Jokomunist na qenka vetëm kush vallëzon sipas avazit që këndon Isa

Jokomunist na qenka vetëm kush vallëzon sipas avazit që këndon Isa

Nga Arbër Zaimi - 03/12/2020
Isa Mustafa paska thënë se fjalët e Vjosa Osmanit i kujtojnë Zërin e Popullit të Enver Hoxhës.
Tani, nëse edhe një politikane konservatore dhe e djathtë konsistente prej vitesh në “mos-majtësinë” e saj i kujton këtij Enverin, imagjino të tjerët...
Nuk e kuptoj pse çdo person me të cilin nuk pajtohen e quajnë komunist? Kjo tregon nga një anë paaftësi për të shprehur kritikë pa e demonizuar tjetrin deri në fund e menjëherë, nga ana tjetër varfëri konceptuale dhe sharlatanizëm. Dmth. jokomunist na qenka vetëm kush kërcen sipas avazit që këndon Isa? Demokratike shumë kjo pikëpamje. Si e trumpistëve, që akuzojnë për komunistë gjithkënd që s’është me ta, përfshi edhe kapitalistët e mëdhenj që nuk mbështetën komandantin...
Në një film të vitit 1962 (The Manchurian Candidate), kur komunizmi qe ende gjallë pra ishte ende rrezik real për ShBA-të (jo si sot kur luan thjesht rolin e mullinjve të erës për turlifarë donkishotësh e sançopançësh) regjisori i mprehtë amerikan, John Frankenheimer përshkruan një situatë infiltrimi të agjentëve rusë në nivele presidenciale në Amerikë. Agjentja e tyre nuk ishte vetë kandidati presidencial, por e shoqja, një grua makbethiane, e cila natyrisht, për të arritur të kryente misionin hiqej si më e djathtë se të djathtët. Dhe kështu zonja Iselin e sulmonte secilin që ia kritikonte të shoqin, duke e akuzuar direkt për komunist pa iu dridhur qerpiku. Edhe veteranët e Luftës së Koresë, edhe demokratët e republikanët e dëshmuar, i sulmonte e i akuzonte si komunistë. Se ajo vetë ishte më e djathta e më antisovjetikja nga të gjithë, deri sa zbulohet se ishte agjente.
Largpamës Frankenheimer. Very long shot.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco