Mbase djali i Haxhi Shalës e ka merituar

Mbase djali i Haxhi Shalës e ka merituar

Nga Arbër Zaimi - 25/11/2020

Shoh që është instaluar në rrjete sociale një kritikë e përciptë: ka shumë vajza e djem që janë arsimuar jashtë, pse me u punësu djali i Topit.

Ja që, edhe djali i Topit është arsimuar jashtë, madje në Pragë. 

Kritika është e përciptë sepse nuk e kupton që, të qenit i arsimuar jashtë nuk përbën kurrfarë garancie. Ka aty të arsimuar mirë, por ka edhe që e blejnë diplomën. Jo vetëm në Pragë, por edhe në universitetet më prestigjioze (kuptohet çmimi i blerjes rritet, me prestigjin e universitetit).

Bijtë e bijat e nomenklaturës së viteve 70-80 u arsimuan jashtë, si pasojë e dëshirës së prindërve të tyre të pushtetshëm për të krijuar trashëgimi të pushtetit. Edhe bijtë e bijat e pushtetarëve të sotmë, (një pjesë e të cilëve bien në sy si trupeshq, ama ka syresh edhe të zgjuar, shumica dërrmuese egoistë ama ka tek tuk edhe ndonjë altruist), po njësoj po arsimohen jashtë, që ta trashëgojnë lehtë pushtetin.

Kështu pra, djemtë e vajzat e pushtetit shkollohen jashtë, gjyshat e gjyshet e tyre shërohen jashtë, dhe po jashtë i blejnë teshat babat e nënat e tyre. Nuk ka më të jashtëm se këta, prandaj duhet bërë kujdes kur kërkohet që në vend të djalit të Haxhisë të shkojë dikush që ka studiuar jashtë. 

Sa i përket punësimit në diplomaci e përgjithësisht administratës shtetërore - gjëja më e rëndësishme është ndjenja e vazhdueshme e detyrës ndaj vendit dhe popullit tënd. Kjo, për shkak se në administratë publike e diplomaci pagat nuk janë fort të larta, krahasuar me mundësitë për të përfituar që paraqiten për shkak të pozitës. Mungesa e ndjenjës së detyrës dhe rendja pas përfitimit meqë “paga nuk të del”, janë shkaktare të cilësisë nën mediokre të zyrtarëve e nëpunësve shtetërorë, qofshin ata të shkolluar jashtë a brenda, qofshin me apo pa librezë partie, me apo pa të njofshëm, me apo pa protokoll.

Kuptohet, kjo ndjenjë e detyrës duhet shoqëruar me ekzistencën e një programi rekrutues gjithëpërfshirës, një ideologjie të shërbimit shtetëror, si dhe i një kontrolli të papritur e të herëpashershëm, që ndëshkon abuzuesit. Aty ku nuk ekzistojnë këto, shumica bëhen “djali i filanit”.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco