A u çkapën shtetet e Ballkanit?

A u çkapën shtetet e Ballkanit?

Nga Demush Shasha - 22/10/2021

Lajmi kryesor ndoshta nga publikimi i pakos së zgjerimit të këtij viti është se Komisioni Evropian më nuk mendon se ka shtete të kapura në Ballkan.

Që nga 2016 Komisioni Evropian ka futur në përdorim terminologjinë “shtetet e kapura” për të përshkruar gjendjen alarmante të keqqeverisjes në të GJITHA vendet e rajonit. Pra nëse shkojmë në kronologji.

2016: “Disa vende në rajon vazhdojnë të tregojnë simptomat e qarta të kapjes së shtetit.”

2018: “Vendet duhet të luftojnë çdo element të shtetit të kapur.”

2019: “Ekzistojnë disa elementet e shtetit të kapur.”

2020: “Ekzistojnë disa elementet e shtetit të kapur.”

Dhe tash në 2021 për herë të parë, kjo ndryshoj. Ky term më nuk përdoret. Pra, tani Komisioni Evropian më nuk mendon se ekzistojnë elementet e shtetit të kapur në vendet e Ballkanit. Vetëm në rastin e Bosnes, Komisioni Evropian përdor një mutacion të këtij termi – “kapja politike”, që është tërësisht diçka tjetër.

Pyetja që ngritët është se si duhet të shpjegojmë këtë zhvillim. Mua për vete më vinë në mendje dy shpjegime.

1. Një shpjegim është se sipas Komisionit Evropian, Kosova dhe Mali i Zi kanë qenë vendet e fundit me elementet e shëtit të kapur. Pse? Sepse i vetmi ndryshim që nga viti 2020 deri më sot është se në këto dy vende janë përmbysur pushtetet. Rrjedhimisht, pas ndryshimit të pushtetit në Kosovë dhe Mal Zi, tani më Komisioni Evropian nuk mendon se në Ballkan ekzistojnë vendet me elementet e shtetit të kapur dhe rrjedhimisht ky term është hequr nga përdorimi. Pra sipas këtij deduksioni i bie që Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria asnjëherë nuk janë konsideruar vendet me elementet e shtetit të kapur.

2. Shpjegimi i dytë mund të jetë ai i cili u artikulua pak a shumë në artikullin e POLITICO-së i cili akuzoj Komisionerin për Zgjerim, Oliver Varhelyi, se është duke degraduar procesin e zgjerimit, duke i mbrojtur “shtetet e kapura” dhe duke mos shërbyer si gardian i vlerave Evropiane në procesin e zgjerimit. Dhe sipas këtij shpjegimi, ka sens që bazuar në diktatin politik të Komisionerit dal ngadalë është duke u hequr nga përdorimi togfjalëshi “shtetet e kapura” për të mbrojtur regjimet autokratike dhe iliberale në Ballkan. Dhe këtu përfituesi kryesor patjetër se do ishte Serbia.

Cili nga këto dy shpjegime është i saktë, apo ka shpjegim të tretë – nuk e di. Do e dëshmoj koha. Por, konsideroj se ky zhvillim, pra largimi i përdorimit të termit “shteti i kapur” është zhvillimi kryesor në kuadër të publikimit të pakos së zgjerimit të këtij viti.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco