Lajm i keq! Kosova i rikthehet izolimit

Lajm i keq! Kosova i rikthehet izolimit

Nga Astrit Veliqi - 05/04/2021

Kosova pas një gjendje deri diku stabile prapë ka renë në një situatë të rëndë me Covid-19, dhe kjo u dëshmua edhe pas masave të reja izoluese nga qeveria e re.

Por kthimi i orës policore, pas një relaksi bukur të tepruar, është kthim prapa në rrugën e nisur, ku qytetarët vështirë do ta kenë të mësohen, por kjo është e domosdoshme.

Po si kudo tjetër, gjendja me Covidin po bëhet gjithnjë e me alarmante, ku spitalet janë stërmbushur dhe pothuaj po merr jetë çdo ditë të lume.

E kjo më se miri po shihet nga rrjetet sociale, ku shumë miq, e familjar tonë po humbin me të dashurit e tyre si pasojë e këtij virusi i cili nga ekspertët madje po thuhet se është bërë alarmant dhe më agresiv edhe për moshat e reja.

Por a po shihen si zgjidhje masat e reja, dhe kthimi i orës policore?

Për këtë pyetje është vështirë të ketë një përgjigje të duhur për faktin, se duhet parë edhe shkaqet dhe pasojat e saj, të cilat ndërlidhen me fushatën zgjedhore, ku sidomos politikanët shkelen me të dyja këmbët masat anti-Covid, derisa, qytetarët po dënohen në mungesë të një maske në fytyrë.

Çka t’i themi këtij realiteti, veçse qysh në start ka qenë standard i dyfishtë dhe si i tillë ka prodhuar edhe pasoja çfarë po i kemi edhe sot.

Përkundër vaksinimit të një pjese të madhe të personelit shëndetësor, megjithatë nevoja për vaksina mbetet e madhe për të paktën 50 % të popullatës.

Por se kur do të ndodh kjo, mbetet për t’u parë nga qeveria e re dhe strategjia që do ndjek ajo për sigurimin e vaksinës.

Sido që të jetë, kur është në pyetja jeta e njerëzve, edhe masat janë të domosdoshme, por sa do të jenë efektive do ta tregojë koha.

Jemi mësuar tashmë për eksperimente, prandaj edhe lehtë po bëhemi pjesë e tyre.

E sferat që do pësojnë nga kjo, do të jenë të mëdha, sidomos në aspektin ekonomik, megjithatë ata që pësojnë sigurisht se do të duhej të kishte plan edhe për mbështetje nga shteti.

Qeveria e re, e ka fatin që për herën e dytë të përballet me pasojat e pandemisë, pas atij 50 ditëshit të famshëm, kur u lajmëruan edhe rastet e para me Covid në vendin tonë.

Lutemi që gjendja të rregullohet, jo vetëm të ne, por krejt planeti t’i kthehet normalitetit, por kjo mbetet ma shumë një ëndërr në sirtarë.

Përkundër asaj, frika është se masat në të ardhmen edhe mund të shtrëngohen, por larg qoftë dhe kjo të jetë opsioni i fundit.

Megjithatë, 'shpëtim' i vetëm mbesin masat rigoroze dhe vaksina anti-Covid.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco