Hapësira e deputetit, koha e fundit për shefin e grupit të LVV-së

Hapësira e deputetit, koha e fundit për shefin e grupit të LVV-së

Nga Haki Abazi - 07/10/2022

Ne jemi demokraci parlamentare, andaj si deputet të kësaj legjislature konsideroj që duhet shfrytëzuar të gjitha mjetet dhe format për të avancuar edhe parlamentarizmin, por sidomos për të mbrojtur dhe avancuar shëndetin e demokracisë.

Shumë shpesh në seanca kam kërkuar që koha e debatit parlametar të fokusohet në çështje dhe procese produktive dhe jo rrallë ka përfunduar në përplasje dhe shpenzim koti të kohës.

Do të flas në pikën e tretë specifikisht se çfarë në fakt do të thotë kjo për deputetin apo deputeten, por ajo që në këtë hyrje është e domosdoshme të theksohet ka të bëjë me lutjen për pjekuri politike dhe një unitet të ri mes partive dhe grupeve parlamentare që të kapërcehet kultura e debatit në parlament që i ngjason fjalimeve elektorale gjatë gjithë kohës. Demokracia është sistem i komplikuar dhe kërkon shumë energji për të arritur kohezionin dhe koncensusin nacional dhe një debat të përhershëm e konstruktiv mes të gjitha partive politike, sidomos pozitës dhe opozitës.

Tani lidhur me temat specifike:

1. Jemi në një situatë që Evropa dhe bota nuk ka qenë që nga Lufta e Dytë Botërore. Lufta në Ukrainë ka marrë dimesione globale dhe ka prekur të gjitha aspektet e jetës së njerëzve dhe institucioneve. E gjithë bota ose bota demokratike së paku është bërë bashkë për ta ndihmuar Ukrainën për të fituar luftën kundër Rusisë. Fqinji ynë verior Serbia ka nënshkruar marrëveshje të përbashkët me Rusinë për koordinimin e Politikës së Jashtme. Kjo ka ndodhur në New York gjatë takimit të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Selakovic dhe Lavrov kanë nënshkruar marrëveshje të përbashkët dhe çuditërisht ende ka mirëkuptim për Serbinë në disa shtete dhe caqe të Bashkimit Evropian edhe pse është e qartë që ajo çka është Rusia për BE-në është Serbia për Ballkanin.

Rrjedhimisht, mendoj se ka ardhur koha që procesi i Integrimit Euroatlantik të ndahet plotësisht nga dialogu, përndryshe nuk duhet të ketë dialog fare përderisa Serbia është me Rusinë, kërcënon Kosovën dhe stabilitetin rajonal. Nëpërmjet dialogut, procesi është duke rrëshqitur drejt një situate të njëjtë me atë Bullgari - Maqedoni e Veriut dhe nëpërmjet dialogut Lajçak ka arritur të përfshijë liberalizimin e vizave, çështjet bilaterale mes Kosovës dhe BE-së, si dhe njohjet e reja në një pako duke i marrë peng të gjitha proceset përfshirë edhe aplikimin në Këshillin e Evropës dhe programet e NATO-s. Është urgjente që këto dy procese të ndahen. Integrim pa kushte dhe të përshpejtuar, ndërsa Lajçak le të merret me dialogun përgjithmonë nëse i leverdis.

Natyrisht që mund të shpenzoj me orë të tëra duke folur për dështimet në sektorin energjetik në 20 vitet e fundit, kjo nuk na e zgjidh problemin. Si pasojë e shumë faktorëve, por posaçërisht shitjes së distribucionit dhe krizës së shkaktuar nga lufta në Ukrainë, sot e gjithë bota është në alarm për atë se çfarë na pret gjatë këtij dimri. Përgaditje të shumta janë bërë për masat afatshkurta, afatmesme dhe afatgjata. Të gjitha këto masa që janë duke u aplikuar në vendet evropiane, por janë derivat i strategjive të qarta dhe rezultateve të sakta dhe të matshme.

2. Unë përgëzoj Ministren që dje ka paraqitur një sërë subvencionesh dhe uroj që kjo të ekzekutohet. Mendoj që është shumë vonë, është shumë pak dhe është shumë vështirë e realizueshme.

Strategjia e Energjisë është e domosdoshme dhe duhet të jetë qartazi në linjë me Agjendën e Gjelbër Evropiane, nuk duhet të ketë asnjë devijim nga orientimi ynë për dekarbonizim të sektorit energjetik që nuk është vetëm energjia elektrike, por edhe transporti, bujqësia dhe industria. Draft Strategjia që ka qarkulluar dhe është hedhur në diskutim publik është kopje e strategjive të kaluara që fillojnë me ndërtimin e kapaciteteve të reja të qymyrit duke e vendosur në fjalinë e parë prioritet, e cila është poashtu ende e pa miratuar dhe është kërkuar ndihmë dhe përkrahje nga ambasadat dhe investime për të sjellur një termocentral qoftë edhe të përdorur në Kosovë. Ky është gabim dhe nuk duhet lejuar të ndodh.

Të gjitha argumentimet janë në kundërshtim me këtë orientim.

Kosto, shëndeti publik, mos përmbushja e asnjë kriteri të legjislacionit të Bashkimit Evropian dhe më e rëndësishmja tani është që përbrenda dy viteve, BE do të filloj taksimin e produkteve që kanë prejardhje nga vendet që përdorin energji nga fosilet. Kjo do të thotë që produket tona që dalin jashtë në BE, çfarëdo që do të janë do të taksohen për CO2 footprint. Kjo do të thotë që termocentrali do të jetë vdekjeprurës për prodhuesit sepse ata nuk munden të garojnë me çmime me prodhuesit tjerë.

Çfarë të bëjmë? Fatkeqësisht për këtë dimër kemi shumë pak mundësi meqë jemi vonuar. Megjithatë duke kursyer maksimalisht dhe duke lejuar qysh tani, nesër që të hiqen barrierat e panevojshme të stërzgjatura të marrjes së lejeve për solarët, mund të fillohet qysh tani të instalohen solarët. Por shteti duhet ta marrë këtë gjë në punë duke e hequr KEDS nga procesi burokratik dhe duke ja bërë të mundur që qytetari të ketë opsione për financim dhe skema përkrahëse për solarët. Kjo ka qenë dashur të ndodhë dje, para me shumë se 1 viti. Austria sot ka 75% të energjisë nga burimet e ripërtëritshme dhe Gjermania deri më 2050 më së largu do të jetë 100% e liruar nga energjia e gjeneruar nga fosilet. Vendi ynë ka të gjitha potencialet për ta bërë të njëjtën gjë. Nuk ka asnjë veprim që e bënë qymyrin të gjelbër dhe të pranueshëm. Energjia është ngushtë e lidhur me luftën në Ukrainë dhe rrjedhimisht me ne. Në Ballkan ka tre agjenda:

I. Agjenda Kineze ‘one belt-one way’ që është duke financuar në infrastrukturë dhe termocentrale qymyri,si dhe një gazi në Serbi dhe Bosnjë dhe Hercegovinë saktësisht në Republika Srpska.

II. Agjenda Ruse me ‘Gasprom’in që kontrollon gazin në rajon dhe sidomos çmimet e gazit në rajon duke fuqizuar Serbinë që ajo të jetë shpërndarëse e gazit njëjtë siç bëri me vaksinën.

III. Agjenda e Gjelbër Evropiane – e sigurimit të pavarur të energjisë nga dielli, era, biomasa dhe format tjera të rinovueshme. +

Andaj pyes, në cilën nga këto agjenda duhet të jetë e bazuar strategjia jonë. Sot në mëngjes jam kthyer nga Shkupi ku është mbajtur takimi për Agjendën e Gjelbër Evropiane me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë dhe Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut. Investitorët janë gati, kompanitë punuese janë gati, nuk ka nevojë për subvencionim nga shteti fare, absolutisht fare përveç heqjes së barrierave/pengesave. Çdo shtëpi dhe çdo ndërtesë dhe fushë që nuk është arë për bujqësi, duhet të mbulohet me solare dhe çdo kanal ere duhet të përdoret për gjeneratorët e erës. Mandej, skema për subvencionimin e makinave që më të mos importohen makina ‘diesel’ dhe makina me shkallë të lartë të ndotjes. Natyrisht ajo që kam thënë përherë është efiçienca, por jo efiçiencë sa për të thënë por zbatimi i Kodit të Ndërtimit, investimet në rrjet nga operatori sipas kushteve të privatizimit.

3. Çështja e fundit për sot është hapësira e deputetit. Natyrisht që nuk pretendoj të përfaqësoj deputetët për këtë arsye kam thënë deputeti. Por jam shtyer nga diskutimet e shumta lidhur me sharjet dhe ofendimet që i bëhen deputetit. Sidomos kur para disa ditëve ndëgjova një njeri që e respektoj për mendimin e tij dhe guximin intelektual duke thënë që 90% të deputetëve janë analfabet. Ky është vërtet një vlerësim i rëndë sidomos për faktin që humb themelin mbi të cilin qëndron demokracia. Ai deputet ose deputete, secili ka marrë votat e qytetarëve dhe besoj duhet ruajtur integritetin e institucionit të votës, parlamentit por edhe të vetë deputetit. E dyta qartazi nuk e kanë aspak parasysh se si funksionon sot parlamenti. Nuk do të thotë që pajtohem se si bëhet jeta parlamentare, por këtu është gjendja dhe rregullorja, fatkeqësisht. Mbledhjet plenare por edhe debatet janë skenare të parapërgatitura. Kjo e limiton numrin e deputetëve që flasin përmbi limitin që bën ndarja e deputetëve në Komisione Parlametare. Ndarja në komisione parlametare është ndërhyrja më e madhe që i bëhet demkoracisë duke e rënduar me thellë debatin dhe duke ju pamundësuar deputetëve që nuk janë në komisione që të angazhohen dhe të janë të informuar e të përgaditur për temat. Por të e keni parasysh që ajo që shihet në TV është një skenar i parapërgaditur që është në rregull sepse duhet kryer punë, por asaj ndarje dhe atij skenari duhet të i paraprijë një debat mes partive dhe brenda partive, duhet të arrijmë në pikën ku mundemi me bisedu për përbajtjen e proceseve, orientimet me interes kombëtar dhe të pajtohemi për mirëbesim dhe përkrahje.

Andaj deputeti është target i lehtë sepse është në “mejdan”. Se deputetët nuk vijnë në seanca, është krejtësisht mungesë planifikimi dhe poashtu mungesë e krijimit të kohezionit brenda grupeve parlamentare. Tek ne në grupin tonë ne jemi të hendikepuar jashtëzakonisht shumë meqë udhëheqësja e grupit nuk është nga LVV dhe as për së afërmi nuk ka rritur të krijoj kohezion, përkundrazi.

Andaj mendoj që është koha e fundit që në bazë të statutit kryetar/ kryetare e grupit parlamentar të jetë nga radhët LVV, pa të kaluar dhe në linjë me premtimet elektorale dhe në bashkëveprim me planin legjislativ dhe qeverisës.

Jam i bindur që unë kam inicuar formimin e Grupit e Deputetëve të Gjelbërt në Parlament dhe është refuzuar;

Kam kërkuar formimin e komisionit parlamentar për shqyrtimin e toponimeve sllave të vendbanimeve dhe heqjen e emërtimeve që janë ofenduese dhe i përkojnë kohës së fashizmit serb;

Kam kërkuar formimin e komisionit hetimor për veprimtarinë dhe fiancimin e SHIKut;

Kam inicuar me dokumentacion formimin e komisionit hetimor për privatizim;

Dhe poashtu kam kërkuar formimin e komisionit hetimor për energjinë prej vitit 2006-2020 dhe më është e pamundur që të bëjë punë si pjesë e këtij komsioni dhe kam dhënë doreheqje!

Ju mbase këto nuk i dini edhe për deputet tjerë, andaj është vështirë të pranohet mveshja në grumbull me epitetin analfabet.

Sot vetëm analfabet nuk ka, mund të ketë servil, mund të ketë interesgji, mund të ketë të pamerituar për të qënë deputet, por ky është problem i sistemit zgjedhor dhe formës se si njerëzit hynë nëpër lista zgjedhore.

Ju falemnderit shumë!

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco