Shansi i fundit i Albin Kurtit për kandidim

Shansi i fundit i Albin Kurtit për kandidim

Nga Syri.net Kosova - 27/01/2021

 

Gjykata Supreme është përballë një vendimi të ndjeshëm pas refuzimit të PZAP-së, për ta certifikuar Albin Kurtin dhe të tjerët që kanë dënime për vepra penale në tre vjetët e fundit.

Gjasat janë minimale për një rezultat tjetër, megjithatë, shpresa vdes e fundit. Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, e ka bërë të pamundur kandidimin për deputetë, pavarësisht llojit të dënimit apo arsyes së kryerjes së një vepre penale, për të dënuarit brenda harkut kohor tre vjeçar.

Gjyqtarët e Supremes, duhet ta sfidojnë Gjykatën Kushtetuese, në mënyrë që të mos e penalizojnë liderin më të fuqishëm politik në Kosovë. Por, a do ta bëjnë këtë?  Lëvizja Vetëvendosje po ushtron presion mbi organet e drejtësisë, të cilat po nxjerrin vendime që e dëmtojnë këtë subjekt, disa kandidatë të të cilit preken nga vendimi i Kushtetueses.

Rikthimi në pushtet i Lëvizjes Vetëvendosje, ka ndikimin e pashmangshëm edhe në  sistemin e drejtësisë, i akuzuar se është i kapur nga politika dhe grupet e caktuara të interesit. Një VETTING, pritet të nisë me formimin e qeverisë së re të Albin Kurtit.

Se sa është e vëmendshme Gjykata Supreme në këtë rast, mbetet të shihet në shqyrtimin e ankesave të partive që kanë probleme me kandidatët e dënuar tre viteve të fundit.

Një dallim duhet të bëhet mes reagimeve politike dhe respektimit të vendimeve të ligjshme të gjykatave. Në opinionin kosovar, po përhapet paniku se mund të ketë deri edhe dhunë, nëse Albin Kurtit i ndalohet kandidimi si prijës i listës së VV-së. Kështu thuhej edhe kur u zgjodh Avdullah Hoti kryeministër, se Kurti nuk do t’ia lëshonte zyrën. Nuk ngjau ashtu në fakt.

Lëvizja Vetëvendosje, tani është në një stad tjetër. Më komode për shkak të forcimit dhe rritjes elektorale. Kurti dhe të tjerët e dinë se vendimet e drejtësisë, sado që mund të jenë të papëlqyeshme, janë të detyrueshme. Refuzimi i tyre, përcjell mesazhe frikësuese te kosovarët dhe mund t’ia ulë kredibilitetin liderit të Lëvizjes. Kur hodhi gaz në Kuvend, Kurti ishte i vetëdijshëm për pasojat ligjore.

Tani që e kanë shansin e volitshëm të formojnë një qeveri me mbështetje të fortë në Kuvend, drejtuesit e Vetëvendosjes, gjithashtu e kanë mundësinë e artë për të bërë reformë në drejtësi, për të përmirësuar ligjet e për ta çuar Kosovën përpara.

Përballë përgjegjësisë që i pret në qeverisje dhe refuzimit të një padrejtësie, siç konsiderohet pamundësia e kandidimit të Kurtit, VV-ja do ta orientojë energjinë e saj në të parën.

Njerëzit e lodhur nga keqqeverisjet e mëparshme, po presin me padurim të kenë një qeveri të ndershme dhe të aftë, të pakorruptuar dhe të pakompromis ndaj të këqijave që e kanë ndotur sistemin.

Shansi i fundit për kandidim për Albin Kurtin, në këto zgjedhje parlamentare, nuk është mbarimi i karrierës së tij politike, por edhe një test i rëndësishëm për demokracinë kosovare.

Vendimi i Gjykatës Supreme, sigurisht që do të respektohet nga Vetëvendosje, pavarësisht revoltës së pritshme të këtij subjekti.

Për një lider si Albin Kurti, mesazhi më i mirë për qytetarët që presin rend dhe drejtësi, zbatim ligji dhe respektim të të drejtave njerëzore, është përfillja e vendimit, cilidoqoftë ai.

Kundërshtimi politik është krejt normal, por jo edhe format e tjera të mospranimit të vendimit të Supremes.

Lufta për drejtësi dhe barazi, nuk mund të bëhet me qasje të njëanshme ndaj institucioneve të zbatimit të ligjit. Nuk shkon që një herë të gëzohesh e të duartrokasësh për nje vendim të Kushtetuese, e herë tjetër të hidhërohesh e ta kundërshtosh pa fund.

Prej gjykatave duhet të kërkohet llogari dhe transparencë, por sipas Kushtetutës, pushtetet janë të ndara. Të tilla mbeten edhe pas zgjedhjeve të 14 shkurtit dhe formimit të qeverisë së re.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco