Albini e gjuajti topin në fushën e Aleksandrit, po Rama pse po hesht?

Albini e gjuajti topin në fushën e Aleksandrit, po Rama pse po hesht?

Nga Syri.net Kosova - 16/06/2021

Albin Kurti e ka kundërshtuar Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Qëndrimin e njëjtë e shprehu edhe në Bruksel.

Kryeministri i Kosovës e ka kundërshtuar mini-shëngenin e propozuar nga Vuçiqi dhe mbështetur me forcë nga Edi Rama. Këtë pozicion kreu i qeverisë kosovare e rikonfirmoi edhe në takimin me presidentin serb, duke dhënë edhe një propozim konkret për avancimin e marrëdhënieve tregtare, sipas modeleve evropiane.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se në dialog shkohet për njohje reciproke. Pyetja e parë e tij ishte se kur Serbia do ta njohë pavarësinë e Kosovës? Kuptohet përgjigjja  nga bashkëbiseduesi i ulur në anën tjetër të tryezës së dialogut.

Marrëveshja për paqe, në mungesë të njohjes reciproke është propozim korrekt që mund të shihet edhe si provokim i Kurtit, për t’ia matur pulsin Vuçiqit. Serbia e kërcënon stabilitetin në Kosovë. Refuzimi i paqes do të thotë vazhdim i destruktivitetit e kësisoj, minim i dialogut.

Njeriu më i pushtetshëm sot në Kosovë, kishte paralajmëruar se çështja e të pagjeturve duhet të zbardhet në këto bisedime dhe në takimin e parë, e hapi këtë temë, duke kërkuar me të drejtë, edhe pse vonë, largimin nga delegacioni të ish-udhëheqësit serb në Kosovë në vitet 1998-1990.

Albin Kurti dha një propozim që duhet të merret seriozisht për trajtimin e pakicës serbe, duke ndjekur shembujt në rajon, formimin e Këshillave Nacionalë. Kështu organizohen shqiptarët në Serbi. Përse të mos ndiqet shembulli i ngjashëm nga serbët në Kosovë?

Kryeministri kosovar nuk shkoi me duar në xhepa në kryeqendrën e BE-së. Ai nxori në tavolinë katër propozime, tre prej të cilave u refuzuan nga Vuçiqi, ndërsa ai për tregtinë nuk mori përgjigjje.

A ishte ky dialogu i ri?

Nëse jo i ri, pa diskutim, ishte një frymë tjetër në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë. Aleksandër Vuçiq nuk e fshehu dot shqetësimin e thellë. Komoditeti e kishte karakterizuar në takimet e mëhershme me Thaçin, Mustafën, Hotin.

Përballë Albin Kurtit, duket se i hasi sharra në gozhdë. Me kryeministrat e kaluar të Kosovës, Beogradi zyrtar arriti të shtyjë përpara marrëveshje  të dëmshme për Kosovën. Në fakt, Vuçiqi, gjithnjë kishte punë me një person. Ai ishte Hashim Thaçi.

Kur ishte Isa Mustafa kryeministër, vendoste prapë Thaçi. Kur u bë Ramush Haradinaj, ky as që deshi të merrej me dialogun dhe ia la tërësisht në dorë Thaçit, por reagoi kur e pa se vendi po shkonte drejt ndarjes. Për Avdullah Hotin, mjafton të risjellim ndërmend batutën “razumesh serbski” dhe nuk duhen komente të tjera.

Takimi i parë, konfirmoi pozicionet e vjetra të Serbisë dhe të reja të Kosovës. Ka një ndryshim tashmë. Askush nuk e fshikulloi palën kosovare pse paraqiti qëndrimet e saj në dialog. Kjo ka mundur të ndodhë edhe më herët, nëse procesi nuk do të personalizohej dhe keqpërdorej për interesa të ngushta nga liderët e shantazhuar.

Për Serbinë është e favorshme që në tavolinën e bisedimeve të jenë politikanët e kompromentuar, lehtësisht të shanntazhueshëm, e mbi të gjitha që kanë një koordinim serioz me sundimtarin e Shqipërisë, Edi Ramën.

Pse kryeministri socialist, nuk e tha as edhe një fjalë të vetme për ngjarjen e rëndësishme në Bruksel?

Lidhja e tij me Aleksandër Vuçiqin, do të mbetet pengesë serioze në arritjen e një marrëveshjeje finale. Rama është pjesë e linjës së ndarjes së Kosovës , si zgjidhje drejt njohjes reciproke. Prandaj, ai ka vendosur të heshtë, sepse po foli duhet të dalë sërish kundër një kryeministri të Kosovës.

Është fatkeqësi politike për shqiptarët, që marrëdhëniet Tiranë-Prishtinë do të mbesin ende në hijen e partneritetit Rama-Vuçiq.

Paraqitja e Kurtit, duhet të vlerësohet si një përpjekje serioze për të rikthyer dinjitetin e Kosovës në dialogun me Serbinë. Pavarësisht kësaj, lideri i Vetëvendosjes nuk duhet të harrojë se zotimin e tij që nuk ulet në dialog me Vuçiqin pa kërkuar falje Serbia për krimet në Kosovë dhe pa u zbardhur fati i të pagjeturve, e mori era.

Si kryeministër nuk mund të sillet më si një opozitar i dikurshëm. Me rëndësi, të mbrojë parimet dhe qëndrimet për të cilat ka luftuar gjatë dhe në fund edhe Kosova e shpërbleu me mandatin e dytë plebishitar.

 Çdo shmangie, do të rezultonte me kosto të paparashikueshme politike për të.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco