Lufta politike me mërgatën

Lufta politike me mërgatën

Nga Dren Dushi - 09/01/2025

1. Përse u larguan nga vendi?

Gjatë viteve 90’, bazuar në planin e Akademisë së Shkencave të Serbisë, më specifikisht në idetë e Vaso Cubrilovic që datojnë edhe para Luftës së Dytë Botërore, shteti serb përdori edhe një tjetër kartë për njëfarë “zgjedhje para finale”, meqë “zgjedhja finale” ishin masakrat dhe vrasjet në fund të shekullit XX, për të larguar shqiptarët nga Kosova, bëhet fjalë për largimin gradual, e më pas masiv nga puna.  Një nga llogaritë e bëra gabim, meqë shteti serb po ecte drejt një falimentimi ekonomik, sepse vitet 90’ ishin vite izolimi e sanksionesh për ta, për shkak të atyre që ata bënin në Kroaci, Slloveni, Bosnje, e më vonë edhe te ne në Kosovë. Kështu, largimet krijuan një mërgatë të një tjetër gjenerate, pas asaj të viteve apo dekadave paraprake. Kjo mërgatë, pra kjo e viteve 90’, ishte shumë më ndryshe nga ato të më hershmet, dhe kishte disa arsye për këtë.

Së pari, kjo gjeneratë e mërgatës, kishte parë më shumë se ato parapraket, si në aspektin social, ashtu edhe politik e arsimor/profesional. Ata tashmë shkonin në perëndim, edhe si profesionistë, edhe si aktivistë politkë për të drejta të njeriut para se të gjithash, meqë në Kosovë kishim shkelje masive të tyre. 

Si pasojë, kjo gjeneratë brenda pak vitesh krijoi një fuqi e stabilitet ekonomik, të cilin nuk e mbajti vetëm për vete në perëndim, por e ndau me Kosovën, meqë Kosova për ta ishte familja, shtëpia, kujtimet, kultura, gjuha, pra ishte një pjesë e kombit të tyre.
Nuk kanë qenë skena të jashtëzakonshme në Prishtinën e viteve 90’, që një punëtor serb që kishte uzurpuar vendin e punës të një shqiptari, të ketë pasur Yugo, teksa një shqiptar i larguar nga puna të ketë ngasur Mercedes, meqë e kishte marrë dhuratë nga një familjar i suksesshëm në Gjermani, Zvicër apo diku në perëndim. Kjo bëri që Kosova edhe pse nën represion, të ruaj qenien, sepse pa ekonomi është e pa mundur të bëhet kjo. Kosova arriti të zhvilloj një sektor bazik privat, ndonëse këta biznesmenë shpesh përfundonin të plaçkitur nga inspektorë serbë, që kishin marrë urdhra për t’i deklasuar.
Inflacioni Jugosllav e bëri dinarin letër pa vlerë, teksa markat që vinin nga mërgata jonë, mbajtën Kosovën me bukë, pak më vonë do financonin shtetin paralel të Rugovës, e në fund fare, do financonin masovisht edhe luftën e UÇK-së.
E bëra këtë hyrje, më shumë për të informuar lexuesin e ri, nëse ekziston, meqë sikur fokuset tona kanë pësuar një çarje të tillë që, logjika më nuk është pronë e trurit publik.

2. Gjenerata e ikjeve të pas luftës

Meqë Kosova u gjend në një luftë politike e cila falë bashkësisë ndërkombëtare nuk evoluoi në luftë civile pas çlirimit, filloi edhe ndarja politike mes atyre që pretendonin se janë çlirimtarë, dhe atyre që pretendonin se e kishin sjellë çlirimtarin në Kosovë me dijeni “akademike”, e ku në fund të fundit, ishin viktimat civile, gratë e dhunuara, fëmijë të vrarë, e dëbimi i përmasave biblike të një popullsie që kishte duruar gjatë, që janë të shkruara edhe në arsyetimin e NATO-s, për vendimin e saj që të bombardonte një shtet që financoi e konstruktoi gjenocid.

Një meritë që akoma nuk ia kemi dhënë sa duhet, për mos eskalim në luftë civile, meqë “çlirimtarët” donin pushtet pa procedurë e pa votë, në histori do ta ketë Presidenti Rugova, i cili edhe kur fitonte zgjedhjet, e ndante pushtetin me humbësit, i cili bënte thirrje të votoheshin edhe partitë tjera në emër të demokracisë, e që në mendimet e tij, dhe në esencë, ishin thirrje për t’i qetësuar disa politikanë që e kishin shpallur veten “çlirimtarë”, dhe donin pushtet me dhunë e pa procedurë, meqë vota nuk merrnin nga populli i Kosovës.  Kjo gjendje, krijoi një luftë të pa skrupullt për pushtet në Kosovë, luftë e cila merr përmasa fitoreje të njërit kamp, pas vdekjes së Presidentit Rugova, dhe kështu Kosova hyn në një fazë ku
trashëgimia politike e tij, bëhet vetëm simbolikë, dhe propagandë për vota, të cilat pastaj i delegohehsin kampit që kishte fituar betejën e kësaj lufte politike të gjatë. 

Kjo gjendje nuk krijoi parametra normal për shtet-ndërtim, përkundrazi, krijoi kampe që konstruktuan shtet-kapjen, duke modeluar një sistem ku askush nuk mund të hyjë në konkurrencë me ta, meqë ata do kontrollonin përgjysmë çdo gjë në Kosovë, më drejtorët e shkollave ku vidheshin votat, deri te shefët e institucioneve kryesore të shtetit. Kjo gjendje, siç
mëson çdo teori e shkencën politike e sociologjike, sjell edhe mediokritetin si masë e dëgjueshme, meqë kjo gjendje nuk mbijeton dot në një terren racional, duke sjellur pastaj pasojën e një shoqërie të pa zhvilluar në çdo aspekt. Ky mos-zhvillim, bën që një pjesë e popullësisë, e cila nuk mund të bëhet pjesë e uniformitetit nëpër partitë politike, dhe e
mendësisë që dominon , ose nuk do, u mbetet vetëm një derë, të ikin nga Kosova, ose thënë më moralshëm, i ikë vetë Kosova.

Pra ne i kumtuam një pjese të popullatës së çliruar të Kosovës, se në Kosovë nuk ka vend për ta, për aq sa ata nuk janë pjesë e ‘’llozhës’’ që dikur vonë një përgjim skandaloz e shpalli si “llozha pronto”, ku sigurisht bënin pjesë edhe disa parti tjera që ia mundësonin performancën. Ata nuk patën rrugë tjetër, pos të lëshonin vendin. Për hipokrizi, e për një gjendje bukur tragjiko/komike, tash, pasi i kemi ikur, po ju themi “ju nuk keni të drejt të mendoni e shprehni mendim politik me votë në Kosovë”. Ishte pikërisht ky qëndrimi i partive opozitare në Kosovë, në KQZ, që pamundësoi vazhdimin e regjistrimit të
diasporës për të votuar, meqë vota e tyre nuk përkon me interesat e opozitës, meqë janë pikërisht ata që i kanë ikur nga vendi i tyre, e që tash po kërkojnë nga ta, të mbeten të ikur.

3. Luftë politike meqë ndryshon skena politike

Nëse 100 mijë votues të regjistruar nga diaspora votojnë në Kosovë, në varësi të pjesëmarrjes totale, do të kishin rreth 12-13 deputetë në Kuvend. Sigurisht, që kjo do të ishte një forcë politike e cila tejkalon forcën politike të Srbska Listës, një aleat pjesëmarrës në çdo qeveri të opozizës, jo vetëm si urdhër kushtetues, por edhe si numra përcaktues në Kuvend.
Opozita aktuale e Kosovës, e ka më pak problem votuesin e Srbska Listës, se votuesin shqiptar të diasporës, dhe për këtë ka fakte. Dikur, një kandidat shantazhues për Kryeministër të Kosovës, do priste 7-8 orë konsultimet e Srbska Listës në Beograd, që të vinin pastaj në Kuvend të Kosovës për ta bërë Kryeministër. PDK mund të shantazhohej lehtë, meqë ajo e shihte shantazhin si pjesë esenciale të politikës, nuk e kishte problem, nuk besoj ta ketë as sot.

Votuesi i mërgatës është nacionalist, sepse i mungon vendi i tyre që i ka përzënë, i mungon vendi ku ka familjen, flamuri, tradita e kultura, dhe ai nuk do shkëputet nga vendi i vet tash në kohën e globalizmit. Ky votues, jep rreth një miliardë euro çdo vit për Kosovën, është ndihma më e madhe që merr ky vend i varfër, i plaçkitur gjatë, dikur nga armiku e dikur nga soji i vet.
Sado që shumë mekanizma të shtetit akoma janë nën patronazh të së vjetrës, e që e penguan letësimin e votimit, më pas e ndaluan afatin për zgjatje të regjistrimit, diaspora do jetë më e fuqishme këto zgjedhje se ato të kaluarat, dhe kjo do të jetë pozitive për demokracinë tonë, meqë ata janë votues jo klientelistë, jo patronazhistë, janë thjeshtë të ikur, nga një shoqëri që nuk arriti të krioj akoma shtet të së drejtës.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco