Nga Enver Bytyçi/
Petkoviq dhe Lista Serbe kanë reaguar për aksionin e policisë së Kosovës për shuarjen e veprimtarisë ilegale të institucioneve të Serbisë në Kosovë dhe paralajmërojnë reagime. Ambasadori amerikan, ambasadori gjerman, ai francez dhe britanik me gjuhë të diferencuar dënimi, kanë reaguar gjithashtu me kritika për Ministrinë e Brendshme dhe qeverinë e Kosovës për këtë aksion. Edi Rama ka thënë se situata nuk duhet të provokohet nga asnjëra palë, por dallohet qartë se ai fajëson kryeministrin Kurti për këtë çfarë ai thotë. O’Brein gjithashtu nga Uashingtoni dhe Stano nga Brukseli e dënuan aksionin policor për largimin e qendrave administrative të Serbisë në katër komunat e veriut.
Një fushatë 16 orëshe, sikur shteti i Kosovës të ketë nis luftën kundër Serbisë. Çfarë po ndodh? Të jetë kaq naiv ose i çmendur Albin Kurti, sa t’i hapë luftë Serbisë që armatoset me Raffale-t franceze?! Publiku së paku nuk sheh ndonjë sinjal se ka mobilizim për luftë midis Kosovës e Serbisë si dhe në rajon. Autoritetet që sulmojnë Kosovën pse përpiqet ta shtrijë sovranitetin e vet në territorin që i takon, ose duhet t’ia thonë publikut se ku “fle lepuri”, ose duhet të heshtin. Besoj se gjithë kjo fushatë nuk ka të bëjë vetëm me taktizimin për ta joshur Serbinë të bëhet pjesë e Perëndimit (NATO+BE)! Ajo shkon përtej kësaj skeme.
Po çfarë do të thotë “përtej kësaj skeme”! Vuçiq u ka kërkuar Fuqive Perëndimore që në këmbim të “shkëputjes” nga Moska të marrë qoftë dhe gjysmën e territorit të veriut të Kosovës. Ndoshta është menduar që kjo të realizohet nëpërmjet asaj që quhet vendosje e vijës së demarkacionit me Serbinë. Për ta eliminuar nga fjalori termin ndryshim i kufijve, do të përdorin demarkacionin. Modeli me Malin e Zi u krijua për këtë qëllim dhe jo aq për të favorizuar Podgoricën. Politikanët naivë të Kosovës nuk e kishin menduar se precedenti i “demarkacionit” me Malin e Zi do të shërbente si model për vendosjen përfundimtare të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë.
Me veprimet e “pakoordinuara” Kurti po e prish këtë skemë. Të mëdhenjtë e Perëndimit ndjehen keq që nuk po e mbajnë fjalën para Vuçiq. Interesi i tyre është gjithashtu që Serbia të largohet nga ndikimi rus. Nuk përbën interes as Ujmani, as Trepça, sa tërheqja e Serbisë në strukturat euro-atlantike. Por ama në kurriz të Kosovës. Dhe e kanë menduar se e kanë shumë lehtë. Pasi edhe Edi Rama në Pragë kërkoi kompromise të Kosovës e Serbisë për ta larguar ndikimin e Rusisë nga rajoni. Ndërsa shefi i diplomacisë shqiptare kërkoi që Albin Kurti të konsultohet e këshillohet me “ata që Kosovës i dhanë lirinë”, përfshirë dhe Shqipërinë e Aleksandër Vuçiq, i cili ka në Tiranë kryeministrin më të mirë që nga koha e Pashiqit! Por duhet thënë se liria e Kosovës më së pari i ka rrënjët e vet atë gjaku i dhjetëra e qindra mijë shqiptarëve që për më shumë se një shekull qëndruan dhe luftuan kundër sundimit serb në këtë vend. Aleatët e ndihmuan Kosovën ta jetësojë këtë sakrificë.
Mesa duket Fuqitë Perëndimore duan që ta mbyllin çështjen e Kosovës shumë shpejt, ndoshta në Samitin e Berlinit të 24 tetorit, me qëllim që të realizojnë ato pika që thashë më lart. Prandaj dhe reagimet janë si në një orkestër simfonike të dirigjuar me saktësi matematike e me nota të diferencuara. Kurti ka kuptuar se reagimet e BE-së dhe SHBA-ve nuk lidhen me rrezikun rus në Ballkan, por me përpjekjet tashmë të koordinuara për t’i dhënë Serbisë qoftë dhe dy nga katër komunat e veriut, me qëllim të “fitores” së lojës së shahut midis Kosovës e Serbisë nga ana e Beogradit. Prandaj dhe ai bën surpriza të vazhdueshme për shtrirjen e sovranitetit të shtetit në të gjithë territorin e Kosovës. Nuk e di nëse opozita në Kosovë është e aftë të kuptojë se lëvizjet dhe sidomos kritikat me nervozizëm të ambasadorëve kanë këtë projekt për zbatim.
© SYRI.net