Saga e energjisë në Kosovë

Saga e energjisë në Kosovë

Nga Vyrtyt Ibrahimaga - 28/12/2021

• Kosova ka diku 14 bilion ton rezerva te linjitit (vendi 5 ne bote me rezerva te linjitit) dhe vetëkënaqemi me idenë se kemi aq shume potencial për prodhim te energjisë, saqë nuk do te kemi mundësi ndonjëherë ta shtjerrim. 

• Ne 2006, pas një studimi te eksperteve ndërkombëtarë për strategjinë e energjisë, Kosova hapi tenderin për ndërtimin Termocentralin “Kosova C” me kapacitet prej 2100 MW/H me vlere investimi prej 4 Bilion. Te gjitha institucionet ndërkombëtarë e përkrahen projektin dhe financimi ishte i siguruar. Kompania me e madhe gjermane e prodhimit te energjisë elektrikë me ligjit RWE se bashku me disa gjigante tjerë evropian hyrën ne gare. 

Pas zgjedhjeve parlamentare dhe formimit te qeverise se re, doli shpikja sensacionale qe projekti te mos quhet me “Kosova C” por “Kosova e re” dhe kapaciteti i prodhimit te zvogëlohet ne 1000 MW/h.

• Te inspiruar nga kjo ide, RWE si dhe disa gjigant te tjerë evropian te industrisë se prodhimit te energjisë elektrike u tërhiqen nga gara, gjë qe beri projektin vështire te realizueshëm.

• Pas zgjedhjeve tjera nacionale, Qeveria e re doli me propozim qe projekti te zvogëlohet ne 500 MW/h, gjë qe beri qe asnjë ofertues te mos mbetet i interesuar për projektin për shume vite me radhë. 

• Pas negociatave te rifilluara ne 2015 me ofertuesin e vetëm te mbetur Contour G., tre vite me pas u nënshkrua marrëveshja për ndërtimin e Termocentralit për 600 MW/n (Vlera e investimit rreth €1.3 Bilion)

• Pas ndryshimeve te serishme ne Qeveri, përgjegjësit e rijnë politik konsideruan se çmimi i garantuar për 8 vite për blerje nga termocentrali i ri do te ishte tejet i madh (rreth €80 për MW/H), prandaj ky projekt nuk qenka i favorshëm për Kosovën, sepse çmimi i importit qenka me i lire. Çmimi sot i energjisë elektrike ne berze është min. €150 për MW/h (https://hupx.hu/en/). Ketij çmimi i shtohen te ashtuquajturat “Cross Border Capacity” (CBC)” për import (HU-SRB-RKS) qe kushton €5 shtese për secilin MW/h. Kosova është varur nga importi sot dhe shume vite te tjera ne te ardhmen.   

• Ne 2020 nga SHBA u ofrua mundësia e financimit te ndërtimit te termocentraleve përmes gazit natyror, por arsye qe nuk janë te qarta publikisht, ky projekt mbetet i parealizuar. 

• Ne dhjetor 2021, blloku kishte prishje ne bllokun B dhe me ne fund angazhohet një profesionist me eksperiencë për te riparuar bllokun. Ndërsa sot publiku merret me lartësinë e shpërblimit e tij për punën profesionale, përderisa importojmë rryme me çmim prej gati 400 € për MW/h. 

Jam shume kureshtar te dëgjoj se cila është strategjia e këtij vendi për te stabilizuar gjendjen e furnizimit me energji elektrikë ne vend dhe kur do te ndodhë kjo. Ka 22 vite terr, pa ide, . Secila qeveri del te jete me eksperte se tjera, por te gjitha mbesin ne tentativën e krijimit te një ideje dhe ne mënyre permanentë ne kontestimin se sa ideja paraprake e konkurrentit politik ka qene e mire.

Njëkohësisht ceshtje e energjisë diskutohet publikisht ne debate nga gjithologet dhe publiku argëtohet nga këto diskutime te thella profesionale. Fatkeqësisht argëtimi ndërprerët kur ndërprerët edhe rryma, por debat te ngjashëm ka edhe kanali tjetër qe e transmeton me vone. Politika si zakonisht jep prognoza te pasakta, sepse nuk konsultohet me njerëz kompetent. por vetëm me “ekspertët” qe e përqafojnë ideologjinë dhe rrugën politike te Qeverise.  

Sikur kotësia te ishte burim i energjisë, besoj qe do te kishim siguruar një burim te pashterueshëm te energjisë!

Te frymëzuar nga kjo situate, secili investor qe ia mësynë Kosovës mbetët vetëm ne tentative. Prodhuesit vendore mbeten ne pritje se mos iu ndërprerët rryma qe ju shkaktojnë vonesa ne prodhim, vonesa te cilat i sjellin penale ditore. Ndersa rryma nuk mjafton as per kryerjen e obligimeve bazike te amviserise. 

Rrjeti i shpërndarjes se rrymës elektrike është ne atë nivel te efikasitetit dhe modernizimit, saqë për ndryshim nga vendet e tjera na bën te inspirohemi çdo dite vizualisht me kreativitetin e lidhjeve ne shtyllat elektrike dhe na jap shprese për te ardhmen. Është me te vërtete një pejzash mbresëlënës dhe i shpalos te gjitha per gjendjen e këtij rrjeti! 

Ne kërkim te zgjidhjeve popullore nder decenja, tregimi sigurisht se do te vazhdoj rrjedhen e tij popullore!

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco