Skandali i ‘veteranëve’, turpi i pasluftës në emër të luftës

Skandali i ‘veteranëve’, turpi i pasluftës në emër të luftës

Nga Syri.net Kosova - 19/01/2021

 

Dhjetëra veteranë falsë, janë përballur deri tani me drejtësinë, për shkak të përfitimit të pamerituar e të paligjshëm të beneficioneve materiale. Por, Komisioni që ka bërë përzgjedhjen e tyre, sipas gjykatësve kosovarë, rezulton të jetë i pafajshëm.

Faji, si gjithnjë në raste të tilla, duket se mbetet jetim. Në fakt, falsifikimi i vlerave të luftës, ashtu si edhe liria, ka emër e mbiemër.

A ju kujtohet prokuri Elez Blakaj? Ai po hetonte mashtrimet masive në listat e veteranëve të luftës. Për shkak të presioneve dhe shantazheve, u detyrua të largohej nga Kosova. Askush nuk e mbrojti, ndërsa çështja e tij, përfundoi me një vendim zhgënjyes.

Gjykata amnistoi njerëzit kyçë të Komisionit në nivel qeveritar që kanë përgjegjësi direkte për  listat skandaloze që dolën në fund të procesit të manipuluar.

Verifikimi i veteranëve të luftës, ishte një proces i kriminalizuar fund e krye, ndërsa përgjegjësit kryesorë janë ish-komandantët pushtetarë bashkë me pacifistët e LDK-së.

Jozyrtarisht, kur i pyet partitë, politikanët e tyre ta thonë hapur se kishte një dakordim në mes të subjekteve, që secili të përfshinte ‘veteranët’ e vet në listat përfundimtare. Kësisoj, nga një Ushtri Çlirimtare e Kosovës që nuk numëronte mbi njëzet mijë ushtarë, pas luftës u shumëfishuan shifrat.

Në mesin e këtyre “veteranëve”, ka që ishin fëmijë në kohën e luftës, jashtë frontit të betejave, në emigracion, pa kurrfarë kontributi konkret dhe që nuk e kishin rrokur armën për asnjë ditë të vetme.

Verifikimi i veteranëve degradoi, sepse partitë njëzëri u morën vesh që si për tenderat ku e ndanin përfitimin, ngjashëm ndanë njerëzit që brenda ditës shpalleshin vlera të luftës.

Ky ishte ndër proceset më të turpshme të pasluftës, që dëshmoi edhe një herë shpërdorimin e frikshëm të pushtetit, me pasoja afatgjata.

Pavarësisht reagimeve që vinin nga FMN-ja dhe bllokadave që iu bënë Kosovës për këtë shkak, qeveritë ekzekutuan pagesat abuzive. Kostoja së paku 100 milionë euro në vit. Vendimi i gjykatës për skandalin e veteranëve, i zhvlerëson të gjitha përpjekjet për ta rishikuar procesin e korruptuar.

Drejtësia kosovare injoroi dëshmitë për blerjen e certifikatave të veteranit të luftës, vlera e të cilave shkonte në disa mijëra euro. Ata që e blenë e bënë më shumë për prestigj, ndërsa një pjesë e madhe për të përfituar paligjshëm në kurriz të taksapaguesve kosovarë.

Është e rëndë, sidomos për ata që kanë sakrifikuar më së shumti në luftë, që të barazohen me mashtruesit, të cilët nuk kanë kurrfarë kontributi për UÇK-në.

Është e turpshme, për të gjithë ata komandantë zonash, që miratuan lista të fryra, për interesa të ngushta, përfitime materiale. Partitë e krahut të luftës sidomos, asnjëherë nuk janë distancuar nga një proces i tillë. Të njëjtën gjë e bëri edhe drejtësia kosovare.

Një gjë duhet ta dinë qytetarët kosovarë në prag të zgjedhjeve të 14 shkurtit. Kjo drejtësi e stërkequr e legalizoi një skandal të jashtëzakonshëm. Mijëra shtetas kosovarë, do të vazhdojnë të zhvasin miliona euro nga buxheti i shtetit, në mënyrë të paligjshme.

Do të jetë me interes të shihet qëndrimi i partisë së Albin Kurtit, ndaj kësaj çështjeje. A do ta amnistojë edhe Vetëvendosje, falsifikimin e vlerave të luftës në mënyrë kaq të paskrupullt dhe me pasoja të rënda financiare për Kosovën?

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco