Nga Albionë Zhitia - 13:14, 24/09/2024
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një fjalim të tij mbajtur më 22 shatator 2024 në sesionin e 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në NewYork, në Samitin për të Ardhmen”, në pjesën e fundit të këtij fjalimi ceku mbështetjen e transformimit të qendrës së Urdhrit Botëror Bektashi në një shtet sovran brenda Tiranës, i cili do të quhej Shteti Sovran i Urdhrit Bektashi. Ai madje tha për këtë ide të tij se po konceptohet si “një qendër e re moderimi, tolerance e bashkëjetese të paqtë!”. Nga ana tjetër, këtë ide të Ramës e ka vënë në pah edhe prestigjiozja amerikane The New York Times, e ia dedikon një artikull me titull “Shqipëria po planifikon një shtet të ri islamik brenda kryeqytetit të saj”. Sipas kësaj ideje, Kryegjyshata Botërore e Bektashinjve me seli në Shqipëri do të shndërrohej në një mini-shtet sovran të tipit të Vatikanit, me një sipërfaqe sa çereku i këtij të fundit. Ky shtet madje do të kishte edhe pasaportat e tij, shërbimin inteligjent, mirëpo nuk do të kishte nevojë për armatë, roje kufitare apo gjyqe.
Toleranca dhe harmonia fetare ka qenë gjithmonë një karakteristikë e rrallë dhe e veçantë e shqiptarëve pa marrë parasysh se në cilin shtet kanë jetuar, qoftë në Shqipëri, Kosovë, apo edhe në viset tjera ku shqiptarët janë më pak se në dy shtetet e lartpërmendura, si në Maqedoninë e Veriut, Serbi dhe Mal të zi.
Ideja e Edi Ramës për themelimin e shtetit të vogël sovran të Urdhrit Bektashi në Kosovë po shihet para së gjithash si një ide që e arrin pikërisht efektin e kundërt të asaj që ai po e proklamon se kinse po e shpërfaq më së miri, pra tolerancën e harmoninë fetare ndër shqiptarë. Pra, në rrafshin e brendshëm tek etnia shqiptare në Kosovë dhe gjetiu po shihet si një element destruktiv dhe fare i panevojshëm, i cili vetëm se krijon pakënaqësi dhe urrejtje fetare midis shqiptarëve të besimeve të ndryshme fetare, duke ndikuar kështu që të rriten apetitet e tyre, që në numër janë më shumë, kryesisht muslimanët suni dhe katolikët. Një vështirësi tjetër në realizimin e kësaj ideje është edhe mungesa në aspektin ligjor dhe kushtetues për krijimin e një shteti të tillë, e cila në kushte të sotme sa i përket rregullimit shtetëror të Shqipërisë është e pamundur.
Në tetor të vitit 2023, një grup personash themeluan një lëvizje që ata thanë të jetë me motive për shqiptarizmin, e njohur si Lëvizja e Deçanit për shkak të vendit të mbajtjes. Për më tepër, muajt e fundit në mediat e Kosovës është njoftuar edhe për të ashtuquajturat konvertime të shqiptarëve musliman në katolik, i cili fenomen, për shkak të publicitetit që merrte, konsiderohej të jetë element përçarës që nuk i kontribuon klimës të tolerancës dhe harmonisë fetare që mbizotëron në Kosovë.
Prandaj, në opinionin kosovar, ideja e fundit e Ramës për mini-shtetin Bektashi është lidhur edhe me ngjarjet e fundit në Kosovë, pra Lëvizjen e Deçanit dhe konvertimet me pompozitet, duke përfaqësuar kështu ide të rrezikshme për të minuar harmoninë dhe tolerancën fetare, e cila në të gjitha trojet e banuara me shqiptarë i ka qëndruar stoike kohës dhe nuk është lëkundur asnjëherë.
Për më tepër, kjo ide e Edi Ramës po shihet edhe si precedent i rrezikshëm edhe në planin e jashtëm. Kështu, një ide e tillë do të hapte Kutinë e Pandorës dhe do të shërbente si arsye shtesë për eksterritorialitet për Kishën Ortodokse Serbe, e cila në Kosovë ka pasur dhe ka gjithmonë aspirata të marrjes së territorit dhe ndryshimin madje edhe të statusit politik të saj brenda territorit të Kosovës. Kjo Kishë do të kishte në dispozicion një argument të fortë për realizimin e qëllimeve të saj, aq më tepër kur Kosovën e quajnë si të ashtuquajturën “Djep i Serbisë”. Prandaj, ekziston një bindje ndër qytetarët shqiptarë të Kosovë se kjo do të mund të bëhej në koordinim të plotë ndërmjet Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe Presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç, të cilët në shumë e shumë raste janë treguar shumë të afërt me njëri-tjetrin.
Prandaj, ideja e Ramës për krijimin e shtetit Bektashi në Tiranë konsiderohet në Kosovë si përçarje dhe thellim hendeku ndërmjet komuniteteve të ndryshme fetare brenda shqiptarëve, precedent i rrezikshëm për krijimin e një shteti të ngjashëm të Kishës Ortodokse Serbe brenda territorit të Kosovës si dhe shihet si ndërhyrje e drejtpërdrejt e politikës në fe, të cilat, në një shtet të mirëfilltë të konsoliduar demokratik, do të duhej të ishin të ndara dhe të mos interferojnë në njëra-tjetrën.
© SYRI.net