Mos ka një Kod Penal veçmas për Berishën dhe veçmas për Edi Ramën?

Mos ka një Kod Penal veçmas për Berishën dhe veçmas për Edi Ramën?

Nga Jamarbër Malltezi - 12/09/2024

Disa prokurorë e gjejnë normale që Edi Rama;

1- të grabisë e të ndajë 6 Milion m2 në bregdet,

2- të nxjerrë 4 VKM të personalizuara që Carlo Bolino të përvetësojë 4100 m2 tokë dhe ndërtesë 2-katëshe e përcaktuar për gjimnaz në planin rregullues të Tiranës, përfshirë familjes sime Begeja,

3- t’i dhurojë për vetëm 1 euro kompanisë së vëllait të tij 37,000 m2 tokë dhe 5,160 m2 ndërtime me 1 copë letër (VKM nr. 183 datë 9.3.2016), por sipas komandës "SSSKAPE!" duhet të burgosë liderin e opozitës për kthimin e sendit të vjedhur – tokën e të parëve.

Le t’i marrim me radhë pretendimet që prokurorët e zellshëm politikë të SPAK ngritën si dyshime para 1 viti për Berishën dhe t’i krahasojmë me fakte të qeverisjes së Edi Ramës:

1- Pronësia e tokës tek ish-Klubi Partizani (pas 4 vitesh hetime) është konfirmuar katërcipërisht se i përket familjeve të vjetra të Tiranës qysh në vitet 1935 dhe ka vijuar e të jetë tyrja edhe në 1945. Nga ana tjetër Edi Rama po përlan 224,000 m2 tokë shtetërore pa treguar asnjë dokument kadastral, asnjë dokument pronësie të vjetër. Ndofta tani prokurorët kënaqen që Edi Rama miratoi ligjin që ua merr tokën pronareve private (për t’ia dhënë miqve të vet që i shpall si investitorë strategjikë) por kjo është padrejtësi e madhe kundër të drejtave kushtetuese të qytetarëve dhe shtetit të së drejtës.

2- Destinacioni i tokës tek ish-Klubi Partizani u ndryshua nga Edi Rama edhe në 2006 edhe në 2008 pa pasur as kërkesë nga pronarët e tokës.

Për prokurorët ndryshimi i destinacionit ngre dyshime për korrupsion, po pse fshehin dokumentet dhe nuk hetojnë Ramën për 11 ndryshime destinacioni në 2006? Si edhe për zonimin funksional të Planit Rregullues të Tiranës të miratuar nga vetë Edi Rama dhe 10 drejtorë të tij me vendim të KRRT nr. 238 datë 27.12.2008.

A është nën hetim Edi Rama?

Pra, a po hetohet çështja apo personi?

Për më tepër, Edi Rama ka shkelur ligjin në mënyrë të vazhdueshme dhe ka dhënë leje ndërtimi edhe pa ndryshuar destinacionin e tokës!

Psh. Pallati ku sot banon miku i bandave (i akuzuar në sallë gjyqi për urdhërim vrasje të avokatit shqiptaro-britanik) dhe kallzuesi i rremë Taulant Balla, i është dhënë leje ndërtimi ndërkohë që në Planin Urban të kohës ishte zonë sportive!

Ish-repartin ushtarak Edi Rama e dhuroi për biznes sportiv të vëllait të vet pa ia ndërruar destinacionin në Planin Rregullues. Tek ish-klubi sportiv Dajti Edi Rama dha leje ndërtimi për qiell-gërvishtës duke pasur ende në fuqi destinacionin si zonë sportive dhe në të njëjtin muaj ku Bashkia kishte shpallur tender për rehabilitimin e fushave sportive.

SPAK është kthyer në ASPAK sa here del shkelësi i ligjit Edi Rama.

3-Ligje individuale apo sektoriale/normative: të gjitha ligjet që janë cituar në këtë çështje janë ligje sektoriale, të realizuar sipas strategjive programore të Partisë Demokratike. Asnjë nuk është ligj individual. Çdo ndryshim është kryer sipas modeleve të mëparshme dhe kanë mbetur në fuqi në germë ose në frymë edhe me ndryshimet e kryera nga qeveria e PS sot.

Ndërkaq, Edi Rama ka miratuar Ligjin Fusha për tokën e Teatrit Kombëtar që u gjet antikushtetues, Ligjin për aeroportin e Vlorës, ligjin për Butrintin, Ligjin Alabar për të vjedhur tokën e Portit të Durrësit, 4 VKM për Bolinon (VKM nr. 642 datë 2.10.2019; VKM nr. 157 datë 19.2.2020; VKM nr. 368 datë 6.5.2020 dhe VKM nr. 589 datë 22.7.2020), VKM nr. 183 datë 9.3.2016 për t’i dhuruar Olsi Ramës 37,000 m2 tokë që nuk ju kthye pronarëve se ishte në Planin e Përhapjes së Forcave të Armatosura.

4- Toka në Planin e Përhapjes së Forcave të Armatosura: në rastin e ish-Klubit Partizani nuk ishte as në 2004 (shih Vol.10, fq.500 tek fashikujt e masës dhe Vol. 16 ku është vërtetimi nga hetuesja Adelajda Metaj me datë 12.10.2023).

Nga ana tjetër, shtetasi-kryeministër Edi Rama me firmën e tij i dhuroi biznesit të drejtuar nga vëllai i tij një Repart Ushtarak që ishte pjesë e Planit të Përhapjes së Forcave të Armatosura me VKM 183 datë 9.3.2016. PRA, nuk ju kthye pronarëve të ligjshëm (familjeve Deliu dhe Lici) pasi ishte në Planin e Përhapjes, por ju dhurua biznesit të vëllait të shtetasit Edi Rama në dhunim me ligjin që nuk lejonte tjetërsimin e pronave që ishin në PP, dhe nëse propozoheshin për tjetërsim ato sipas Nenit 7 të ligjit të Kthimit të Pronave (Ligji numër 9235 datë 29.7.2004) duhej automatikisht t’i ktheheshin pronarëve të tokës. Ose shihni si po grabit Edi Rama bazën ushtarake të Limionit: ishte bazë ushtarake kyçe në planin e përhapjes të forcave të armatosura, por urdhëroi gjithë zinxhirin (përfshi atë që ka caktuar për president sot dhe që e mban peng) që të firmosë në mënyrë të kundraligjshme për ta kthyer në pallate për ata që i ngrohin xhepat. SPAK degjeneroi në ASPAK në këto raste.

5- VKM për letrat me vlerë u bë për 5 familjet pronare tek ish-Klubi Partizani?

5 familjet pronare të tokës paguan 90% me para në bankë dhe veç 10% me letra me vlerë, pra afro 720,000 $ me para në bankë dhe vetëm 80,000$ me letra me vlerë, vetëm 1 muaj përpara se të dilte kjo VKM.

Nëse do kishte informacion pronarët do prisnin 1 muaj dhe e paguanin me letra me vlerë e jo të shpenzonin kaq shumë. Ndërkohe Edi Rama futi tani në 2024 ligjin për përdorimin e letrave me vlerë në privatizime.

PSE? Për më tepër kur ka 10 vjet që nuk ka kthyer asnjë prone tek pronarët e ligjshëm.

6- Pagesa e privatizimit dyshohet e ulët? Pronarët e tokës u detyruan të paguajnë afro 800,000 $ për disa ndërtesa të rrënuara dhe të uzurpuara me afro 41 familje dhe biznese për të cilat pronarët ofruan edhe strehim duke bërë që asnjë banor (qoftë edhe informal) në fund të projektit të mos ishte më keq sesa kish qenë në fillim të tij.

Ky është standard i Bankës Botërore për projektet zhvillimore dhe hera e parë në Shqipëri që disa privatë respektuan një standard kaq të lartë.

Pra, pronarët e tokës paguan për

strehimin e 41 familjeve informale me mbi 2500 m2 dhe 500,000 €,
kopësht/çerdhen më të mirë në Tiranë,
faltore për besimtarët,
park me mbi 2000 pemë,
vepra arti,
1500 m2 tokë lenë vakëf për shkollë.

SA pagoi Bolino për të grabitur shkollën në tokë vakëf? Veç 1 euro!

Apo SA pagoi vëllai i Edi Ramës për të marrë 37,000m2 tokë dhe mbi 5000m2 zyra? Veç 1 euro!!! (Mbyllja e syve ndaj këtyre abuzimeve i ka kthyer prokurorët në mjeranë nga keqpërdorimi!)

Urrejtja politike e shtyu Edi Ramën të shkelte ligjin. Ndonëse vetë Edi Rama kishte ndryshuar destinacionin e tokës, kishte firmos lejen e sheshit të ndërtimit, sapo mësoi se unë isha mes personave të interesuar për të zhvilluar zonën, Edi Rama refuzoi të zbardhe lejen e ndërtimit.

Shpërdorim detyre i pastër (neni 248 i KP). Na vonoi disa vite, por e çuam dhe e fituam të drejtën me gjyq. Ndonëse me vendim gjykate të formës së prerë, Edi Rama shpërdoroi detyrën dhe refuzoi të zbatoje vendimin e gjykatës të formës së prerë. Nxorri disa vendime të kundraligjshme për gjobë, pezullim dhe prishje të objektit për të cilin kishte vendim gjykate të formës së prerë!

Urrejtja politike e çoi deri në shpërdorim detyre (neni 248 i KP) dhe veprime e shkelje të përsëritur të ligjit (Pengime për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës – neni 320 dhe Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës – neni 321 i KP).

Mos vallë Edi Rama është mbi ligjin dhe SPAK bëhet ASPAK?

Apo “afërmendsh” SPAK është nën urdhërat e Edi Ramës dhe nuk guxon të zbatojë ligjin?

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco