'Luani' i dialogut

'Luani' i dialogut

Nga Syri.net Kosova - 31/03/2023

Mund ta imagjinojmë lehtësisht breshërinë e akuzave ndaj Albin Kurtit, nëse do t’u kishte thënë “Jo” amerikanëve dhe evropianëve për planin franko-gjerman, marrëveshjen me Serbinë dhe aneksin për zbatimin e saj.

Kryeministri i Kosovës i zhgënjeu në fakt kritikuesit e tij të ashpër, duke pranuar “zbatimin e marrëveshjeve të dialogut”,  “vetëmenaxhim” për serbët e “zyrtarizim të statusit për kishën ortodokse”.

Çuditërisht, edhe pse sipas një pjese të opozitës dhe shumë panelistëve kosovarë, Kurti gaboi dhe e degradoi pozicionin e Kosovës, Vuçiqi në anën tjetër heziton të hedhë një nënshkrim, pavarësisht se është i detyruar ta pranojë marrëveshjen për të shmangur pasojat.

Ka vend për kritika ndaj kreut të qeverisë kosovare, por askush nuk po e risjell ndërmend një fakt të pamohueshëm. Nga negociatat për ndarjen e Republikës që udhëhiqeshin nga ish-presidenti Thaçi me asistimin e zellshëm të Edi Ramës, sot flasim për njohje të simboleve kosovare nga pala serbe.

Vetëm një lider i pashantazhuar mund ta bënte këtë.

Brenda marrëveshjes sigurisht është edhe Asociacioni ose “Zajednica”, e rrëzuar në Gjykatën Kushtetuese.

Manovra e Kurtit në bisedime, duket se nuk i ka demoralizuar  mbështetësit e tij. Një protestë e thirrur nga ish-bashkëpunëtori i afërt i Kurtit, rezultoi më pak se modeste.

Bashkëudhëtarët e Albin Kurtit në pushtet apo në opozitë, ende përballen me procese gjyqësore për rezistencën ndaj “Zajednicës” para një dekade.

Asociacioni mban vulën e PDK-së dhe LDK-së, dy parti që sot po ia bëjnë gjyqin publik kryeministrit për një vepër autoriale të tyre.

Pavarësisht përpjekjeve, Kurti megjithatë nuk mund t’iu shmanget lëshimeve që është detyruar t’i bëjë duke nisur nga Asociacioni, deri te njohja reciproke.

Gjashtë kushtet i mori era, e njohjen reciproke nuk e kemi.

Kjo është ajo që u arrit dhe përgjegjësia politike bie mbi pushtetin aktual në Kosovë.

Në një kontekst gjeopolitik mjaft dinamik e të ndryshuar thelbësisht që nga pushtimi rus i Ukrainës, edhe dialogu me Serbinë ka marrë një kahje tjetër, ku Franca e Gjermania, janë të vendosura t’i japin fund statuskuosë.

Albin Kurti, ka qenë i vetmuar në këtë proces të vështirë, ku është shquar për indiferencën e tij kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.

Ndërsa në politikën kosovare, i vetmi që i ka dalë në krah, ka qenë Ramush Haradinaj. Ky i fundit, e nuhat një fije shprese për karrigen presidenciale, nëse mund të na befasojë ndonjë skenar kushtetues. Prandaj edhe një dolli e rastit, justifikohet.

Në dyvjetorin e qeverisjes së tij, Kurti po përsërit një listë me suksese nga studioja, në studio, por vëmendjen kryesore e merr gjithnjë Asociacioni, Serbia, dialogu, veriu etj etj.

Disa premtime Vetëvendosje në pushtet po i shtyn përpara, por disa të tjera kanë ngecur ose nuk janë as në fazën fillestare.

Dy vjet pas ardhjes për herë të dytë në postin e kryeministrit, të Albin Kurtit, dëshira për ta lënë Kosovën nuk është zbehur, ndërsa standardi i jetesës pavarësisht shifrave qeveritare, është goditur nga inflacioni dhe krizat e njëpasnjëshme.

Sfida e vërtetë është pikërisht kjo për qeverisjen aktuale, por zhvendosja e vëmendjes në dialogun ku realisht thuajse nuk na pyet kush, po u shkon për shtat të gjithëve, pozitë e opozitë, si bashkëpërgjegjës për situatën në të cilën gjendet Republika.

Ndërkohë, “luani” i vetmuar në bisedimet me Serbinë, nuk ka zgjidhje tjetër, përveç pranimit të presionit ndërkombëtar.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco