Pse burrat i hoqën kapelat dhe gratë shamiat?

Pse burrat i hoqën kapelat dhe gratë shamiat?

Nga Daut Dauti - 13/04/2021

Në skenën kryesore të filmit ‘Girl with a pearl earing’ (Vajza me vath perlë), piktori, Johannes Vermeer, vendos ta pikturoj portretin e shërbëtores me vathin e gruas së tij. Është viti 1665 kurse vendi është Holanda. Pasi që vathi nuk duket mirë, piktori i thot vajzës:’Hiqe shaminë’.


Vajza tmerrohet dhe nuk pranon. Në atë kohë t’i thuaje në Evropë një femreje që ta hiqte shaminë, ka qenë sikur t’i thuash ‘hiqi të gjitha rrobat e trupit’ dhe dihet për çfarë arsye. Kështu ka qenë deri në fillim të shek. XX. Njësoj ka qenë edhe me burrat. Në fillim të shek. XX në parlamentin britanik, në një rast duhej të votohej për një çështje në ndërtesën matanë rrugës. Një deputet, të cilit ia fshehin kapelën me qëllim që të mos votoj, nuk është në gjendje që pa kapelë t’a kaloj as rrugën.


Në foton e tretë shihet një tubim politik në New York në fillim të shek. XX kurse në tjetrën, një tubim i karakterit të njejtë, në të njejtin vend, por 100 vitë më vonë. Siç dëshmon fotgrafia, të dilje në vend publik pa kapelë, ka qenë sikur të dilje tërësisht lakuriq. Kjo dukuri fillloi ndryshoi pas Luftës së Parë Botërore. Ka shumë arsye që kanë ndikuar në heqjen e kapelës dhe shamisë, por të gjitha e theksojnë anën praktike. Zhvillimi i teknologjisë krijoi një jetë që kërkonte rroba praktike.


Studjuesit e këtij fenomeni thonë se kapela u zhduk te burrat dhe gratë për shkak se lëvizja me to në jetën moderne ishte pengesë. Ishte problem të hyje e të dilje me kapelë në autobus, tren dhe sidomos në vetura që u shumuan shpejt. Për këtë arsye kapelave iu zvogëlua cilindri, por nuk ndihmoi as kjo gjë. Arsyeja tjetër është ushtria dhe lufta. Njerëzit që ktheheshin nga ushtria dhe sidomos nga Lufta e Dytë Botërore, ishin ngopur me kapela dhe refuzuan t’i bartnin edhe me rroba civile.

Njësoj ndodhi edhe me gratë. Por, te gratë ndikim të madh pati edhe Holivudi (filmi). Gratë filluan t’i kopjojnë aktoret që i reklamonin stilet e flokëve dhe dukeshin më bukur pa shamia e kapela. Natyrisht, shamia dhe kapelat janë zhdukur në proces e jo brenda natës. Si datë e fundit të vdekjes së kapelës konsiderohet dita e inaugurimit të presidenti amerikan John F. Kennedy më 1961. Kennedy kapelën e kishte me veti, por doli kryeshplutë kur e mbajti fjalimin e rastit. Ishte presidenti i parë që veproi në këtë mënyrë dhe ky ishte fundi i kapelës.

Po në këtë kohë kapela (fjala është për plisin) dhe shamia filloi të hiqet edhe te ne. Kjo nuk ishte për arsyet që po zhdukej në Perëndim, por te ne erdhi si kopjim i modës dhe u quajt emancipim.

Në vitin 1986 në Gjakovë kam qëndruar disa orë në dyqanin e këtij mjeshtrit që shihet në foto. E kam përcjellë procesin se si prodhohet një plis. Punë e vështirë. Mjeshtri ankohej për mungesë të blerësve. E mbante mend kur në Gjakovë kishte me dhjetëra punëtori si të tijat dhe tashti kishte mbetur vetëm ai dhe më duket edhe një tjetër.
Mes dy luftërave botërore në qytetet e Anglisë ata që dilnin pa kapela sulmoheshin nga punëtorët e fabrikave të kapelave. Nuk ishte vetëm për shkak se po thehej tradita, por njerëzit po mbeteshin pa punë dhe po pësonte një degë e industrisë.


Pra, kështu u zhduk kapela dhe shamia. Pastaj, vazhduan të zhduken edhe disa rrobat tjera. Një ditë, cullak do të mbesim.
 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco