Albin, ky nuk është reciprociteti i premtuar

Albin, ky nuk është reciprociteti i premtuar

Nga Syri.net Kosova - 22/09/2021

Zbatimi i reciprocitetit për targat e veturave është një detyrim i qeverisë kosovare. Momenti elektoral i vendimit, nuk e zbeh peshën e tij. Gjithsesi, nëse mbetet në fuqi edhe pas 17 tetorit, atëherë do të konfirmohet serioziteti qeveritar në raport me reciprocitetin ndaj Serbisë.

Çështja e tabelave është periferike, krahasuar me zotimet e Albin Kurtit për reciprocitet të plotë me shtetin fqinj. Kryeministri ka premtuar reciprocitet politik dhe ekonomik. Asnjëri nuk janë vendosur deri tani.

Vendimi për zbatimin e reciprocitetit është gjithnjë i drejtë, por në rastin e Kosovës, duhet vlerësuar edhe shkalla e dobishmërisë së tij.

Ka një frustrim të madh tashmë në vendin tonë për shkak të pengesave që po ia bën Serbia Kosovës në çdo hap, ndërsa në anën tjetër durimit shtetëror i ka ardhur fundi.

Për çfarë na duhet shteti, nëse nuk arrijmë të sillemi si shtet?!

Edhe Bashkimi Evropian përmes përfaqësuesve të tij, po na bën thirrje që të mos tregohemi të njëanshëm dhe pikërisht vendimi për targat, që i jep fund njëanshmërisë, është argument bindës për pozicionin e drejtë të Kosovës.

Pavarësisht zhurmës mediatike dhe politike, që kundërshton çdo gjë që bën qeveria e Albin Kurtit, ky vendim në interes të kosovarëve, edhe pse i vonuar, është i duhur e duhet të pasohet nga veprimet e tjera që rrumbullakësojnë reciprocitetin me Serbinë.

Frika nga trazirat, është artificiale, e imponuar nga Beogradi me ndihmën e tellallëve në Prishtinë e Tiranë. Sa për ilustrim, një kanal nacional në Shqipëri mbrëmë e kishte si temë të emisionit “luftën” që po ndodh për targat mes Kosovës dhe Serbisë.

Mungonin thonjëzat te fjala luftë. Televizioni në fjalë, i njohur si proqeveritar dhe zëdhënës i Edi Ramës, përpiqej ta paraqiste si një betejë të armatosur zbatimin e një vendimi për të cilin palët janë marrë vesh në Bruksel, por Serbia nuk e ka zbatuar e Kosova po.

Kur jemi te Tirana zyrtare, i vetmi që nuk e mbështeti qeverinë e Albin Kurtit ishte Edi Rama. I vetmi që nuk e kritikoi Vuçiqin për veprimet e tij destruktive në raport me Kosovën, është Edi Rama.

Për fat të keq, në krye të Shqipërisë është një kryeministër që duartroket tutorin e tij të Ballkanit të Hapur, ndërsa godet Kosovën në përpjekjet për t’u trajtuar si palë e barabartë në rajon e më gjerë.

Pa vendosur reciprocitetin e plotë, me gjasë nuk do të na marrë kush seriozisht as në Bruksel e as në Uashington.

Kosova nuk mund të përkulet gjithmonë në çdo tryezë negociatash, ndërsa pala tjetër bën obstruksione dhe minon pavarësinë e sovranitetin e Republikës.

Duhet të shkojmë drejt një pavarësie të vërtetë ose do të pranojmë të mbetemi gjithnjë vasalë të të tjerëve.

Serbia mund të shkaktojë tensione në veri, por faturën e paguajnë serbët lokalë dhe kjo nuk është e drejtë. Propaganda që përhap panik me tankset dhe autoblindat, me “luftën” në horizont, është e dëmshme dhe nuk ka asnjë të vërtetë.

Kosova e ka NATO-n këtu dhe e ka Ushtrinë e saj. Megjithatë, syçelë duhet të jemi sepse nga një ish-zëdhënës i Milosheviçit, mund të presësh çmenduri të radhës.

Është e pafalshme që në këto rrethana, në vend që të ketë unitet politik, disa parlamentarëve u bie ndërmend t’i kthehen sërish këngës së UÇK-së, heronjve dhe viktimave, kush luftoi e kush nuk e kapi armën.

Sidoqoftë, përgjegjësia ekzekutive është mbi pushtetin aktual, që të zbatojë ligjet në tërë territorin e Republikës, të ruajë partneritetin me SHBA-në dhe BE-në dhe të sillet në mënyrë të dinjitetshme sidomos në raport me Serbinë.

Nëse e gjitha kjo është thjesht një manovër elektorale për ca vota më shumë, shpejt do të kuptohet sapo të kryhen zgjedhjet. Në një rast të tillë, kritikat do të vërshonin me plot argumente drejt qeverisë së Albin Kurtit.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco