Koha e kopallave

Koha e kopallave

Nga Enver Robelli - 15/04/2021

Nuk ka ende asnjë biografi serioze, bazuar në punë të thelluar shkencore, të Ibrahim Rugovës, Adem Jasharit, Agim Ramadanit, Mahmut Bakallit, Fehmi Aganit, Ali Hadrit dhe plot e përplot figurave të jetës publike dhe të historisë bashkëkohore të Kosovës. 

Kemi institute të historisë e albanologjisë, universitete të panumërta, historianë (që merren më shumë me politikë ditore), por s’kemi biografi serioze mbi karrierën e një politikani apo luftëtari të rëndësishëm. 

Kur kjo aradhe dijetarësh s’bën gjë, s’shkruan gjë, s’punon gjë (ose punon pak), pse të mos e marrin primatin në studio televizive “imamët”, “mullahët”, “hoxhallarët”, “fallxhorët”, “sehirbazët” dhe diletantët e tjerë kujdestarë? Ata e shpjegojnë historinë dhe historia prej tyre reduktohet në “tespihe”, “lutje”, “birra”, “raki”, “uiski”, “sixhade”, “avdes”, thashetheme... 

Domethënë: një reduktim i plotë i personaliteteve për interesa momentale fetaro-populliste. Të paktë janë politikanët që guxojnë të protestojnë kundër këtij reduktimi. Kështu shkenca eklipsohet nga dogmat fetare dhe historia zëvendësohet me kopalla odash.

Nuk po shkojmë më larg, por vetëm në Kroaci ka disa biografi të Franjo Tuxhmanit, ka pa fund biografi kritike, por edhe hagiografike të Josip Broz Titos si dhe të figurave të tjera politike e letrare. 

Të gjitha këto të shkruara nga historianë e publicistë seriozë që kanë hulumtuar me vite. Në Kroaci Kisha Katolike ka mjaft ndikim, por për të folur për Tuxhmanin apo Titon thirren në studio ata që kanë kompetencë shkencore dhe publicistike, jo – për shembull – ndonjë prift kontrovers nga Korduni, Lika apo Sllavonija.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco