Dreka e kobshme e janarit 1953

Dreka e kobshme e janarit 1953

Nga Blerim Latifi - 18/01/2021

Ishte janari i vitit 1953. Tito kishte lënë Beogradin dhe ishte nisur në drejtim të Splitit. Atje ishin bërë të gjitha përgatitjet e duhura për drekën speciale të cilën diktatori jugosllav po e shtronte për një mik të tij special. 

Fjala ishte për ministrin e punëve të jashtme të Turqisë, Mehmet Fuat Kopruly. Kopruly ishte pinjolli i fundit nga familja Kopruly, e cila gjatë shekujve 17 e 18 kishte arritur deri në majat më të larta të pushtetit osman. 

Kjo familje ishte me origjinë shqiptare por, duke qenë krejtësisht e asimiluar, njerëzit e saj nuk kishin bërë asgjë për atdheun e të parëve. 

Këshilltarët e Titos ia kishin tërhequr vërejtjen atij se mbase origjina shqiptare e ministrit turk do të përbënte ndonjë pengesë për planet që kishte në mendje Tito, por ai ua hoqi merakun shpejt :- Mos u shqetësoni, miku im është më turk se turqit. 

Dreka kaloi në mënyrë shumë miqësore. Tito, që kërcenohej nga një pushtim i mundshëm sovjetik, kërkonte gjithandej mbështetës, dhe Turqia ishte një shtet shumë i përshtatshëm për të qëndruar në anën e Jugosllavisë. 

Kështu lindi Pakti Jugosllavi- Turqi-Greqi. Pjesë e këtij pakti ishin edhe kërkesat dypalëshe, të cilat u shtruan në Drekën e Splitit. 

Ministri turk, me origjinë shqiptare, i kërkoi Titos që të krijohej pakica turke në Kosovë, ndërsa Tito, nga ana e tij, e rihapi çështjen e Konventës së vitit 1938 midis qeverisë jugosllave dhe qeverisë turke për shpërnguljen e shqiptarëve të Kosovës e Maqedonisë në Turqi. 

Të dy bashkëbiseduesit ranë dakord rreth këtyre dy çështjeve. Në Kosovë do të sajohej shpejt një pakicë turke, e cila kurrë nuk kishte ekzistuar, ndërsa të dy palët do të nisnin menjëherë punën që të rifillonte shpërngulja e shqiptarëve drejt Turqisë. 

Pjesa tjetër e historisë njihet gjerësisht.

Dreka e kobshme e janarit 1953 Ishte janari i vitit 1953. Tito kishte lënë Beogradin dhe ishte nisur në drejtim të...

Posted by Blerim Latifi on Monday, January 18, 2021

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco