civilë, meqë punimet do bëheshin nga kompani të lidhura me administratën e Presidentit Vucic, një nga administratat më të korruptuara në Evropë. Si pasojë, nga nëntori i vitit të kaluar, Serbia ndodhet në protesta masive, bllokada rrugësh, dhe si pasojë e këtyre dha dorëheqje edhe Kryeministri i Serbisë Miloc Vucevic.

Për ironi të fatit, e për fat të mirë që pati një e re që po kalonte pranë objektit që Komuna e Prishtinës e kishte renovuar e investuar në kulm të saj, ku punimet ishin bërë shkel e shko, meqë korrupsioni lejohet në Ballkan në emër të stabilitokracisë, një tjetër kulm i Ballkanit do fluturonte e binte në tokë. Po të kishte pasur më shumë persona aty, do kishim edhe ne viktima si në rastin e Novi Sadit, por ishim me fat, dhe zonjusha përfundoi me lëndime të lehta trupore. Komuna e Prishtinës, qeveriset nga partitë që kanë përqafuar stabilitetorkacinë e korrupsionit të toleruar nga BE në Ballkanin Perëndimor.

Rasti në Serbi është komplet ndryshe. shërbimet sekrete të shtetit totalitar komunist, janë trashëguar te partia në pushtet, që kontrollohet nga ish Ministri i Informacionit të Slobodan Milosevic, tashmë President i Serbisë, Aleksandar Vucic. Ekonomia e Serbisë ka rënë në duar të pak njerëzve që kontrollojnë median, ushtrinë, shërbimet, bankat, investimet kryesore kapitale që çdo herë e më shumë dominohen nga Kina dhe vende tjera autoritare apo gjysmë-autoritare. Shteti Serb ka krijuar një ekonomi çdo herë e më të centralizuar, ani pse nën ombrellën e tregut të lirë dhe marrëveshjeve të nënshkruara me BE-në. Kjo e fundit, e ndodhur nën terrorin e frikës që ka shkaktuar Presidenti Putin me invasionin në Ukrainë, ka rritur tolerancën ndaj tkurrjes së demokracisë në Serbi 2 vitet e fundit, e ku marrëveshjet për energji, tregti, vetëm sa janë bërë më joshëse për Serbinë, ani pse pa shkëputur asnjë plan strategjik që ka me botën lindore.

Shteti Serb do tolerohej edhe kur sulmoi në Banjska, edhe kur lëndoi KFOR-in, edhe kur sabotoi Marrëveshjen e Ohrit, meqë këtë tolerancë e kishte promovuar edhe Administrata e Presidentit Biden, me Ambasadorin Hill në Beograd, puna diplomatike e të cilit, këto dy vitet e fundit, e ka dëmtuar në reputacion si diplomat i një diplomacie që dikur do ndiqte disa parime perëndimore të demokracisë, puna e të cilit pra ka qenë aspak e lehtë besoj edhe për te, meqë as vetë ai nuk besoj t’i ketë besuar shumë gjëra që i ka thënë kohëve të fundit, përfshi edhe fajësimin e Kosovës në këto që po ndodhin në raport me Serbinë.

Tash që Serbia ka hyrë në një etapë ku populli i saj do të bëj disa llogari të reja, do të auditoj nëse po jeton apo jo në demokraci, do të shoh nëse është apo jo i lirë, i sigurt edhe kur të shpreh mendimin ndryshe, dhe të mos jetoj në frikën se gjatë pritjes në stacion për tren, t’i bie kulmi e ta vras, i tërë investimi për stabilitetokracinë, tolerancën për kartelet e drogës, prostitucionit, krimit të organizuar, vrasjen e kundërshtarëve politik, krijimin e oligopoleve, tkurrjen e popullsisë, mund të shkoj dëm, dhe mirë që shkon.

Pa një Serbi demokratike, qëllim të cilin e ka braktirus BE e Ambasadori Hill, nuk mund të ketë stabilitet afatgjatë në Ballkan, meqë Serbia do vazhdoj të ndikoj në të paktën katër shtete që ka në kufi (për të keq), dhe për aq sa kjo të ndodhë, Ballkani Perëndimor nuk mund të bëhet pjesë e BE-së, po vetëm një hapësirë që prodhon tensione, emigrantë, korrupsion dhe ecje prapa, që siç e dinë ata që interesohen për këto gjëra, është duke i prodhuar.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco