Fitorja e Presidentit Trump, çfarë nuk do të ndodhë?

Fitorja e Presidentit Trump, çfarë nuk do të ndodhë?

Nga Dren Dushi - 07/11/2024

1. Përfundimi i luftës në Ukrainë brenda 48 orëve! 

Fushatat elektorale po bëhen përherë e më të përshtatura ndaj impulseve të publikut të kohës, publik që karakterizohet çdo herë e më shumë nga mungesa e fokusit, meqë fokusin e tij tashmë e ka në, pothuajse monopol, media sociale apo ato që njihen si rrjete sociale (që kontrollohen nga mediat sociale). 

Duke qenë se jeta në SHBA u shtrenjtua si pasojë e luftës në Ukrainë, ata deshën ta bëjnë më të lirë këtë jetë, duke mbështetur një kandidat si tashmë Presidenti Trump, i cili ndër të tjerash, nëpër fushata e fjalime, kishte përmendur edhe ndaljen shumë të shpejtë të luftës në Ukrainë. Kishin dalë premtime se kjo luftë do të përfundonte në ditën e parë të zgjedhjes së tij President. 

Por kjo luftë nuk do të përfundoj kështu, lufta do të vazhdoj, sepse nuk ka kondita që ajo të ndalet as nëse këtë e dëshiron Presidenti i shtetit më të fuqishëm në botë, sepse kjo luftë është nisur nga një tjetër President, Presidenti Putin. Edhe po përfundoj lufta në 48 orëshin e parë të presidencës Trump, do të ishte përfundim i luftës nga presidenca Biden, meqë luftërat nuk përfundojnë asnjëherë brenda 48 orësh, sidomos jo luftërat e sojit të Ukrainës. 

2. Prishja e NATO-s! 

Duke qenë se publiku (kuptohet pa fokus, meqë fokusin ia ka marrë tashmë media sociale) është i interesuar përherë e më shumë për ngjarje të jashtëzakonshme, interesante, çuditëse, apo që media e huaj e quan braking news, këtë e shfrytëzojnë mediat dhe i servojnë herë pas here ide të tilla, një nga to është ideja se SHBA-të, do prishin NATO-n. 
Për rikujtim; SHBA-të kanë bërë luftën më të madhe në historinë e tyre kundër Gjermanëve, duke e përfunduar nazizmin bashkë me aleatët, dhe duke e krijuar pastaj një rend të ri në botë, rend i cili mirëmbahet nga dy faktorë kyç; BE dhe NATO. BE është faktori politik, ekonomik i bërë po nga SHBA-të, me planin Marshall, meqë varfëria ishte brumi i komunizmit, dhe meqë komunizmi vinte nga Rusia e që duhej ndalur në Evropë. Ky plan zhvilloi shpejt Evropën, apo thënë më mirë BE-në, dhe sot kemi këtë mjet politik që kontrollon gjermanët, francezët, anglezët dhe gjithë evropianët. Por asnjë mjet i tillë, nuk mund të mbahet pa një mjet tjetër, atë të forcës, dhe për këtë është krijuar NATO. Meqë kanë kaluar shumë vite, dhe Evropa është tashmë në të njëjtin stad të zhvillimit me SHBA-të, nevoja për një financim të sigurisë më të barabartë mes Evropës dhe SHBA-ve ka lindur nga kërkesa e publikut amerikan, i cili nuk ka përse të paguaj taksa për sigurinë e Evropës, ndonëse kjo paraqet një rrezik edhe për vetë SHBA-të. 
Rreziku qëndron në faktin se, nëse Evropa bëhet shumë e fuqishme ushtarakisht duke u bërë financuese e fuqishme e një ushtrie më sovrane karshi SHBA-ve, gjë që bie në kundërshtim me rendin aktual, dhe parimet që përfunduan luftën e dytë botërore, kjo do të thoshte se qendra vendimmarrëse për sa i përket mjetit të dytë, pra atë të kapacitetit për dhunë, të kaloj në një masë të konsiderueshme nga Washingtoni në Bruksel, dhe kjo nuk është ideja më e mirë ndonjëherë. Sido që të shkojnë punët, Presidenti aktual Trump, do të bëj që Evropa të paguaj më shumë para për ushtri e siguri, se që paguan tash, por assesi nuk do të prishet NATO. 

3. Kosova dhe shkëmbimi i territoreve

Kosova dhe Serbia kanë tashmë një dakordancë për një marrëveshje e cila ka mbështetjen e SHBA-ve. Unë nuk besoj se kjo marrëveshje do braktiset nga SHBA-të meqë ka ndryshuar politikisht Washingtoni. Kjo marrëveshje do vazhdoj të jetë nën presion mbase më të madh që të zbatohen, por kjo nuk do të thotë diçka keq për rajonin, e as për Kosovën, meqë për të ka dakordim. 

Ideja për shkëmbim të territoreve është dhe ka qenë ide më shumë e disa emergjencave të disa individëve apo akterëve që kanë pasur probleme të tyre individuale, por asnjëherë nuk ka qenë serioze. Kjo ide është sfidim i rendit multietnik të rajonit, është sfidim i rendit uti-posidetis të shumë shteteve, dhe është edhe sfidim potencial i sigurisë, meqë ky rajon është plot me kufij administrativ mbi kufij etnik. Andaj, “kutia e Pandorës” nuk hapet, dhe shkëmbimi i territoreve nuk do të ndodhë. 

4. Shpërbërja e Gjykatës Speciale dhe lirimi i të akuzuarve 

Nëse dikush mendon se SHBA-të janë vend autoriar, që kanë një President i cili jep urdhra për të prishur Gjykata që kanë marrë mbështetjen e institucioneve ndërkombëtare botërore, është çështje e mendimit të lirë. Por realiteti është komplet ndryshe. Gjykata Speciale nuk do të ndaloj punën e saj edhe për disa vite, dhe ka shumë gjasë që këtë Gjykatë ta arrijë edhe Presidenti pasardhës i Trump. 

Gjykata në fjalë është në momente kritike, edhe për nga dëshmitë, edhe për nga procesi, çdo ide se ndryshimet politike nëpër vende demokratike paraqesin ndryshime në drejtësi, ka një mendësi të tillë që, e ka shkaktuar Gjykatën Speciale. Kjo do të thotë se, mendësia që fituesi e bën drejtësinë, fituesi e bën gjyqin, është pikërisht mendësia që e ka shkaktuar Gjykatën Speciale, pra është edhe arsyeja përse ekziston ajo, meqë këtë arsyetim e ka edhe publik. 

5. Unifikimi më i madh i BE-së

Jo, BE është e unifikuar meqë këtë unifikim e ka bërë tash e disa dekada SHBA. BE ka gjasa të jetë akoma më e ndarë me Presidentin Trump, se më e unifikuar. 

Hungaria ka tjera politika nga politika zyrtare e BE-së, teksa debati për emigracionin, luftën në Ukrainë, është i pranishëm çdo herë e më shumë edhe në Evropë, dhe fitorja e Trump mund ta bëj këtë debat akoma më energjik dhe përcaktues për krijimin e qeverive laramane në BE, për sa i përket qëndrimeve marko. Kështu mund të kemi edhe Qeveri të dobëta në Evropë, të cilat qëndrojnë disa muaj e zëvendësohen, duke e bërë BE-në një akter akoma më të pafuqishëm e unifikuar se që është. Vatrat e krizave e problemeve, mund të bëhen thjesht monopol i Washingtonit, që për vendime nëse nuk ka mbështetjen e BE-së si tërësi, do ta ketë pjesërisht, dhe njëherish do ketë mbështetje edhe nga vende të BRICS. 

BE do ta ketë shumë test politik ardhjen e Presidentit Trump në krye të SHBA-së, por këtë test do ta kaloj sipas interesit dhe vendimmarrjes në Washington, për një arsye të vetme; ka luftë në Ukrainë, dhe luftën e kontrollojnë muskujt, muskujt janë në Washington. Lufta në Ukrainë nuk mund të vazhdoj pa SHBA-të, ose mund të vazhdoj edhe pak muaj dhe përfundon me invasion të plotë, meqë Evropa nuk ka dashur të ketë financim të duhur ushtarak, të cilin ia ka kërkuar po Presidenti Trump. 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco