Vuçiqi në gunë çeçene

Vuçiqi në gunë çeçene

Nga Adil Fetahu - 17/11/2022

Pardje (15 nëntor), kryetari i Serbisë, Alleksandar Vuçiq,  u takua në Beograd me këshilltarin e kryetarit të Çeçenisë, Ramzan Kadirov, përkrahsin dhe aleatin më të flaktë të Putinit në luftën kundër Ukrainës. Këshilltari Turk Daudov, ia përcolli Vuçiqit përshëndetjet dhe falënderimet e Kadirovit, që kryetari i Serbisë po e mbështetë Rusinë në luftën e saj “për mbrojtjen e vlerave tradicionale, shpirtërore dhe të familjes”.

Me atë rast, emisari çeçen ia dorëzoi Vuçiqit dhuratën që ia ka dërguar Kadirovi: një gunë dhe një shubare tradicionale çeçene.

Vuçiqi nga ana e tij e falënderoi Kadirovin për përshëndetjet e ngrohta të dërguara dhe dhuratën (guna dhe shubara edhe më të ngrohta se përshëndetjet, v.j.), dhe shtoi se “Populli rus për neve është popull vëlla, gjë që ka dëshmuar historia prej shekujsh. Prandaj, marrëdhënie ruso-serbe nuk mund të shkatërrohen me asnjë presion”!

Fotografia e Vuçiqit të veshur me gunën çeçene u përhap në rrjetet sociale, jo vetëm në Serbi, por gjithandej nepër Europë, pasi atë e kishte postuar këshilltari i Kadirovit.

Eurodeputetja e Parlamentit europian, Viola fon Kramon, në reagimin e saj ndaj fotos së Vuçiqit me mysafirin çeçen, si ilustrim (të dyftyrësisë së Vuçiqit,v.j) e kishte vu një foto të tij me ish-kancelaren e Gjermanisë, Merkel, ndërsa tjetrën foto me këshilltarin e Kadirovit, dhe mbi secilën foto kishte shkruar: “Si filloi…dhe …Si vazhdoi”.

Ndaj komentit të Viola fon Kramon-it, ka reaguar në instagramin e saj Ana Bërnabiq. Ajo ka thënë se “Si raportuese e BE, Viola nuk e ka dertin që Prishtina më se 10 vjet po e injoron marrëveshjen e Brukselit, por vazhdimisht flet për kryetarin e Serbisë, Alleksandar Vuçiq, të cilin e kritikon për çështjet të cilat i bëjnë edhe liderët e BE. Hipokrizi”, - ka shkruar Bërna(..)çka në twiterin e saj, duke shtuar: ”Kramoni duhet ta merr një këshilltar për humor, se po duket që ka nevojë”.

Eurodeputetja iu është përgjigjur shkurt Bërnabiçkës: “Po shihet se ju keni shumë këshilltarë për humor, kur po përgatitni raportet mbi aplikimin e standardeve në zbatimin e ligjit dhe të drejtave të njeriut”.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco