Në emër të kujt?

Në emër të kujt?

Nga Alisa Braho - 20/12/2024

Mbledhja e përbashkët e parlamenteve të Kosovës dhe Shqipërisë ishte një moment që duhej të mishëronte idealin e unitetit kombëtar. Por në vend të kësaj, ajo u shndërrua në një spektakël të turpshëm që nxori në pah arrogancën e politikës së Tiranës dhe mungesën e respektit për sovranitetin e Kosovës. Një ngjarje që mund të ishte simbol i bashkëpunimit u shndërrua në një tribunë paternalizmi, ku kryeministri Rama, pa asnjë konsultim dhe pa asnjë ndjesi të përgjegjësisë, kërkoi që Kosova të ngrijë dialogun me Serbinë dhe të dorëzojë procesin negociues në duart e Bashkimit Evropian.

Një kërkesë e tillë është jo vetëm absurde, por edhe thellësisht e papërgjegjshme. Kosova nuk është protektorat i Bashkimit Evropian. Kosova është një shtet sovran dhe i pavarur, me një qeveri legjitime të zgjedhur me votë masive nga qytetarët e saj, e mandatuar për të negociuar dhe mbrojtur interesat e vendit. Përse, atëherë, duhet të jetë Bashkimi Evropian, dhe jo qeveria e Kosovës, që të drejtojë fatin e saj në bisedimet me Serbinë?

Shqipëria, nga ana tjetër, nuk është spektatore neutrale në këtë çështje. Kushtetuta e saj, në Preambulë, i ngarkon shtetit shqiptar detyrimin historik për të mbrojtur interesin kombëtar të Kosovës. Por në vend të përmbushjes së këtij detyrimi me përulësi dhe përkushtim, Tirana zyrtare zgjedh ta trajtojë Kosovën si një shtojcë të diplomacisë së vet të brishtë, duke zhvlerësuar sakrificat dhe përpjekjet historike të popullit të saj.

Kujt i shërben kjo? Historia ka treguar se sa të rrezikshme janë momentet kur shqiptarët ia lënë fatin e tyre në dorë të të tjerëve. Në vitin 1913, Shqipëria qëndroi pasive ndërsa Fuqitë e Mëdha copëtuan trojet shqiptare. Sot, më shumë se një shekull më vonë, kemi një kryeministër që, në vend të jetë avokati më i zëshëm i Kosovës, zgjedh të bëhet ndërmjetësi i forcave që synojnë dobësimin e saj. Nëse në 1913 heshtja e Shqipërisë ishte një tragjedi, sot, zëri i papërgjegjshëm i saj është një turp që nuk mund të tolerohet.

Kosova nuk ka nevojë për tutorë dhe as për ultimatume. Ka nevojë për një partner të sinqertë që i njeh sovranitetin, e respekton vullnetin e saj dhe e përkrah pa kushte në mbrojtjen e interesave të saj kombëtare. Shqiptarët e Kosovës nuk kanë derdhur gjak për të qenë pjesë e një eksperimentimi diplomatik të Tiranës. Dhe Tirana duhet ta kuptojë një herë e mirë: sovraniteti i Kosovës nuk është as monedhë shkëmbimi, as hapësirë për manovra politike, por një e drejtë e paprekshme, për të cilën çdo shqiptar duhet të luftojë me dinjitet dhe përkushtim.
 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco