Ndërtimi dhe gjërat publike (res publica)

Ndërtimi dhe gjërat publike (res publica)

Nga Daut Dauti - 10/01/2022

Ndërtimi është indikatori më i mirë për gjendjen e ekonomisë së një vendi. Nëse ka ndërtim dmth ka para dhe zhvillim të ekonomisë. Në këtë aspekt, gjatë 20 viteve të fundit, Kosova dhe Shqipëria kanë përjetuar një ndërtim të objekteve, kryesisht të të banimit, i cili  çuditërisht është i madh dhe i pakrahasueshëm në rajon.

Por, ky ndërtim nuk është rezultat i zhvillimit të ekonomisë së këtyre dy vendeve pasi që burimet e parave vijnë kryesisht nga jashtë (remitenca) dhe veprimet tjera, shpesh të paligjshme. Prandaj, për këto ndërtime s'ka pse të lavdërohen qeveritë e këtyre dy vendeve. Vlenë e kundërta. Këto qeveri duhet të kritikohen për shkak se kanë lejuar një ndërtim pa kritere urbanistike.

Shtëpitë e reja që i shihni në Kosovë e Shqipëri janë aq të mëdha, të bukura (jashtë e brenda) dhe me oborre të rregulluara, sa që objekte të tilla shihni vetëm në Perëndim dhe vetëm në lagjet e të pasurve. Por, sapo të dilni nga oborret e këtyre shtëpive, hasni në ambient tërësisht tjetër dhe që nuk ka të bëjë asgjë me vendet evropiane. Rrugët janë të papastra, objektet e përgjithshme të pamirëmbajtura, parqet janë të shkatërruara, kerret dhe këmbësorët qarkullojnë në mënyrë të egër ...

Me pak fjalë, shqiptari hapësirën publike nuk e konsideron si të tijën dhe ndaj saj sillet pa kujdes e pa përgjegjësi. Për te, Res Publica është e huaj dhe nuk meriton vëmendje. Zhvillimi, që duket ekonomik, nuk ka shkuar krahas zhvillimit të mentalitetit. Jeta që kalohet duke e respektuar pronën private dhe duke e injoruar ate publike, është e pakuptimtë.

Edhe një gjë. Dëshira për t'u veshur bukur, për të vozitur kerre të shtrenjta dhe për t'u parë duke ngrënë në restorante, nuk është indikacion i gjendjes ekonomike. Ky veprim bëhet kryesisht për ta mbuluar një kompleks të rëndë: varfërinë (shpirtërore dhe ekonomike).

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco