Një dhuratë për Ramën nga KASaphana e zgjedhjeve

Një dhuratë për Ramën nga KASaphana e zgjedhjeve

Nga Enton Abilekaj - 16/03/2023

Lejimi i hyrjes së një partie në zgjedhje nuk mund të quhet i keq. Opozitar apo jo, grupimi i Alibeajt nuk duhet të privohej nga gara, pavarësisht korrektësisë me ligjin. Edhe nëse vendimi antiligjor i KAS është marrë me urdhër politik dhe me symbyllur, nuk mund të qortohet se i dha mundësinë një force politike të hyjë në zgjedhje dhe një grupi votuesish, sado të vogël, të drejtën për të zgjedhur përfaqësuesit e preferuar.

Problemi lind kur ky vendim bëhet pjesë e një skeme për të goditur opozitën kryesore, kur anëtarët e KAS, ndërkohë që e dinë se po shkelin ligjin bëjnë sikur japin Drejtësi, për të justifikuar Padrejtësinë që i bëjnë opozitës kryesore. Partia Demokratike, ajo që përfaqëson demokratët, jo për fajin e vete, nuk u regjistrua në gjykatë, jo për fajin e vete, nuk i ka dokumentet që kërkon ligji për tu regjistruar në zgjedhje.

As Komisioneri dhe as KAS nuk mund ta shkelin ligjjn dhe ta regjistrojnë. Por, kur refuzojnë PD dhe pranojnë si PD grupimin e pakicës dhe njohin si kryetar në detyrë Alibeajn, atëherë bëhet e qartë se juristët e KAS nuk janë bamirësit e opozitës, por kamikazët e pushtetit.

Ish-ministri i Drejtësisë, për të manipuluar ligjin dhe publikun, e pyeti përfaqësuesin e Lulzim Bashës, a pati kontestime kur Alibeaj u caktua kryetar në detyrë? Skema bajate, që kishte për qëllim të fashiste pyetjet në fakt ngriti një pikëpyetje të madhe: Me çfarë dokumentash KAS e ka pranuar Alibeajn si kryetar në detyrë? A ka dorëzuar PD e vulës vendimin e Këshillit Kombëtar për t'i dhënë detyrën e kryetarit Alibeajt? Çfarë kredencialesh ka çuar? A kanë përgjegjësi ligjore ata që pranojnë dokumente të falsifikuara dhe tejkalojnë kompetencat duke marrë vendime që i takojnë vetëm gjykatës, për njohjen e Alibeajt si kryetar në detyrë?

Sigurisht që KAS nuk ka marrë asnjë vendim të Këshillit Kombëtar se nuk është mbledhur kurrë, por ka pranuar të shkelë ligjin.

Të njëjtën shkelje mund ta bënte edhe me PD- në, të pranonte dokumentet e përfaqësuesit ligjor, ta njihte Berishën si kryetar dhe ta regjistronte në zgjedhje. Kjo shkelje do vinte në vend vullnetin e të paktën 500 mijë votuesve, kjo shkelje do të ishte një hap për drejtësinë që e mohon gjykata.

Në vend të kësaj, KAS mori një vendim, të detajuar me njohjen e kryetarit Alibeaj, në shërbim të dëshirës së autokratit për të prishur zgjedhjet dhe paravendosur rezultatin. Gjithë benefitet që shteti ia jep opozitës për të konkuruar në mënyrë të barabartë me maxhorancën, do t'i fitojë një grupim që nga ato benefite nuk nxjerr dot vota për vete, por merr nga opozita për t'i shërbyer Ramës.

Sot, KAS vendosi që fondet shtetërore që i takojnë opozitës, të përdoren hapur dhe ligjërisht kundër opozitës, vendosi që koha televizive që ligji i garanton opozitës, të përdoret kundër saj.

Tani Edi Rama është gati të futet në zgjedhje.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco