Për çfarë duhen patronazhistët?

Për çfarë duhen patronazhistët?

Nga Ergys Mërtiri - 14/04/2021

Skandali i përdorimit të të dhënave personale nga strukturat e Partisë Socialiste nuk është thjesht një çështje shkeljeje ligjore. Nëse këtë e vendosim në kontekst, duke mbledhur të gjithë copëzat e pazëllit që dimë mbi mënyrën sesi ky pushtet punon, mund të themi se kemi të bëjmë me një organizatë okulte që i mbivendoset shtetit me struktura paralele duke e shndërruar atë në një zgjatim të interesave të saj.

Në pamje të parë duket sikur kemi të bëjmë thjesht me një abuzim, sigurisht flagrant, por krejt normal për një shoqëri si e jona ku shkelja e ligjit është një sport kombëtar. Një parti politike në pushtet, shfrytëzon institucionet shtetërore për të grumbulluar të dhëna, të cilat i përdor për të organizuar punën e saj në terren gjatë fushatës elektorale! Për shumë njerëz këtu nuk ka asgjë për t'u habitur apo shqetësuar. Por, në fakt problemi nuk mbetet këtu.

Fakti që përdorimi i këtyre të dhënave shoqërohet me një sistem kapilar patronazhimi i cili shtrihet tek çdo qytetar i këtij vendi tregon se kemi të bëjmë me një problem shumë më të thellë. Patronazhisti nuk është thjesht një aktivist partie që vjen të të çajë dërrasat tek dera e shtëpisë për të të mbushur mendjen të votosh qeverinë. Në shumicën e rasteve të patronazhuarit as që e njohin patronazhuesin e tyre dhe nuk kanë asnjë kontakt me të. Kjo tregon se detyra e tij është e fshehtë dhe konsiston më shumë në grumbullimin e informacionit, i cili përdoret më pas për të gjetur mjetet e imponimit të votës për gjithësecilin. Sigurimi i shtetit duket se është rikthyer në një version soft.

Kjo del edhe nga fjalët e vetë drejtuesve të PS-së. Duke u përpjekur të justifikohen ata thonë se strukturat e tyre kanë vite që grumbullojnë informacion për çdo votues në terren. Nga kjo kuptojmë se informacioni i vjedhur nga data base-t e institucioneve shtetërore zhvillohet dhe pasurohet më tej me informacion “operativ” nga patronazhistët, duke krijuar dosjet përkatëse për çdo qytetar, nëpërmjet të cilave hartohen edhe strategjitë elektorale individuale.

Duke ditur fuqinë rekrutuese, kompromentuese e shantazhuese të këtij pushteti, nuk mund të mos mendojmë se këto të dhëna mund të përdoren për të kërcënuar votues e aktivistë kundërshtarë apo edhe njerëz me profil publik, për ti detyruar ata të votojnë qeverinë, të angazhohen në fushatën e saj, apo edhe të mbajnë qendrime publike në favor të saj. Këtë edhe e kemi parë herë pas here të ndodhë, e madje të trumpetohet si lajm pozitiv nga vetë qeveria. E gjithë kjo do të thotë se secili prej nesh është tashmë i survejuar.

Kjo është vetëm njëra anë e industrisë së trafikimit të votës. Tjetra është makineria e blerjes së saj, duke përfshirë grupe kriminale të cilët operojnë në mënyrë të organizuar në terren, duke blerë vota, si dhe duke kërcënuar votues e aktivistë kundërshtarë. Një pushtet që mbërrin deri këtu tregon se ka degjeneruar në çdo aspect shtetin. Shteti bëhet kërbaç në dorën e pushtetit, i cili kërkon të përjetësohet duke kërcënuar shoqërinë. Pushteti i vërtetë, nuk buron më nga institucionet, por nga struktura të tilla paralele, të cilat mbajnë në këmbë trafikun e interesave koruptive.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco