Sulmi në Ibër dhe diskursi propagandistik anti-Kosovë

Sulmi në Ibër dhe diskursi propagandistik anti-Kosovë

Nga Dren Dushi - 05/12/2024

Dy zyrtarë të LDK-së, në një studio televizive, pak ditë para sulmit në Ibër, duke e pasur në agjendë dëmtimin e Qeverisë dhe shpalljen e çdo veprimi të saj si “të gabuar”, do të bënin disa deklarata skandaloze, por edhe që mund të shpallen, potencialisht, diskurs  propagandistik kundër Kosovës, për akoma më tepër; diskurs që mund të çoj edhe në reagime, apo, cytje për reagime, të nacionalistëve serbë në veri të Kosovës, që përdoren si mekanizëm nga Vuciq, indirekt përmes Milan Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq. Ishte Lutfi Haziri, zyrtar i lartë i LDK-së, që hapjen e Postës së Kosovës, në territor të Kosovës, e quan “imponim”, teksa thotë se duhet të jetë “shërbim”. Sigurisht, që Posta e Kosovës në veri është vetëm shërbim, dhe assesi imponim, por serbëve nacionalistë në veri, të  udhëhequr nga Vuçiq që aspiron cedimin e kësaj pjese, dhe Lutfiut, i duket si “imponim”, meqë imponim është diçka që një shtet bën në një shtet tjetër sipas kësaj logjike, duke e vënë në pikëpyetje dhe çështjen nëse Lutfiu e njeh veriun e Kosovës si pjesë të saj, apo si “dhuratë të Rankoviçiq”, siç do ta quante shefi i madh i LDK-së, ish Kryeministri Hashim Thaçi. 

Ky diskurs, vjen pak kohë pas një deklarate tjetër skandaloze nga zyrtarë të lartë të LDK-së, konkretisht, Nënkryetari i LDK-së, që ka rënë në 12% jo rastësisht, Gazmend Muhaxheri, që do të deklaronte se “Qeveria Kurti po vepron sikur regjimi i Millosheviqit ndaj shqiptarëve”. Kjo do të thotë se, sipas Gazmend Muhaxherit, Qeveria e Kosovës është duke djegur shtëpi serbësh në veri, është
duke bërë masakra atje, është duke vrarë fëmijë, pleq, e duke dhunuar gra. Sepse nëse kjo Qeveri po vepron sikur ajo e Millosheviqit, janë këto të bëmat e Millosheviqit, dhe kështu mendon një anëtar i Kryesisë së LDK-së, dhe nënkryetar i saj, me sa kujtoj. Mund të duket
shumë absurde, aq absurde, sa që kaloi ky skandal si i pabesueshëm dhe në heshtje si pasojë. 

Po në studion ku ishin thirrur dy zyrtarët e LDK-së për të sulmuar me çdo mjet, dhe pa kursyer asgjë Qeverinë e Kurtit, që sipas tyre vepron si ajo e Millosheviqit, ishte edhe një kuadër i ri politik i LDK-së, Jehona Lushaku, që pretendohet të jetë reformë LDK-je. Lushaku do të fliste për pa-nevojën e Qeverisë që të ketë këtë fokus në siguri, meqë sipas logjikës së saj, për sigurinë e Kosovës është KFOR-i, duke e bërë pa relevancë Policinë e Kosovës, FSK-në, që janë forca të gatshme për të dhënë jetë për Kosovën, sigurisht, shumë më të gatshme se forcat e KFOR-it. Ky diskurs, është së pari servil, së dyti shfaqë mendësi inferiore, meqë niset nga parimi i gabuar se
“ne nuk mund kurrë të përballemi me Serbinë”, parim ky i gabuar, meqë ne u përballëm, edhe me forcë, me Serbinë pa pasur trajnim ushtarak, pa armë, me një UÇK të pa organizuar, të pa furnizuar, pa trajnuar, dhe pa logjistikë bazike, por që arritëm t’i tregojmë botës dhe Serbisë, se mund të përballemi me ta, madje edhe të fitojmë disa beteja. Për më tepër, ky është diskurs prej mendësisë së politikanëve që vendoseshin 100 vite më parë, për të administruar koloni, me një dakordim që ata mund të dominonin popullatën civile ekonomikisht, kryesisht përmes një korrupsioni dhe kapje të së mirave publike, pak a shumë, siç bëri LDK me partnerin e saj
kryesor, PDK-në.

Ishte Policia e Kosovës, dhe jo KFOR-i, që u ballafaquan me sulmin në Banjska, dhe është pikërisht kjo politikë e LDK-së dhe PDK-së, që kanë krijuar një diskurs të tillë, dhe që e kanë shndërruar veriun e vendit si një hapsirë që nuk duhet “imponuar” sovraniteti jonë, dhe nuk duhet çuar forca e shtetit atje, por duhet të ketë njëfarë “republike të KFOR-it”, por me Milan Radoiçiqin dhe Zvonko Veselinoviqin që kontrollojnë terrenin në formë të mafisë dhe karteleve kriminale që bashkëpunojnë me mafinë dhe kartelet tjera shqiptare në jug. Duket se harrohet misioni i KFOR-it në Kosovës, ai është mision ushtarak, që nuk merret me kriminelë ordinerë e banda të drogës, por që merret, largë qoftë, me një sulm ushtarak kundër Kosovës, që dihet se nga kush mund të vijë. Në një rast të tillë, sigurisht që do të jetë edhe FSK, në anën e KFOR-it, por këto nuk janë as tema që duhen diskutuar, meqë nuk ka asnjë konditë që Serbia ta sulmoj NATO-n.

Ajo që është me rëndësi dhe që duhet diskutuar, është se sa mund të ndikoj ky diskurs, që herë shpallë se “Qeveria e Kosovës është si e Millosheviqit”, herë shpallë shtrijen e sovranitetit në veri “imponim”, herë shpallë se forcat tona të FSK-së dhe Policisë janë të  parëndësishme dhe se nuk duhet të fokusohemi në to. Ky diskurs, pa dyshim që mund të cysë serbë nacionalistë në veri, që të bëjnë edhe marrëzi si kjo e para pak ditësh në kanalin që furnizon me ujë elektranat tona, dhe që furnizon me ujë mijëra banorë e shumë Komuna, ku jetojnë edhe qytetarë serbë të Kosovës. Por mund të shpjegohet edhe kjo marrëzi. LDK kishte filluar si ide politike pas fillimit të rënies së Jugosllavisë, si ide perëndimore, sovraniste, demokratike dhe nacionaliste, meqë ishte e nevojshme për kohën. Për të bërë masovizimin në vitet 90’, LDK do hapte dyert për “të gjithë”, ku do gjindeshin edhe profiterët, mediokriteti, egomanët, sharlatanët e kush mos. Ndonëse Presidenti Historik Rugova, me kalimin e kohës do punonte të bënte një filtrim demokratik dhe vizionar, shumë do të mbeteshin, dhe shumë tjerë do të ktheheshin pas vdekjes së tij, përfshi edhe ata që ia ndalnin telefonin, dhe që e linin në rrugë midis Zvicrës, pra përfshi edhe hajnat e Fondit 3%, që një parti tjetër do t’i ndihmonte ta merrnin nën kontrollë LDK-në, në Kuvendin e karrigeve.

Kjo “elitë” toksike e mbetur dhe e plasuar në LDK pas puçeve serike dhe spastrimeve anti-demokratike e përjashtimeve arbitrare, nuk ka si të mos jetë kaq sharlatane në qëndrime, meqë për të, pasuria, pushteti, prestigji nga kapja e titujve akademik, kapja e drejtësisë dhe kontrolli i monopoleve ekonomike-tregtare (kuptohet në ortakëri me shefët e mëdhenjë në PDK), është ajo që ka më së shumëti rëndësi për ta, përtej çdo interesi tjetër, që ata as nuk kanë më aftësinë ta kuptojnë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco