Fryn veriu

Fryn veriu

Nga Syri.net Kosova - 13/10/2021

Policia guxoi të shkonte në veri. Disa thoshin se nuk guxon. Nuk është çështje guximi, por detyrim për zbatimin e ligjit. Qe dy dekada, njëri sy apo shpesh të dy, u mbyllën kur ishte fjala për pjesën veriore.

‘Mos prekni aty’…’Krijohen tensione ndëretnike’…’Duhet leja e Brukselit’….etj, etj.

Zhvillimet e fundit e kanë hapur kutinë e Pandorës edhe për veriun. Kundërshtarët e Albin Kurtit I mëshojnë fort idesë se kjo është një manovër e llogaritur mirë nga kryeministri, për të na çuar drejt autonomisë së veriut dhe Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Disa të tjerë, e ndërlidhin me një rënie të mundshme të Lëvizjes Vetëvendosje në prag të zgjedhjeve lokale.

Por, përtej kacafytjeve politike ditore, faktet janë dukshme për secilin. Reciprociteti me target e veturave, është një veprim normal I arritur me presionin dnhe vendosmërinë e qeverisë sonë.

Aksioni i sotëm, që hasin në reagime të dhunshme të banditëve në veri, është veprim i duhur për zbatimin e ligjit.

Luftimi i kontrabandës, është një mision i pakryer në pjesën veriore. Zinxhiri kriminal ku serbët e shqiptarët kanë bashkëpunuar duke pasur edhe pëlqimin e politikanëve me pushtet e para, është ende i fortë.

Reagimet e sotme, ku në rrjetën e policisë ranë kryesisht disa shqiptarë, tregon sa sfidë e rëndë është ballafaqimi me krimin në veri.

Pavarësisht rrjedhës së dialogut Kosovë-Serbi, nuk ka kurrë paqe dhe stabilitet në veri, përderisa banditët lëvizin dhe veprojnë lirshëm.

Është dëshpërues reagimi i spanjollit të BE-së, Borrellit, por më shumë se inkurajues fjala që vjen nga NATO-ja.

Për vite të tëra Kosova u akuzua se nuk po e lufton kriminalitetin e tash, kur ndërmerret diçka, qenkemi nxituar.

Veriu është pjesë e Republikës së Kosovës, që për shkaqe të njohura për të gjithë, ka mbetur nën ndikimin e bandave dhe politikës destruktive të Beogradit.  Nuk mundet pafundësisht të tolerohet një situatë e tilë dhe qeveria e ka detyrim të veprojë.

Ish-pushtetarët e kaluar, e patën hequr nga axhenda fare veriun, sepse ia gatuan planin për ta hedhur në Pazar me Serbinë, për interesa personale. Tani, gjërat kanë ndryshuar dhe planet e errëta janë ndalur.

Por, duhet vendosmëri dhe mbështetje për veprimet e drejta që i ndërmerr qeveria, në funksion të zbatimit të ligjit. Në këtë rast, nuk mund të mbash një mes. Ose je me Kosovën, ose je me Serbinë.

Edi Rama përshembull ka zgjedhur Vuçiqin. Qeveria e Ramës po heq çdo pengesë në raport me Serbinë, në kuadër të Ballkanit të Hapur. Ndaj Kosovës, politikat e Tiranës zyrtare mbeten dëshpëruese në mandatin e tretë radhazi të socialistëve.

Një ndër arsyet themelore pse Lëvizja e Albin Kurtit e fitoi besimin e popullit të Kosovës, është sundimi i ligjit. Sot, kaloi koncept-dokumenti në qeveri, duke i  hapur rrugës një reforme të paralajmëruar.

Nuk mund të ndodhë ndryshimi, duke lënë jashtë vëmendjes veriun. Serbëve u garantohen me kushtetutë e me ligje, të drejta dhe privilegje që askush në botën demokratike nuk i ka.

BE-ja duhet ta marrë në konsideratë këtë fakt. Nuk mund ta paguajnë gjithnjë shqiptarët faturën për veriun, në të gjitha aspektet, jo vetëm për kilovatët që i mbingarkon KEDS-i te konsumatorët këndej Ibrit.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco