Prefesori

Prefesori

Nga Daut Dauti - 05/04/2021

Ky prefesori i leshit që përdor fjalor denigrues ndaj presidentes, nuk ka faj dhe mos ia zini shumë për të madhe. Faji është i joni që kemi mundësuar daljen e njerëzve të këtillë që punojnë në universitet.

Besoni që ky nuk është në gjendje ta kuptojë përmasën e fjalëve denigruese që i shkruan. Për shkak se i mungon niveli elementar intelektual, ky nuk është në gjendje ta kuptoj as momentin dhe arsyen e shprehjes së mllefit të Konicës. Ky nuk është në gjendje ta vërej dhe pranoj ngritjen e grave në mesin tonë. Ky dhe shumë tjerë nuk e kuptojnë që kemi fat që kemi gra, të cilat janë ngritur mbi nivelin tonë, e vijnë për t’i nxjerrë ‘burrat’ nga lloqi e bërllogu ku e kanë futur veten dhe vendin.

Ky nuk është prefesori i vetëm në këtë gjendje të mjerë. Ka edhe tjerë, dhe bile, më i zi është ai prefesori i hamamit. Madje, këta prefesorë janë të bindur se me idiotësinë e tyre janë duke bërë punë të mëdha. Nuk kanë faj, besoni. Prefesori i leshit është deputet me gati 14 000 vota kurse ky i hamamit me po aq ‘like’ kur bënë postime të këtilla në ‘Facebook’ ose deklarime në televizor.

Ky soj nuk është aspak i vetëdijshëm se ku ka shku bota. Këta jetojnë me skriptat e propagandës që ka perënduar së paku para një shekulli dhe nuk e kuptojnë rolin e tyre në shoqërinë e sotme. Dhe, këta nuk e dijnë këtë punë. Këta prefesorë nuk e dijnë që në universitetet e botës së sotme të përparuar nuk do të mund të punonin as në pastrimin e WC-ve. Sikur të punonin edhe aty, do të përjashtoheshin menjëherë për shkak të deklaratave të tyre që e turpërojnë jo vetëm akademinë, por edhe higjienën e tualeteve të saja. Por, jo. Te ne nuk përjashtohen edhe nëse organizohen demonstrata kundër tyre.

Ky është problem më i thellë. Është mjet që në mënyrë të përhershme insiston të na tregoj se cila është gjendja jonë në arsim. Është busulla jonë që e ka shkelë dreqi dhe e ka bërë copë-copë. Dhe ne, megjithatë, e përdorim për orientim.

P.S. Ju me siguri e dini që fjalën ‘lesh’ e kam përdorur me qëllim që të mos e them atë fjalën tjetër. Këtu kam bërë një manovrim akademik, siç e don situata.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco