38 shtete për 38 fabrika në 38 njësi administrative të Republikës

38 shtete për 38 fabrika në 38 njësi administrative të Republikës

Nga Enver S. Morina - 24/02/2021

Në vend të një kozeri analogjie me një shkrim të 15 viteve më parë, me nëntitullin “Liberalizimi i vizave të identitetit dhe koncepti ad hoc i shkëmbimit të njerëzve!?”. Letër për shefin e Qeverisë më të Re të Kosovës. Mundësia e ndërtimit për tetë vite te 38 objekteve prodhimtarie me kapacitet prej 100 mijë vende pune. Ndalimi që një person të punoj në tre e më shumë vende pune. “Kosovari” ende nuk ka parë asgjë. Fatkeqësisht, nuk do shoh as për 20 vite të ardhshme! Jemi vonuar qëllimshëm, pa e ditur se murtaja, kolera, pandemia mund të rishfaqen kudo, edhe gjatë periudhës moderne teknologjike ... 

Është krejt normale të mos jesh në një parti e cila është në rënie “të pakompromis”! Një nga partitë “më të vjetra” është nisur në procesin drejt rrënimit të merituar, falë kontributit të liderëve të saj. Vet presidenti historik Ibrahim Rugova nuk e udhëhoqi asnjë qeveri të ardhur nga shumica “e vetes”. Qeveria Bukoshi në fillimet e saj, por edhe qeveritë e formuara nga zgjedhjet e pasluftës kishin këtë përfundim: Rugova “mjaftohej” me presidencën, me flamurin dardan të dizajnuar nga ai dhe me himnin “Kur ka ra kushtrimi n’Kosovë”. Rrënimi ishte i pashmangshëm. 

A është rikthyer ndonjëherë OTHPB (Organizata Themelore e Punës së Përbashkuar) “Rilindja”?! Përvjetori i 77 i daljes së numrit të parë të gazetës “Rilindja” do të jetë 12 shkurti i vitit 2022. Në vitin 2022 do të “festohet” gjysmëshekulli i mbajtjes së Kongresit Drejtshkrimor i Gjuhës Shqipe. Jemi i vetmi vend në Evropë, që nuk kemi asnjë gazetë të shtypur ditore. Në Tiranë dalin 12, 13 gazeta ditore.

Në triptikun e shkruar dhe botuar para 15 vite “Islanda, identiteti dhe rezoluta “4412” pyesja për t’mos u përgjigjur: Ç’është evropeizmi?! Liberalizmi i vizave të identitetit dhe koncepti ad hoc i shkëmbimit të njerëzve!? Ndarjet dhe ndikimi i kulturave!? Ku gjendet Ballkani, në shembullin e “ekstremit” të fenomenit Islandë?! Shpërfytyrimet e tërmeteve të natyrës dhe atyre që krijojnë njerëzit?! Sot, në muajin shkurt 2021, në kohë pandemie, kur tashmë është qartësuar “ndryshimi” “Krejt dhe drejt” e anasjelltas “Drejt dhe krejt” do të duhej që më një nënshkrim protokollar ndërZotës, të një organizate të madhe ndërkombëtare, pa frikën dhe kumtin e ndonjë tërmeti a uragani nga natyra dhe plotëfuqishmëria hyjnore, të arrihet ndërtimi i 38 objekteve prodhuese. 

Marrëveshja me 38 qeveri të shteteve më të fuqishme, të cilat pa hezitim kanë njohur dhe pranuar shtetin e Kosovës, për ndërtimin e 38 fabrikave tashmë e pranuar edhe nga institucionet vendmmarrëse e ekzekutive të Republikës, do të ishte e arritura më e madhe e Qeverisë së Re. 38 ambasadorët në shtetet përkatëse u mblodhën në një takim formal në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës në Prishtinë. Shtatë shtetet më të fuqishme si SHBA, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia, Zvicra dhe Turqia janë përcaktuar që në shtatë regjionet e Republikës: në Prishtinë, në Pejë, në Prizren, në Gjakovë, në Mitrovicë, në Ferizaj e në Gjilan, të ndërtojnë fabrika më kapacitet rreth 10 mijë vende pune. 

Në 31 njësitë e tjera administrative të Republikës, në Deçan, në Sharr, në Han të Elezit, në Drenas, në Graçanicë, në Burim, në Junik, në Kaçaniku, në Dardanë, në Klinë, në Kllokot, në Fushë Kosovë, në Albanik, në Lipjan, në Malishevë, në Mamushë, në Mitrovicën Veriore, në Artanë, në Kastriot, në Rahovec, në Partesh, në Besianë, në Ranillug, në Skënderaj, në Shtërpcë, në Shtimje në Therandë, në Viti, në Vushtrri, në Zubin Potok dhe në Zveçan do të ndërtohen nga një fabrikë me më së paku një mijë punëtorë. Nga kjo llogaritje del që në përfundimin e “katërvjeçarit” të dytë, në 20 vjetorin e shpalljes së Republikës së Dytë, do të “zbutet” papunësia në 100 mijë vende pune në 38 bizneset e reja kapitale në Kosovë. 

Profesionalizmi i profilizuar do të rritet në universitete dhe në arsim e shëndetësi. Ndihmë nga 38 shtetet më të fuqishme në botë. Këtu ngecin mediat?! Megjithatë ato të shkruarat, që do rilindin, do kenë të gjitha nga një revistë periodiku profesional, edhe në gjuhët përkatëse të vendeve që kanë mbështetur këto 38 fabrikat “e para”. Do të këtë vend për kohën e çmuar të pasdites për lexim, për kinema e teatër! Por edhe për balet e opera nëse do të ndërtohet objekti i përfolur me vite. Por nuk do të këtë kohë për t’i dëgjuar analistët duke llomotitur mendimet e tyre nëpër veta: “Unë mendoj!”, “Ai mendon!”, “Ajo mendon!”, “Ti mendon!”, “Ne mendojmë!”, “Ju mendoni!”, “Ata mendojnë!” dhe “Ato mendojnë!”. Përfundimi i këngëve të Milosaos është fatlum. Dy vargjet emblematike të këngës së XXX, shkruar rreth 200 vite më parë “Fryjti era e maleve/ dhe rrëzoi hien e lisit”, sikurse paralajmërojnë realizmin magjik, i cili nuk ndodhi në letrat e çarqeve letrare të shekullit XX në Kosovë. 

Megjithatë “Arka e djallit” e Dritëroit rilexohet edhe sot. A ka titull më kuptimplotë dhe unik se “Vdekja më vjen prej syve të tillë” dhe “Shtatë persona ndjekim autorin”. A “Herezia e Dervish Mallutës”, “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, “Udhëzime për kapërcimin e detit” . Si nëpër skenar filmash i pari fatmirësisht u realizua me titullin “Rojet e mjegullës”. Po skenari mbështetës i 38 shteteve për popullin e Kosovës!? I 38 bizneseve investuese për banorët e Kosovës?! Qyteza e Klinës dhe fshatrat e saj kanë pasur së paku pesë ndërmarrje të mëdha të punës. Pesë objekte prodhimtarie. Kooperativa “Malizhgani”, xeherorja e boksitit, plantacioni i vishnjave, fabrika e pjesëve të armëve, fabrika e këpucëve. Dhe të tjera më “të imëta”! Nëse disa nga to edhe janë rrënuar, pse një ditë të mos ringritën? Qoftë edhe pas tetë vite! 

Në fundvitet e 80-ta në shqip janë përkthyer tregimet e Hulio Kortasar, shkrimtarit argjentinas lindur në Evropë i cili vdiq dhe u varros në kontinentin e vjetër. Vepra u botua në vitin 1988 në Tiranë dhe u ribotua një vit më pas në Prishtinë, të cilat i zgjodhi dhe i përktheu Aurel Plasari me titullin e një tregimi të gjatë “Autostrada e jugut”. Për këto tregime përkthyesi ka shkruar një parathënie, të cilën çuditërisht, e lexova pas leximit të tregimeve. Një epilog i prologut. Hiç paradigmat e luftës së klasave dhe shoqërisë borgjeze, kjo hyrje që mund të ishte edhe pasthënie, tregon nivelin e lartë të dijes e kritikës letrare te Aurel Plasarit në moshën 30 vjeçare. Sipas Plasarit dhe “kohës” së kritikës, Kortasari aspiron prej “humanisti socialist” dhe ndjen frikë prej “tejhuasimit kapitalist” diskurse këto tashmë të nëpërkëmbura dhe të shuara “padrejtësisht”!

Nëse nisemi nga citati i cituar në këtë parathënie “E djeshmja, -thotë shkrimtari, -është origjinali i së ardhmes”, atëherë kapërcimi i sistemeve, dija për të qenë sa më bashkëkohor, mirëqenia e rrënuar në pafundësi janë ingranazhe dhe realitete paradoksale në përballje me absurditetet e kohëve moderne, në të cilat imazhe vërehen tejhuasimi i shoqërisë në varfëri ekstreme. 

Edhe vet jetëshkrimet dhe veprat e shkrimtarëve latinoamerikan ndodhin nëpër shumë hapësira të qendrës së tyre evropiane në Spanjë, athua se Don Kishoti dhe Sanço Panço i takonin atij trungu!? Troja është në Azi. Kërkohen gjurmët në Ballkan. Itaka në Itali. Uliksi ngatërrohet në udhëtimin e tij real. Homeri shkroi veprën mes mitologjisë magjike, sikurse edhe Servantesi parodinë e odisejadës donkishoteske. Apriori, pa kthimin e Odiseut në Itakë nuk kishte kuptim pushtimi i Trojës. 
Ai nuk do t’ma fal, sepse të vetëm në të dy ishim kur më ka mashtruar!
Ai nuk do t’ma fal, sepse rastësisht isha i pranishëm kur ai vidhte!
Ai nuk do t’ma fal, sepse isha dëshmitar kur ai e tradhtonte kauzën!

Kur më takoj Vlora në një mbrëmje të zhurmshme, në “podiumin” e Dardanisë, në prani të demokratëve të tjerë, dhe më njoftoj me Vjosën, nuk e besoja se pak muaj më pas Ato mund “ta urrejnë” me aq finesë njëra-tjetrën! Fotografitë e këtij takimi do i bëj publike në shekullin XXII, fillimisht me lejen amanet të pasardhësve nipërish e mbesash të shoqi-shoqes që në vitet 1982-1984 ishim në një klasë, në drejtimin Kulturologji, orientimi “Sekretar i Programeve të Redaksisë”. Lëndë mësimore kishim edhe Studim i veprave letrare, Histori e civilizimeve, Logjikë e psikologji, Filozofi etj. përkatësisht ligjërues kishim mësimdhënësit Hasan Cervadiku, Xhevat Krasniqi, Zenun Gashi dhe të tjerë.

Po afrohet njëvjetori i takimit mes Presidentit Hashim Thaçi dhe kryeministrit Albin Kurti, siç thoshin mediat “pas një sërë përplasjesh lidhur me taksën dhe dialogun me Serbinë” dhe ende vazhdojnë të më mbetën peng dy përgjigje, në pyetjet diskrete: Derisa nuk zbardhët biseda rreth dy orë e gjysmë mes Albin Kurtit dhe Hashim Thaçit çfarë mund dhe duhet të debatohet për mendime të tjera? Derisa nuk kam përgjigje, edhe pas 22 vite pas lufte, se pse ende nuk ka arkiv UÇK-ja, dhe, ende nga më të rëndësishmet janë arkivat e KSAK-së të kohës,ta quajmë “kushtimisht” të Fadil Hoxhës, çfarë mund të thuhet për përvjetorët e të rënëve dhe dëshmitë e veteranëve?!

Analfabetizmi dhe niveli intelektual i “uzurpimit” dhe “dekorimit” me dy e më shumë vende të punës i ngjanë një arke djalli tashmë të rrënjosur nëpër mentalitetin e dijes shkencore “kosovare”! Si rrjedhojë, ridizajnimi i shkollës pedagogjike “arsimore” në nivele të larta universitare “edukative”, ka qenë një e arritur partiake e niveleve të papara të shkollave moderne! Nga kjo kanë dal master e doktorë të përgatitjeve profesionale, si profesor të edukimit të gjuhës shqipe, profesor të edukimit të biologjisë, profesor të edukimit te matematikës, etj. deri të panteoni ndërkombëtar kurorëzues, profesor i edukimit të gjuhës angleze. Këtë nuk e ka arritur as katedra e parë institucionale e studimeve albanologjike e kohës vetëqeverisëse jugosllave e Beogradit dhe as ajo e kohës enveriane e Tiranës. Nuk dua të dyshoj që elitat politike në Kosovë e kthyen Kosovën në feude, por më mahnitë se si figura të gjoja propagandës perëndimore kanë instaluar një “revolucion” degradimi shtetëror e publik të një universiteti në këto nivele!

Post Scriptum: 
Po, Albin, bëj ç’është e mundur dhe mos lejo që një person të marr tri e më shumë paga në këtë vend të varfër!
Po, Albin, babai në vitin 1959 u dënua rëndë sepse shkroi parullën të cilën e kishte vë në rrugën Dollc-Gllarevë (atëherë rruga kryesore Pejë- Prishtinë) më këtë përmbajtje: 
“Me 1960 Kosova duhet t’i takoj Shqipërisë; 
Jugosllavia duhet t’i liroj shqiptarët;
Ka për t’filluar lufta në Kosovë kundër Serbisë për shkak te represionit që zhvillohet ndaj shqiptarëve;
Kosova vuan prej Serbisë për shkak te porezit (tatimit);
Kosova vuan prej Serbisë për shkak të angarisë; ...”
Dosja gjendet në Arkivin e Kosovës. Kurrë nuk u lejua të punoj në regjimin e kohës. As edhe kuzhinier. Derisa edhe vdiq. 
“Në shtetin e bukur te Meksiko Sitit kemi dënimin me vdekje”, i thotë eprori i lartë i policisë Esteridge, vrasësit John Ryder, tek filmi “The Hitcher” realizuar dhe shfaqur në vitin 2007.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco