Lajmi më i mirë në zgjedhjet e 14 shkurtit

Lajmi më i mirë në zgjedhjet e 14 shkurtit

Nga Syri.net Kosova - 13/01/2021

Në ditën e dashurisë, partitë kosovare pas disa vitesh kanë vendosur t’u japin  find hasmërive të dikurshme. Nuk ka më vija të kuqe. Për dallim nga zgjedhjet e mëparshme, subjektet parlamentare nuk do të hezitojnë të bëjnë koalicion mes tyre.

Heqja e kësaj bllokade që në të shkuarën ka prodhuar krizë pas krize, lehtëson procesin e komplikuar të zgjedhjes së presidentit, që kërkon një bashkëpunim të gjerë politik.

Pavarësisht akuzave që do të shpeshtohen ditëve në vijim, asnjë nuk po e mohon se VV mund të bëjë koalicion me PDK-në përveç alternativave të tjera të ditura. Për partitë e tjera, dihet se nuk kanë ndonjë rezervë ndaj askujt. Me rëndësi të jenë pjesë e pushtetit.

Edhe Vetëvendosje e Albin Kurtit e ka kuptuar se nëse nuk arrin shumicën e vështirë për të qeverisur e vetme, koalicionet janë të pashmangshme. Ky është një hap përpara për politikën kosovare, që duhet t’i lërë pas pengesat e panevojshme.

Vijat e kuqe ishin rrënjosur sidomos në vitin 2014, në kohën e bllokut opozitar, që kundërshtonte qeverinë me PDK-në, e cila kishte fituar zgjedhjet. Autoritarizmi i Hashim Thaçit ndikoi në thellimin e hendekut politik në Kosovë.

Me gjasë, edhe mosprezenca e tij fizike si dhe e Kadri Veselit, i kanë zbutur edhe rivalitetet partiake. Për shkak të 20 vendeve të rezervuara për minoritetet, gara elektorale mes partive shqiptare është për një qind ulëse në Kuvend. Duke llogaritur fuqinë që kanë VV, PDK, LDK, AAK e Nisma, është mision gati i pamundur që një subjekt të fitojë i vetëm 60 deputetë.

Nëse kjo duket gati e pamundur, është utopike të mendosh se një parti apo koalicion fiton dy të tretat, për të pasur në dorë zgjedhjen e presidentit të ardhshëm.

Partneritetet qeveritare paszgjedhore janë të pashmangshme, ose Kosova mund të shkojë sërish në zgjedhje. Në një rast të tillë, dështimi do t’i faturohej fituesit, nëse eventualisht tregohet i pazoti për të tejkaluar ngërçin presidencial.

Në mënyrë që ta përgatisë elektoratin e vet, Vetëvendosje edhe në paraqitjet publike të figurave kryesore të saj, po e pranon se nuk do të përjashtojë asnjë koalicion  paszgjedhor, që ta jetësojë qeverisjen e saj, pas një përvoje të hidhur me Lidhjen Demokratike.

Përderisa vijat e kuqe u hoqën, tani është mirë që partitë të na tregojnë se çka po ofrojnë për qeverisjen e re dhe cila është oferta e tyre programore.

Fare pak kanë arritur deri tani të shpalosin diçka konkrete, edhe pse koha është e shkurtër për të na befasuar me kreativitetin e tyre të kufizuar.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco