Qytetet e Ilirisë: Shkupi i lavdisë së dikurshme

Qytetet e Ilirisë: Shkupi i lavdisë së dikurshme

Nga Gani Mehmetaj - 01/03/2021

Kur e vrojton Shkupin (Skupin) nga Kështjella ilire se si të duket pamja drithëruese e irreale. A ishte ky qyteti që e trazuan luftërat, kolera, tërmetet, përmbytjet, ndeshjet e fuqishme në mes të dy qytetërimeve: Lindjes e Perëndimit? 

Shtëpitë i përpinte toka, lumi ndryshoi rrjedhën, peshq binin nga qielli, shkruante autori antik për tërmetin e stuhinë që e goditi qytetin. Pastaj ra shi shtatë ditë e shtatë net. Tërmeti katastrofal e goditi Shkupin më 518. Ndërkaq, Justiniani dardan, perandor në Kostandinopojë, i lindur në një katund afër Shkupit, në shenjë kujtimi për vendlindjen, e rindërtoi qytetin e Skupit (535) dhe e bëri metropol të madh. Ai rindërtoi dhjetëra qytete e kështjella në Dardani e Iliri si asnjë perandor tjetër.

Tërmeti nuk e kurseu Shkupin as më 1963. Por sot nuk hetohet asnjë gjurmë nga katrahurat e dikurshme, nuk ka asnjë elementet përkujtimor për fatkeqësitë, koha i ka fshirë gjurmët, por jo vragat. Ato shtëpi të rrënuara u rindërtuan, ose u shndërruan në blloqe apartamentesh,  por ndërruan pronarë, ndërsa lagjet ndryshuan kombësinë e popullatës: u ngrysën shqiptarë, u gdhinë sllavë!  

Nga frëngjia e kullës vrojtuese, derisa kujtoja të kaluarën, nuk më shqitej nga mendja mundësia se me një të ngrehur harku, shigjeta mund të qëllojë bregun e lumit, aq afër është lumi i lashtë Axios (Vardari). Ndërkaq, në këmbë të mureve shtrihet rruga e asfaltuar që e qarkon. Tutje është qyteti i vjetër dhe i ri me shtëpi e ngrehina të mëdha, apo me kalldrëme e rrugica të ngushta. Kështjella e vjetër e Shkupit është ndër më të mëdhatë në Gadishullin Ilirik dhe mbase më e madhja në Dardani e Shqipëri.

Në  nuk e pashë të hapur Muzeun ilir-dardan, nuk e hetova cili ishte Muzeu bizantin, apo ai i periudhës osmane, megjithëse dy objekte me ballë të qelqtë ishin brenda mureve, ndërsa një apo dy ishin skelete në ndërtim. Për to është shkruar para disa vjetësh se do ta paraqesin kulturën materiale e shpirtërore të periudhës trimijëvjeçare. Kështjella e moçme ilire nuk kishte as ciceron. 

Shkupi ishte kryeqytet i Mbretërisë së Dardanisë e kryeqytet i Shqipërisë. Edhe pasi u pushtua nga Serbia, edhe pas masakrave ndaj popullatës shqiptare, edhe pas shpërnguljes biblike në Turqi, deri vonë ishte qyteti më i madh i shqiptarëve në Gadishull. Sot me numrin e shqiptarëve ia kalon Tirana, mbase edhe Prishtina.

Në një film dokumentar amerikan, të shfaqur në një festival ndërkombëtar më 1982, shkupjania më e madhe e të gjitha kohërave, Shenjtorja Terezë, kur rrëfente për vendlindjen e vet, thoshte: “Kam lindur në Shkup, Shkupi atëherë ishte kryeqytet i Shqipërisë!” Unë që e shihja filmin, mbase i vetmi shqiptar, në sallën e madhe, dridhesha nga emocionet, sepse atëbotë askush s’guxonte ta thoshte troç se Shkupi kishte qenë kryeqytet i Shqipërisë, ndërsa në Prishtinë a në Shkup për këtë deklaratë të dënonin shumë vjet burg. Nënë Terezës s’kishin ç’i bënin. 

Shkupi – krenaria e Dardanisë 

I ngritur mbi një kodër vullkanike, i rrethuar me mure të larta e kulla vrojtimi, qyteti i vjetër e kontrollonte hapësirën nga të gjitha anët. Ndërkaq, Kështjella e Shkupit ishte krenaria e Dardanisë. Nga ajo lavdi e dikurshme brenda mureve dalin në sipërfaqe, ose shihen kornizat e themeleve të ngrehinave e të pallateve të aristokracisë vendëse, banjave publike, themeleve të faltoreve pagane e kishave antike. Selia e parë ipeshkvnore në Dardani ka qenë Shkupi. Në qytet janë zbuluar mbi 13 bazilika (kisha të krishterimit të hershëm).

Autorët e librit “Familjet katolike shqiptare në Shkup” (Skënder Asani, Albert Ramaj dhe Natasha Didenko) mendojnë se Justiniana Prima ishte në Shkup. “Kur perandori Konstantin e ndau perandorinë, Shkupi shndërrohet në kryeqendër kishtare të prefekturës së Dardanisë”. 

Qyteti i vjetër pati jetë aktive nga parahistoria, antika, mesjeta e deri në ditët tona. Në parahistori e qeverisnin dardanët, në antikë ishin nën administrimin e Perandorisë Romake të Perëndimit, pastaj të Perandorisë Romake të Lindjes (Bizantit). Në mesjetë thuhet se qytetin e çliroi dy herë nga turko-serbët aleatë, Gjergj Kastrioti. Madje cakun e parë pasi e braktisi ushtrinë turke në Nish e pati Shkupin. Treqind vjet më vonë e çliruan forcat kryengritëse të Pjetër Bogdanit, pastaj një shekull e gjysmë më vonë sërish e çliruan kryengritësit shqiptarë me Dervish Carën në krye. Për herë të fundit Isa Boletini me 1912 e çliroi nga pushtuesit turq, por fatkeqësisht nuk e mbajti.

A ka mbetur diçka nga lavdia e dikurshme? Gati asgjë. Sot lumi Axios (Vardari)  në pjesën më të madhe i ndanë shqiptarët vendës e kolonët sllavë, të ardhur nga Maqedonia e Egjeut dhe nga skajet e republikës. Ndarja hetohet me sy: lagjet shqiptare rreth s e tutje në të majtë, janë me shtëpi të vjetra, rrugica të ngushta, me kaos urbanistik, edhe aty ku ka ndërtime të reja, me dendësi banimi, me çarshinë orientale. Nga fotografitë e vjetra shihet se këto lagje nuk kanë ndryshuar një shekull: me shtëpi gjysmë të rrënuara, shpesh parafabrikate, me rrugica të ngushta, para dyerve fëmijë të veshur varfërisht, me kanalizime që shpesh e vërshojnë rrugën. Të tilla i mbaj në mend qe 45 vjet që kur e njoha Shkupin. Të ngjajnë në lagje të mallkuara. Ndërkaq, në kohën më të re në pjesën ku u ndërtuan apartamente bashkëkohore, u prishën parqe dhe u ndërtuan banesa pa asnjë gjelbërim përreth. Ka lagje me varfëri të skajshme. Vetëm shtatorja e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe ajo e Hasan Prishtinës dëshmojnë se aty poshtë këmbëve të kështjellës ilire jetojnë shqiptarët, kështjellarët e dikurshëm.

Ndërkaq, në anën e djathtë, sapo ta kalosh urën me harqe mbi lumin Axios-Vardar, në sheshin qendror shpalohen përmendoret me përmasa ciklopike të Lekës së Madh e heronjve te tjerë. Shtatorja e Filipit të Maqedonisë ishte disa qindra metra para urës. Sheshi i ngushtë ishte përmbytur nga shtatore e kushtimore- histori e huazuar nga kombet tjera. Sheshi qendror e breglumi janë sajuar nga arkitektët megalomanë e të sëmurë me madhështinë shterpe me një mori shtatoresh të vjedhura nga historia ilire-maqedonase, bullgare e serbe. Janë edhe godinat bashkëkohore-imitim i parlamenteve të shteteve të ndryshme evropiane, ku veprojnë institucionet shtetërore.

Ku është shtatorja e David Arianitit?

Shtatore ka edhe Samuili, mbreti bullgar, që e pushtoi qytetin arbëror të Shkupit, por sajuesit e Sheshit e kanë “harruar” shtatoren e arbërorit David Arianiti, i cili e luftoi dhe e dëboi nga qyteti perandorin bullgar. D. Arianiti, sipas kronistit bizantin, G. Kadreni, ishte ndër strategët më të shquar në luftë kundër ushtrisë bullgare të Samuilit, kështu që perandori bizantin, Basili II, ia besoi postin e Themës së Shkupit, pra administratorit të qytetit, shkruan Gjon Berisha. Nuk është as shtatorja e arbërorit tjetër, princit Leka të asaj kohe, që u shqua në luftë kundër ushtrisë bullgare të Samuilit, ndërsa ishte pagëzuar me emrin e Lekës së Madh. Mbreti bullgar Samuil dhe mbreti serb Lazar, ishin pushtues, prandaj ta vrasin syrin kur i shesh në qytetin e shqiptarëve. Nuk janë ballë për ballë, por janë aty ku nuk duhet të jenë.

Mbishkrimi në shtatoren e Nënë Terezës është vetëm sllavisht (cirilikë). Me asnjë fjalë nuk e thonë se ajo ishte shqiptare. Shtëpia përkujtimore po ashtu nuk ka mbishkrime në gjuhën shqipe. Në këtë shtëpi më ka rastisur të takoj një cicerone shqiptare (dibrane), por më shpesh ciceronet sllave u flasin vizitorëve, duke mos e përmendur kombësinë e shenjtores shqiptare. Shtatoren e ka edhe Perandori Justinian, dardan, njëri ndër personalitetet më të mëdha të historisë botërore, mbishkrimin e ka në gjuhën sllave, por jo në gjuhën së cilës i përkiste.

 Në këtë mori shtatoresh, apartamentet shumëkatëshe të tipit sovjetik, të bojatisura rishtas, sikur nuk korrespondojnë me shtatoret gjigante. Imitimi i stilit barok, pastaj i shtatoreve të antikës,  mesjetës, ndërtimit sovjetik, kishave bizantine të reja me beton, duket pa shije.

Sa për t’i qetësuar gjakrat e kanë vënë shtatoren e Pjetër Bogdanit. Shtatoren e Isa Boletinit, që e çliroi Shkupin nga turqit më 1912, e kanë dërguar në periferi, në katundin Saraj, sepse atje e paskëshin kërkuar vendësit!

Sheshi qendror, në pjesën më të madhe i sllavizuar, është shpërfytyruar edhe me ndryshimin e strukturës së popullatës, sepse përtej urës dikur ishte lagjja puro shqiptare, madje ishte lagjja e aristokracisë shqiptare katolike të qytetit. Nënë Tereza e familjet e tjera të kamura e të famshme aty jetonin. Por në pesëdhjetëvjetëshin e fundit struktura e kësaj lagjeje, sikurse shumica e lagjeve shqiptare të Shkupit, pësoi ndryshime të ndjeshme demografike: shqiptarët e fesë myslimane i dëbuan në Turqi, të tjerët me presion i shndërruan në turq, një pjesë i shpërngulën në Prishtinë, të tjerët hapen dyqane në bregdetin dalmatin, apo morën botën në sy deri në Australi, kurse kolonët sllavë i sillnin me trena e autobusë nga Greqia e Bullgaria, në lagjet që ua ndërtonin qeveritarët.

Shqiptarët e Shkupin, pas tërmetit me pasoja tragjike, të vitit 1963, i shpopulluan, ndërsa qytetin e populluan me kolonë. Lagjet e shtëpitë njëkatëshe me material të fortë apo parafabrikate, që ende janë në këmbë, i ndërtuan me paratë e bashkësisë ndërkombëtare. Kolonët ende jetojnë në to, ose kanë rindërtuar shtëpitë e reja në lagjet shqiptare. Ishte ky projekti i Titos dhe i Beogradit që u ekzekutua nga zyrtarët lokalë, kinse kulm mbi krye për fatkëqijtë të cilëve tërmeti ua rrënoi shtëpitë. Por fatkëqijtë shqiptarë nuk përfituan asnjë tjegull nga ky humanizëm ndërkombëtar!

Shkupi ishte mbi dy mijë e pesëqind vjet kryeqytet i Dardanisë, seli ipeshkvie, qendër administrative, qyteti më i madh i dardanëve. Në fillim të shekullit XX Shkupi mori përparësinë e të gjitha qyteteve shqiptare me traditën dhe me strukturën mbizotëruese shqiptare, kështu që rilindësit e kryengritësit mëtonin që Shkupin ta shpallnin kryeqytet të Shqipërisë, meqë ishte nyja e komunikimit ndër shqiptarët, ishte nyja e komunikimit me Gadishullin dhe me Evropën.

Por asnjë qytet arbëror nuk e kishte fatin më nopran e me fund aq të dhimbshëm: rrezatoi për tërë Arbërinë-Shqipërinë, ndërsa u shpall kryeqytet i Maqedonisë.

Nga popullata fatin tragjik e patën edhe shqiptarët katolikë të Shkupit, që ishin aristokracia e qytetit. Ata e formuan bërthamën e qytetit të vjetër, përtej Urës së Vardarit, ata e mbajtën gjallë gjuhën shqipe të folur e të shkruar në katedrale e kisha, ata i vunë bazat e shoqërive artistike e muzikore shqiptare jo vetëm për Shkupin, por për tërë Dardaninë, ata i dhanë jetë e gjallëri ish-kryeqytetit të Shqipërisë dhe qytetit më të madh të Dardanisë.

Shqiptarët katolikë të Shkupit

Ipeshkvia shqiptare e Shkupit, që ka traditë që nga antika, njihet seli kryeipeshkvore e Pjetër Bogdanit, Gjon Nikollë Kazazit, Ndre Logorecit, Lazër Mjedës, por edhe vendlindja e nobelistes shqiptare, Shenjtores Nënë Tereza. Kjo ipeshkvi është ndër më të vjetrat në Gadishullin Ilirik. Dikur kishte nën administrim pos Dardanisë, Serbinë e sotme, një pjesë të Bullgarisë, Maqedoninë deri në Selanik. Në Shkup jetuan e vepruan Kolë Bojaxhiu, Dom Ndue Bytyçi, Lorenc Antoni, Dom Gaspër Gjini, Vingjenc Gjini etj. 

Tregtia, përpunimi i arit e argjendit, pronat e mëdha ishin në duart e tyre të shkathëta. Nga filmat dokumentarë e fotografitë e vjetra, që ruhen në arkiva filmi, rrezatojnë qytetërim e kamje.

Shqiptarët katolikë të Shkupit e morën rolin prijës, ishin ndriçuesit e pjesës tjetër të shqiptarëve, sepse kishin mbaruar shkolla të larta në Itali e Francë, meqë në Shkup kishte vetëm një medrese turke. Administratën e pasluftës (1945) e mbanin shqiptarët katolikë në gjuhën shqipe, sepse të tjerët nuk dinin të shkruanin shqip, ndërsa sllavët ishin pakicë në Shkup.Dëbimi i parë i madh i shqiptarëve të të dy feve nga Shkupi nisi pas tërmetit të vitit 1963. Në emër të ndërtimit të Shkupit të ri, me ndihmat evropiane, qeveria, me mbështetjen e Beogradit, ua konfiskoi pronat shqiptarëve në qendrën e vjetër, për të ndërtuar apartamente shumëkatëshe, ku solli maqedonasit nga Greqia.

Vala e dytë e shpërnguljes së shqiptarëve katolikë u bë pas vitit 1981, kur nisi terrori kundër shqiptarëve të arsimuar e nacionalistëve. Shqiptarët katolikë dhe intelektualët ikën nga Shkupi, erdhën në Prishtinë e Prizren, por shumë prej tyre ikën në Perëndim apo në Kroaci e në bregdetin dalmatin.

Në valën e tretë të shkombëtarizimit ua morën  Ipeshkvinë dhe Katedralen. Në vend të fjalës shqipe që u predikua mbi 1 500 vjet, sot predikohet në gjuhën sllave. Mbi një mijë e pesëqind vjet ipeshkvit ishin arbërorë-shqiptarë, sot është ipeshkvi slloven. Kjo është ndër kaptinat më të dhimbshme të deshqiptarizmit të Shkupit.

Kanë mbetur fare pak shqiptarë katolikë në Shkup, kryesisht të vjetrit që e kryen misionin ndriçues. Të përmallojnë kur i tregojnë peripecitë e tyre në emisione televizive të RTV 21.

Pjesë edhe më tragjike se sa shqiptarët katolikë janë shqiptarët ortodoksë të Shkupit. Kur erdhën bullgarët i detyruan të braktisin kombin, kur erdhën serbët i shkombëtarizuan me dhunë, ndërsa në kohën e sotme prapë u bëjnë presione nga më të ndryshmet. Kreu i shtetit dhe Akademia e Arteve dhe e Shkencave e Maqedonisë është me shqiptarë ortodoksë, të cilët nga pleqëria nisin e rrëfehen për mëkatin e braktisjes së kombit.

Shqiptarët ortodoksë të Shkupit po u rizgjuan kanë energji të madhe kreative e pozita shoqërore.

Shqiptarët e mbetur i futën në geto, ua mbyllën shkollat, një kohë tepër të gjatë i lanë vetëm me një shkollë pedagogjike, pa arsim, pa kulturë, intelektualët i frustruan me presione, përbuzje e fyerje, mbi shpinë ua lëshuan shërbimin e fshehtë dhe fanatikët fetarë. Kështu i çorientuan, i margjinalizuan, i çaprashitën. Intelektualët shqiptarë u përpoqën ta pengojnë shpërfytyrimin e Shkupit nga mendësia e kolonëve arrogantë e primitivë dhe nga mentaliteti i fanatikëve fetarë. Shkupi edhe sot është qendër e rëndësishme tregtare e administrative edhe për shqiptarët. U bë një gabim i pafalshëm kur partitë politikë shqiptare para 30 vjetësh e braktisën Shkupin dhe u tërhoqën në provincë-Tetovë. Kryeqyteti është i pazëvendësueshëm.

Shkupi është qytet i mirë që e vlen ta kalosh jetën në të, e vlen edhe të përpiqesh e të luftosh për të. Është i pazëvendësueshëm.

Jo më kot e lakmojnë të gjithë në Gadishullin Ilirik: shqiptarë, bullgarë, grekë e sllavë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco